Qysh me kalu kohën kur duhet të rrimë të mbyllur në shtëpi?

nga Argjenda Selmani

Nëse për ndonjë arsye të caktuar ju duhet të kaloni kohën të mbyllur në shtëpi, si në këtë rast kur shumica jemi vetizoluar shkaku i koronavirusit, atëherë duhet të gjeni aktivitete me të cilat e kaloni kohën.

Sidomos nëse nuk jeni një nga ata njerëz që ju pëlqen vetëm të rrini, të shikoni filma a po të lexoni. Më poshtë ju japim disa rekomandime se qysh mund ta kaloni kohën kur ju duhet të rrini mbyllur në shtëpi.

Pastroni deri sa rrini të mbyllur në shtëpi

Filloni nga ky aktivitet i thjeshtë e ndoshta më i mërzitshmi. Mirëpo nëse fokusoheni në pastrim koha do të ju kalojë shumë shpejt. Më vonë sigurisht do t’i jeni mirënjohës vetës që e keni kryer këtë obligim.

Organizoni garderobën tuaj

Kjo është koha ideale që të largoni nga dollapi juaj rrobat që më nuk i përdorni. Me ndërrimin e sezonit dhe me kohën e lirë që keni këto ditë ju mund të bëni një organizim shumë të nevojshëm të gjithë garderobës tuaj.

Sistemoni bibliotekën apo koleksioni tuaj

Nëse jeni nga ata njerëz që keni një raft të mbingarkuar me libra shfrytëzoni këtë kohë që t’i shfletoni dhe risistemoni ato. Bëni një renditje të re në bazë të vitit të botimit, periudhës letrare apo emrit të autorit. Të njëjtën gjë mund ta bëni edhe me koleksionin tuaj, nëse jeni koleksionist.

Mësoni një recetë të re

Këtë periudhë që po e kaloni mbyllur në shtëpi shfrytëzojeni t’i avansoni aftësitë tuaja në gatim. Kësisoji koha do të ju kalojë më shpejt dhe ju do të keni më shumë receta që i dini. Ushqimi i shijshëm me siguri që do të ju ndryshojë edhe disponimin.