Si t’i mbyllim poret e zgjeruara të lëkurës?

nga Argjenda Selmani

Poret e zgjeruara të lëkurës janë problem për shumëkë. Edhe nëse nuk kemi problem me akne, hapja e poreve e bën lëkurën tonë të mos duket bukur. Poret e zgjeruara të lëkurës vërehen kur shihni vrima të vogla në lëkurë tuaj. Ato mund të jenë në mollëza, faqe apo ballë. Mirëpo edhe ky problem mund te luftohet lehtë me një maskë që përgatitet në kushte shtëpie.

Përbërësit

1 e bardhë veze
1/2 (gjysmë) luge lëng limoni
1/4 domate (në madhësi të vogël)

 Përgatitja

Pasi të keni pastruar të gjitha farëzat e domates grijeni hollë fare në rende. Në një tas rrihni të bardhën e vezës, derisa të formohet një shkumë e trashë, në vazhdim, shtoni lëngun e limonit (rriheni dhe pak akoma), dhe në fund shtoni domaten e grirë dhe trazojini mirë.

Përdorimi

Ngaqë maska është e lagësht, aplikojeni me furçë, në 2-3 shtresa në të gjithë sipërfaqen e fytyrës ose vetëm në ato pjesë ku poret janë më të mëdha. Lereni maskën të veprojë për rreth 20 minuta dhe pastaj shplahuni me ujë të vakët.

Limoni dhe domatja janë të pasura me acide, ato mund të largojnë qelizat e vdekura nga lëkura, papastërtitë e mbledhura në pore, yndyrnën e tepërt etj. Ndërsa e bardha e vezës forcon poret e lëkurës. Maska sygjerohet të përdoret dy herë në javë.