Qysh me parandalu infektimin nga koronavirus?

nga Argjenda Selmani

COVID-19 është një sëmundje infektive. Në këtë artikull të shkurtër informativ do t’ju përmbledhim se si të evitoni infektimin e mundshëm nga korona virus.

Shpërndarja e virusit nga njëri person tek tjetri bëhet nëpërmjet pikave të pështymës kur person i infektuar, flet kollitet apo teshtin. 

Stërpiklat e pështymës duke qënë të rënda nuk shpërndahen shumë në ajër, por arrijnë vetëm rreth një metër larg, derisa bien në sipërfaqe të tjera. Kjo është arsyeja pse përhapja ndodh kryesisht nëpërmjet kontaktit të afërt.

Nuk dihet ende se sa është kohëzgjatja e saktë e mbijetesës së virusit nëpër sipërfaqe. Ndaj këshillohet që sipërfaqet të pastrohen rregullisht në afërsi të njerëzve të infektuar apo atyre që dyshohen se janë infektuar nga COVID19.

Shmangni prekjen e fytyrës me duart tuaja, sidomos kur e dini se ato prekin shumë sipërfaqe të cilat mund të jenë të ndotura me virusin. 

Mos prekni sytë, hundën apo gojën, meqenëse duart e ndotura mund ta përcjellin virusin nga sipërfaqja e tyre tek organizmi juaj i brëndshëm.  

Sa herë që kolliteni apo tështini, mbuloni gojën dhe hundën me parakrahun ose përdorni shami. Idealja do ishte që shamitë të jenë një përdorishme, nëse jo hidheni menjëhere në koshin e plehrave dhe mbylleni qesen.

Lani duart sa më shpesh me higjenizues me bazë alkoli ose ujë e sapun. Kjo vazhdon të jetë mënyra më e efektshme e parandalimit të shpërndarjes së koronavirusit.

Urojmë të qëndroni të shendetshëm dhe të parandaloni përhapjen e COVID-19.