Bankat në Shqipëri dhe Inovacioni – Një marrdhënie inekzistente

etienne-martin-2_K82gx9Uk8-unsplash

Marrëdhënia e bankave shqiptare me inovacionin dhe modernizmin është po aq e ngadaltë sa zhvillimi teknologjik i shumë fushave të ngjashme. Pas revolucionit teknologjik që u bë me e-albania për të limituar dhe ulur problematiket me shërbimet publike, bankat janë një tjetër institucion i rëndësishëm që ka nevojë për një shndërrim total teknologjik.

Ka disa vite që reklamohet rëndom inovacioni digjital i bankave me aplikacione dhe platforma shërbimesh. Megjithatë, duket haptasi se reklamimi ka kushtuar më shumë se sa puna reale që është bërë me këto aplikacione digjitale bankare.

Që të kuptojmë se ku qëndrojnë problematikat kryesore midis zhvillimit teknologjik të institucioneve financiare le t’ju sqarojmë më parë disa terma.

Ku qëndron ndryshimi mes bankave shqiptare nga ato të huajat?

Sistemi bankar europian dhe ai ndërkombëtar ofrojnë disa përparësi teknologjike, si për shembull ekzistenca e ‘digital-only banks’, të cilat ndryshe quhen neo-banka. Këto të fundit operojnë vetëm online. Kjo lloj banke mundëson hapjen e llogarisë dhe kryerjen e çdo veprim bankar nga telefoni celular. Nuk ke nevojë të shkosh në një filial fizik dhe të presësh radhë të gjata, kjo sjell një eksperiencë më të mirë për klientët bankarë.

Aplikacionet bankare ose neo-bankare në vende si Britania, Gjermania, Zvicra dhe Lituani janë jo vetëm të avancuara dhe të pasura në shërbime, por edhe më ‘user friendly’. Ky fakt anashkalohet shpesh mes ofrueseve bankarë në Shqipëri.

Bankat në Shqipëri ende përfitojnë nga fakti që shqiptarët janë një shoqëri e dashuruar me paranë fizike. Menaxhimi i parave fizike ka kosto shumë të lartë. Fakt ky i cili në një farë mënyre legjitimon tarifat e larta që bankat u ngarkojnë njerëzve, tek të cilët shihet një nivel pakënaqësie në rritje.

Por le të mos shkojmë larg dhe të shohim se çfarë ndodh në rajon

Në Kosovë tashmë po shohim lojtarë të rinj që hyjnë në treg dhe u ofrojnë klientëve zgjidhje financiare vetëm digjitale. Në Kroaci dhe Serbi tashmë mund të gjeni zgjidhje të tilla që prej disa vitesh. Kështu që rajoni po ecën përpara por ende ngadalë.

Ajo që sigurisht është shumë interesante dhe premtuese është fakti se disa vende të Bashkimit Evropian po eksperimentojnë me idenë e migrimit të disa aspekteve të sistemit financiar në teknologjitë e blockchain-it, duke përdorur CBDCs (Monedha Dixhitale të Bankës Qendrore), të cilat janë monedha digjitale të shpërndara nga bankat qendrore në blockchain dhe ka potencialin të revolucionarizojë sistemin financiar dhe të përmirësojë përfshirjen financiare. Ndoshta tani është koha më e mirë për të filluar të mendojmë për projekte të tilla.

Cilat janë produktet & shërbimet bankare që vazhdojnë të mungojnë ose kanë problematika në Shqipëri në vitin 2021?

Ekzistojnë një mori produktesh dhe shërbimesh bankare që shumë klientë shqiptarë nuk kanë pasur mundësinë t’i njohin ose përdorin. Kjo vjen kryesisht për shkak të mungesës së tyre në treg, natyrës mosbesuese të popullit shqiptar ndaj bankave dhe mungesës së angazhimit aktiv të bankave në edukimin financiar të klientëve.

