Kur nderrohet ora per vitin 2012?

nga Argjenda Selmani

Nesër më 25.03.2012 fillon njehsimi veror i kohës. Në orën 2 të mëngjesit të së dielës, akrepat do të shkojnë 60 minuta perpara dhe do të tregojnë orën 3.

 Ndërrimi i orës është një procedurë që bëhet zyrtarisht me vendim qeverie, dy herë në vit, gjatë muajve tetor dhe mars, në javët e tyre të fundit. Qëllimi i ndryshimit të orës bëhet për shkak të kursimit të energjisë elektrike, me qëllim të shfrytëzimin më të madh të energjisë diellore. Ndërrimi i tillë i orës e ka fillesën në shekullin XVIII, kur Benjamin Franklin hodhi idenë e kohës që ndjek diellin.

Në atë kohë ideja nuk ishte shumë e përhapur, sepse kursimet ishin të pakta. Në vitin 1907, kjo teori u përmend sërish nga britaniku William Willet, ndërsa në vitin 1916 Britania votoi që të bëhet lëvizja e akrepave një orë përpara gjatë muajve të verës. Ky ndryshim u bë standard që nga viti 1974, pas krizës së parë të madhe të naftës.

Si ligj evropian, ndryshimi në rajon u vendos në vitin 1981. Norma evropiane vendosi datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur ora shkon një orë përpara) dhe përfundimin e saj (kur ora shkon një orë pas), që tani janë e diela e fundit e marsit dhe e diela e fundit e tetorit.