Qysh me përgatitë pastrues për dysheme parketi?

nga Argjenda Selmani

Të kesh shtëpinë e shtruar me dysheme parketi ndoshta nuk është aq e lehtë. Nëse pllakat të japin më shumë mundësi pastrimi dhe nuk duan ndonjë mirëmbajtje specifike, me parketin e drurit ndodh e kundërta. Faktorët që e dëmtojnë atë më tepër janë drita dhe lagështira, të cilat nuk do të shkaktonin vetëm ndryshimin e ngjyrës, por fryrjen dhe prishjen e tij me kalimin e viteve.

Për këtë arsye pastrimi rutinë i parketit kërkon përkujdesje. Duhet të keni kujdes me zgjedhjen e pastruesve sepse për të tilla dysheme janë pastrues specifik. Disa pastrues që mund të heqin bojën, e zhveshin nga ngjyra parketin. Dyshemetë nga druri gjithmonë pastroni mirë me leckë të shtrydhur nga uji, sepse teprica e lagështisë depërton në të çarat midis dërrasave dhe dëmton parketin dhe mund të shkaktojë prishjen e tij. Ju mund të përgadisni vet pastruesin e parketit për shtëpinë tuaj.

Përbërësit:

  • 1 gotë uthull
  • 3 gota ujë
  • 10 pika lëng limoni
  • 4-5 pika deterxhent enësh

Së pari, në kovën me të cilën pastrojmë dyshemenë vendosim ujin dhe uthullën. Pastaj shtojmë lëngun e limonit i cili dezinfekton dyshemenë. Në fund shtohet edhe deterxhenti i enëve dhe përzihet mirë. Pastrojmë si zakonisht dyshemenë. Kjo përzirje përpos që e ruan dyshemenë dhe nuk e dëmton, bën që parketi të shkëlqejë.