Qysh me e testu partnerin para bashkëjetesës?

nga Argjenda Selmani

Pikat më të ndjeshme në martesë apo në një lidhje serioze janë financat, marrëdhëniet në familje, fëmijët, planet dhe pritjet nga jeta, që zakonisht sjell deri te ndarja apo shkurorëzimi. Prandaj, britanikëve u ra ndërmend të mendojnë se para hyrjes në jetë të përbashkët ta testojnë kompatibilitetin e partnerit. Para jetës së përbashkët kontrolloni nëse ju dhe partneri juaj keni pikëpamje të njëjta, nëse e dëshironi një familje tradicionale apo bashkëkohore dhe a planifikon ai që punët e shtëpisë t’i kryeni së bashku.

Paraja

Sa janë të ardhurat e gjysmës tjetër dhe a e di ai sa ju fitoni? A i ndani kursimet, apo ai dëshiron të blejë një veturë të re, gjersa ju do donit të kurseni? A qëndron paraja në një vend të përbashkët, apo secili mban kuletën e tij? Planifikoni të hapni një llogari të përbashkët? A keni diçka kundër që t’i mbuloni borxhet e partnerit tuaj me paratë me të cilat keni planifikuar t’i investoni në shtëpi?

Shpenzimet

Nuk mund të hiqni dorë nga këpucët e shtrenjta apo rrobat më të reja? A e fshihni nga partneri minusin në kartelë? A luani bixhoz? A jeni të varur nga diçka dhe a është në dijeni partneri juaj për një gjë të tillë?

Lidhjet familjare

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me farefisin – të afërm dhe të largët? A jeni në kontakt me familjen dhe a planifikoni që këtë lidhje ta forconi edhe më? A përzihen ata në jetën tuaj? A jeni në marrëdhënie të këqija me familjen tuaj apo të partnerit?

Fëmijët

A dëshironi fëmijë dhe sa? Si mendoni t’i edukoni? A pajtoheni të investoni në edukimin e tyre?

Religjioni

A jeni religjioz? A pajtoheni që fëmijët t’i edukoni në këtë frymë? A ju pengon nëse partneri juaj është ateist, nëse ju jeni fetar dhe e kundërta?

Zbavitja

Si dëshironi ta kaloni kohën e lirë – ndaras apo së bashku? A do të thotë pushim që pushoni edhe nga njëri-tjetri?

Stili i jetës

Çfarë është stili juaj i jetës? Ku do të dëshironit të jetonit? A mendoni që një ditë të zhvendoseni në një vend të qetë, jashtë qytetit?

Puna

A është karriera e partnerit tuaj e rëndësishme sikur e juaja apo njëri prej jush duhet të bëjë kompromis? A jeni të gatshëm për një gjë të tillë? A planifikoni ta ndërpritni karrierën pas lindjes së fëmijës së parë? A mund njëri prej jush të kujdeset për familjen?

Familje tradicionale apo moderne

A keni pikëpamje tradicionale rreth familjes – gruaja amvise, e mashkulli siguron të ardhurat? Kush duhet të kujdeset për të hollat? Kush i paguan llogaritë? A planifikoni t’i ndani punët e shtëpisë?

Couple meeting in a cafe ejoying a coffee together