Agim Deva

nga shqipediadua

Agim Deva │ Biografia

Lindi në vitin 1948 në Beograd. Ishte shkrimtar shqiptar kryesisht për fëmijë dhe gjithashtu pedagog në “Universitetin e Prishtinës“. Pas përfundimit të shkollës së mesme u regjistrua në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës ku kreu studimet në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Kreu magjistraturën dhe doktoraturën në fushën e letërsisë për fëmijë. Pas diplomimit në fakultet u punësua gazetar në gazetën “Zëri I rinisë”, e më vonë u bë kryeredaktor i parë i “Gazetës së pionierëve”.

Që nga viti 1973 punoi në Fakultetin e Filologjisë, së pari – asistent në Teorinë e letërsisë, e pastaj, ligjërues në lëndën Letërsia për fëmijë. Përveç kësaj, Agim Deva ligjëroi edhe Fillet e gazetarisë, Kritikën letrare, kurse në departamentin e gazetarisë zhvilloi lëndën Zhanret e gazetarisë. Ishte profesor ordinar në këtë Fakultet.

Njëherësh, Agim Deva ishte anëtar i PEN- Qendrës së Kosovës dhe themelues e drejtues i OJQ-së “Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë” që nga viti 2000 e këtej. Poashtu, që nga viti 2005 ishte edhe anëtar i Shoqatës “Pranë fëmijëve”. Organizoi disa simpoziume e sesione shkencore mbi çështjet e letërsisë për fëmijë e të rinj.

Botoi një numër të konsideruar veprash letrare (prozë e poezi), antologji të ndryshme, panorama të poezisë botërore, vepra të ndryshme shkencore, monografi, kritika, recensione, ese, parathënie e pasthënie, një libër leximi për klasë të katërt fillore, dy libra për fëmijët e hendikepuar, libra ilustrativë për fëmijët e moshave parashkollore, libra me karakter ambiental dhe së fundi Abetaren. Që të gjitha këto shtrihen në 80 vëllime.

Mori pjesë në Simpoziumin Ballkanik të Letërsisë për Fëmijë të mbajtur në Tiranë ( në vitin 2000), si edhe në shumë manifestime letrare para fëmijëve tanë në Austri, Belgjikë, Gjermani, Zvicër, Itali, Francë etj.

Për punën e tij letrare u nderua me një varg shpërblimesh në Kosovë dhe më gjerë. Poezitë e tij u përkthyen në disa gjuhë të huaja si në anglisht, gjermanisht, arabisht, italisht, rusisht, sllovakisht, rumunisht, kroatisht, turqisht, sllovenisht, maqedonisht, etj. Vdiq në Shkurt të vitit 2009 në moshën 61 vjeçare.

Agim Deva dhe veprat e tij

agim deva shkrimtar

Disa nga veprat kryesore që dallohen nga shkrimtari I shquar Agim Deva janë: “Në dhomën katër me tre“ si dhe tekstet e këngëve “Rosak pastërtori“. Fëmijët ishin preokupimi I tij I vetëm deri në ditët e fundit dhe për këtë arsye dallohej si shkrimtar për fëmijë, ku shquheshin librat që I shkroi për fëmijë si : “Natyreza“(tekst mësimor), “USA dhe MUSA“, “Zonja e livadheve“, “Panushi“, “Vjersha të zgjedhura për fëmijë“, “Derisa ti flen“, “Në botën e abetares“, “Pse I dua babadimrat“ e shumë e shumë libra dhe romane të tjera për fëmijë.

 

Të tjerë