Ja disa shërbime inovative që janë ende të padisponueshme në Shqipëri ose jo ende në një nivel të kënaqshëm:

  • Hapja e llogarisë nga telefoni celular dhe nënshkrimi i kontratës brenda një aplikacioni nuk ofrohet ende nga asnjë bankë.
  • Pagesa e faturave përmes bankingut online është një proces i lodhshëm. Duhet të jetë më intuitiv dhe shërbimet me një klikim duhet të jenë normë.
  • E ashtuquajtura UX/UI, përvoja e përdoruesit dhe dizajnet e thjeshta të aplikacioneve janë në një nivel jo të kënaqshëm.
  • Iniciativat e bankingut të hapur (open banking) mungojnë ende, pavarësisht se direktiva PSD2 është miratuar nga parlamenti që prej 1 viti.
  • Dërgesa e parave jashtë vendit ende kushton shumë, me kosto përafërsisht deri në 10% nga sasia e dërgesës.
  • Marrja e parave nga jashtë – e njëjta gjë – fakt ky që shpjegon pse vetëm 4% e remitancave vjen nëpërmjet sistemit bankar. Mos të harrojmë që diaspora shqiptare ende mban në këmbë ekonominë e vendit.
  • Mungon një sistem inovativ remitancash, e cila mund të ulë në mënyrë drastike kostot e transaksonieve. Mungesa e të tilla platformash, detyron konsumatorët shqiptarë ti drejtohen operatorëve tradicional të dërgimit të parasë, si Western Union, MoneyGram apo Ria, të cilat dominojnë tregun me 57% e të gjithë remitancave të cilat hyjnë në vendin tonë.
  • Në vitin 2020, Shqipëria ka miratuar një legjislacion gjithëpërfshirës për kriptomonedhat dhe teknologjinë e blockchain, i cili synon të monitorojë dhe rregullojë liçencimin dhe veprimtaritë e platformave të tregtimit dhe shkëmbimit të kriptomonedhave, por ende edhe sot nuk ekziston një shërbim i tillë.
  • Çfarë e bën akoma më të çuditshme është fakti se shumica e bankave që operojnë në Shqipëri ndalojnë investimet në kripto në platformat më të sigurta në botë, si Kraken, Binance, Bitfinex, etj.

Çfarë duhet përmirësuar?

Të kesh një llogari bankare nuk do të thotë vetëm të kesh një vend të sigurtë ku të ruash paratë e tua. Ky është një term i vjetëruar, por fatkeqësisht shumica e njerëzve e kuptojnë këtë gjë vetëm në këtë drejtim, sepse mungon edukimi i përgjithshëm financiar i popullsisë.
Nuk nxitet asnjë fushatë publicitare në shërbim të edukimit financiar dhe teknologjik të brezave të rinj, por e gjitha vazhdon të bazohet në metoda të vjetëruara dhe aspak moderne ose në rastin më të keq, nuk bëhen fare.

Perkrah edukimit, bankat duhet të ofrojnë stimuj me ndikim real dhe të prekshëm për njerëzit që duan të hapin një llogari bankare, të bëjnë procesin sa më të thjeshtë si dhe të ulin kostot. Kjo mënyrë mund të përshpejtojë procesin e përfshirjes financiare të shqiptarëve, të cilët ndodhen akoma në nivele shumë të ulta, me afërsisht 40% të popullsisë.

Marim rastin e Kenias, ku në vitin 2005 vetëm 30% e popullsisë zotëronte një llogari bankare. Ndërsa tani, thuajse 100% e popullsisë ka një llogari apo kuletë digjitale. Pagesat dhe transfertat kryhen në kohë reale dhe nuk ka më radhë nëpër banka. Në fakt janë eliminuar edhe shumë problematika të tjera në lidhje me proceset burokratike bankare.
Sot një person nga Kenia, kursen mesatarisht 20% më shumë sesa në periudhën para transformimit digjital. Gjithçka kryhet elektronikisht dhe të themi të drejtën, sot askush nuk ka kohë të shpenzoj orë të tera me firmosje kontratash 16 faqesh për një kartë të thjeshtë debiti apo krediti.

Edukimi i klientëve vjen vetëm duke bërë një investim të mirëqënë në fushata serioze dhe moderne si dhe kërkon bashkëpunim të ngushtë midis aktorëve nga sektori financiar dhe publik. E kemi treguar tashmë se kudo që udhëtojmë në botë nuk e kemi të vështirë të përshtatemi me çfaredolloj teknologjie të re. Jemi të bindur se sapo ky lloj inovacioni të aplikohet në Shqipëri, do arrijmë të përshtatemi më shpejtë nga sa mendojmë.

Contact us

Give us a call or fill in the form below and we'll contact you. We endeavor to answer all inquiries within 24 hours on business days.