Qysh me i ditë përfitimet nga rrushi?

nga Argjenda Selmani

Sheqer rrushi, venë prej rrushi, acid limoni dhe molle, mineralet nga kalciumi dhe magnezi e deri te hekuri dhe fosfori, vitamina A, C, B – rrushi përmban të gjitha vlerat ushqyese për dallim nga ushqimet tjera.

Tonifikues natyral i trupit

Kokrrat e kuqe të rrushit janë përplot me celulozë dhe pektin, gjë që paraqet edhe arsyen pse rrushi konsiderohet si fryt që ndihmon tretjen, pastron trupin nga toksinat, eliminon ujin e tepërt nga trupi dhe ka funskion diuretik. Rrushi është ideal për mënyrën e të ushqyerit në vjeshtë pasi vepron si tonifikues natyral për organizmin, sasia e fosforit dhe kalciumit është e dobishme për metabolizmin e nyjeve dhe eshtrave. Për këtë, rekomandohet konsumi i rrushit gjatë shërimit pas ndonjë thyerje apo lëndimi të eshtrave.

Efekti shërues dhe dobiprurës

Rrushi është një burim shumë i vlefshëm i fitokemikaleve bioflavonoide, që kanë potencial antioksidues, përkatësishtmbrojnë qelizat nga efektet e dëmshme të radikaleve të lira.  Polifenoli që gjendet tek rrushi, por edhe tek vera, inaktivizon radikalet e lira. Rrushi i kuq përmban pigmentin antocianin nga grupi i fenoleve bimore që funksionon ngjashëm sikur likopenet tek domatet, si dhe si antioksidant i fuqishëm.

Këto pigmente bimore i japin ngjyrë të kuqe frutave dhe perimeve si:
  • grejpfruti i kuq,
  • shega,
  • shalqiri,
  • luleshtrydhet,
  • qershitë,
  • lakra e kuqe.

Ka dëshmi se konsumi i rrushit përmirëson qarkullimin e gjakut, nëse keni probleme me presionin e lartë të gjakut, një gotë verë në ditë mund të ndikojë në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës. Si antioksidant, rrushi ndikon edhe në mbrojtjen e mushkërive nga sëmundjet që lidhen me pirjen e duhanit. Vitamina A, C, E që gjendet tek rrushi, mund të ndikojë edhe në ruajtjen e të pamurit.

Trajtimi i bukurisë me anë të verës së rrushit

Gjatë viteve të fundit, rrushi është bërë faktor i rëndësishëm në industrinë kozmetike. Përveç përbërësve aktiv që përmban vera si procyanidin (mbrojtjen e enëve të gjakut dhe eliminimin e radikaleve të lira), polifenole (antioksidantë të mirë), resveratrol, vitamina A, C, B1, B2, vera gjithashtu ka një fuqi të madhe antioksiduese dhe sot paraqet një nga produktet e rëndësishme dhe mbrojtëse kundër plakjes.

Rrushi përmban shumë

  • vitamina E,
  • natrium,
  • fluor,
  • magnez,
  • hekur,
  • kalium,
  • kalcium,
  • fosfor
  • si dhe acide frutash.

Farat dhe lëkura e rrushit është e pasur me polifenole dhe antioksidantë që luftojnë kundër radikaleve të lira, përgjegjëse për plakjen e lëkurës. Të gjitha këto substanca bioaktive tek rrushi, vera dhe farat, përdoren për pastrimin, masazhimin, pilingun dhe maskave për fytyrë dhe trup.

Image