Qysh me përgatit Adana qebap – Kombinimi i mishit dhe erëzave

nga Argjenda Selmani

Qysh me përgatit Adana qebap? Kombinimi fenomenal i mishit të shijshëm dhe erëzave të vërteta. Prandaj, sot ju kemi sjellë këtë recetë fantastike që do t’ju bëj të lëpini gishtat. Ju nuk keni nevojë të  shkoni deri në Turqi për ta provuar. Me këtë recetë ju do të sjellni shijen e Turqisë në  tryezat tuaja!

Përbërësit e Adana qebap:

– 1,5 kg mish viçi të bluar;
– 2 speca të kuq;
– 1 qepë;
– 3 thelpinj hudhre;
– një lugë e vogël kripë;
– 1 lugë lëng domateje;
– 1 lugë e vogël trumzë,
– 1 lugë e vogël spec djegës të bluar;
– 1 lugë e vogël piper.

Adana qebap

Përgatitja:

Adana qebap ka një përgatitje të vecantë, ndaj ndiqni me kujdes udhëzimet. Në blender qitni qepën, hudhrën dhe specin dhe bluani, por jo t’i bëni si qull, por në copa të imëta. Në një enë të madhe qitni mishin e bluar, sipër shtoni përbërjen e bluar në blender, pastaj të gjitha erëzat, kripën dhe pure domateje dhe përzieni mirë. Përbërjen futeni në frigorifer dy-tri orë që shijet të përzihen.
Nga përbërja e ftohtë bëni topthat dhe radhisni në hell, shtypni që të mbeten gjurmët e gishtave dhe piqeni në skarë derisa të marrin ngjyrën e mirë. Shërbeni bashkë me shtesa sipas dëshirës (sallatë të freskët, ajkë, majonezë, keçap…) dhe do të ishte mirë sikur të bësh edhe tortila, Ju bëftë mirë!