Home Për tradhtinë Të huaj jemi – Ismail Kadare

Të huaj jemi – Ismail Kadare

nga Flogerta Driza

Të huaj jemi ne prej kohësh
Ç’ish për tu thënë është thënë.
Si gurët që zënë vend në tokë
Një jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri – tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet
Si dy qytete mesjetare
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por, natën kur i lodhur truri
Porta i mbyll me qetësi
Ti gjen një shteg të futesh brenda
Një shteg që vetëm ti e di.

Futesh dhe si n’rrugica parqesh
Shëtit mes cirkonvolucionesh
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Po kur mëngjesi zë afrohet
Nis shqetësohesh befas ti.
Dhe heshturzai del përjashta
Nga shtegu që veç ti e di.

E dita vjen. Rrjedh prap jeta
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë të pamposhtur
Si dy qytete mesjetarë.

ARTIKUJ E NGJAJSHëM