Qysh me përgatitë speca turrshi me sallatë?

nga Argjenda Selmani

 Koha për speca turrshi ka ardhur. Me siguri që edhe në shtëpinë tuaj keni filluar të mendoni për llojet e specave që do të përgatisni. Ne po ju propozojmë një recetë të specave me sallatë të përzier. Kjo është një nga recetat për speca turrshi që pëlqehet nga të gjithë ata që kanë rastin ta provojnë. Madje fatmirësisht edhe realizimi i saj nuk është i vështirë.

Përbërësit:

5 kg speca të verdhë
5 l ujë 500 ml uthull
2 fingjanë krypë
1 fingjan sheqer
1 lakër
Perime sipas dëshirës

Përgatitja:

Së pari vlohet uji, e pastaj lihet të ftohët. Në ndërkohë specat i pastrojmë një nga një. Pastaj i heqim bishtat e tyre. Në anën tjetër, lakrën së bashku me perimet e tjera të përgjedhura i grijmë dhe i përzijmë. Këtë e bëjmë deri sa të krijohet një masë homogjene. Pastaj shtojmë sheqerin, kripen dhe uthullën. Me masën e krijuar i mbushim specat një nga një dhe i vendosim në kavanoz.

Pastaj ju hedhim ujin gradualisht dhe i mbushim ato. Në fund i mbyllim mirë. Specat turrshi me lakër duhet të qëndrojnë të mbyllur të paktën dy javë para përdorimit. Atëhere janë të gatshëm për servim. Mirëpo ka shumë rëndësi që  specat të ruhen në temperaturë të ftohët. Preferohet nëse keni mundësi t’i mbani në frigorifer. Ose në ndonjë podrum ku temperaturat janë shumë të ulta.