Andon Zako Çajupi

nga shqipediadua

Andon Zako Çajupi │ Biografia

Andon Zako Çajupi u lind në Sheper të Zagorisë dhe jetoi në Egjipt. Emri I tij në të vërtëtë ishte Çako por për shkaqe që nuk dihen I mbeti Zako. Shkollën e ultë e kreu në Nivan ndërsa të mesmen në një shkollë franceze në Egjipt. Në vitin 1887 Çajupi bëri një vizitë në Sheper që edhe ishte e fundit për të, më pas shkoi në Zvicër ku edhe kreu studimet dhe mori titullin doktor për drejtësi.  Si avokat punoi në Kajro, vend në të cilin jetoi përgjithmonë.

Andon Zako Çajupi që nga fundi I shek.XIX mori pjesë në të gjitha lëvizjet patriotike shqiptare, dhe më së shumti u bë I njohur me një artikull që kishte shkruar në kuadër të diskutimeve që bëheshin rreth alfabetit në atë kohë, ku Çajupi doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Çajupi gjithashtu botoi një pamflet kundër armiqve të lëvizjes kombëtare shqiptare, kështu për shkak të patriotizmit dhe qëndrimit të prerë ndaj të huajve Çajupin e vendosën në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Në Kajro u zgjodh edhe kryetar I shoqërisë “Vëllazëria“, kështu ishte edhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit I dërguan Konferencës së Paqes më 1919 për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë. Ishte gjithashtu themelues I “Shoqërisë së Miqve“, shoqëri e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu.

Andon Zako Çajupi │ Letërsia dhe veprimtaria e tij

Andon Zako Çajupi poezi

Andon Zako Çajupi pothuajse në të njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare e nisi punën letrare. Më 1902 botoi librin“Baba Tomori”, një nga veprat më të shquara të letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Me këtë përmbledhje që dallohet nga fryma luftarake patriotike, demokratizmi i hapur dhe fryma popullore në brendi dhe në formë Çajupi solli një ndihmesë të çmuar në pasurimin e letërsisë kombëtare. Në pjesën e parë dhe të dytë të librit janë vendosur me radhë vjershat patriotike dhe ato me temë dashurie; vjershat me karakter shoqëror dhe fabulat e shqipëruara janë përfshirë në pjesën e tretë të librit, që përmbyllet me komedinë e njohur “Katërmbëdhjetë vjet dhëndër”. Vjersha e gjatë “Baba Tomori”, me të cilën hapet përmbledhja, është një grishje e zjarrtë drejtuar bashkatdhetarëve që të zgjohen dhe të përpiqen për atdheun e robëruar. Patriotizmi i flaktë shquan edhe një varg krijimesh të tjera poetike, si Mëmëdheu, Ç’jemi? …. Ku kemi lerë? Vaj etj. në të cilat duket brenga e poetit tek shihte që lëvizja nuk kishte marrë ende vrullin që ai dëshironte.

Në një varg poezish Andon Zako Çajupi kumboi me forcë thirrjen për të rrëmbyer armët kundër robërisë shekullore të huaj (Besa-besën, shqiptar, Atdheu dhe dashuria etj. Të gjitha poezitë e Çajupit e tregojnë dashurinë që ai kishte për Shqipërinë dhe urrejtjen e papërmbajtur ndaj armiqve të saj, të cilët fshikullohen me forcë të veçantë satirike, si në vjershat Sulltani, Punërat e Perëndisë, Greku dhe shqiptari. Në një sërë vjershash poeti foli për plagët shoqërore të fshatit shqiptar (Fshati im, Kurbeti, Fyelli i bariut etj.). i këndoi dashurisë si ndjenjë njerëzore e natyrshme. Pikëpamjet demokratike të Çajupi gjetën shprehje në një varg vjershash ku goditet shtypja dhe pabarazia shoqërore, ngrihet lart e me dinjitet jeta e lirë (Misiri, Varfëria dhe liria). Gjatë viteve 1903-1905 Andon Zako Çajupi përfundoi poemën Baba Musa Lakuriq, që mbeti dorëshkrim. Në këtë vepër që zë një vend të rëndësishëm jo vetëm në krijimtarinë e poetit, por edhe në gjithë letërsinë demokratike, poeti parodizoi Biblën dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet legjendave biblike, trajtoi një varg problemesh të mprehta politike të kohës, goditi moralin hipokrit dhe një varg shfaqjesh negative të shoqërisë me klasa. Në këtë vepër u shfaq me forcë të veçantë demokratizmi revolucionar dhe ateizmi e afetarizmi i autorit.

Andon Zako Çajupi përveç si atdhetar I shquar dhe si shkrimtar, në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij “Katërmbëdhjetëvjeç dhëndër“ dhe Pas vdekjes (shkruar më 1910, botuar më 1937), me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsinë tonë. Në komedinë e parë, autori vuri në lojë me një humor të lehtë mentalitetin dhe zakonet prapanike të fshatit shqiptar, të cilin e dha me ngjyra të gjalla e plotë imtësi të goditura jetësore dhe etnografike. Komedia politike “Pas vdekjes“ me anë të situatave komike të gjetura bukur, përshkruante me sarkazëm dërrmues portretin e politikanit që bënte lojën e xhonturqve në gjirin e lëvizjes patriotike shqiptare. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia Burri i dheut (botuar më 1937),

Diçka tjetër që e bënte me shumë qejf Andon Zako Çajupi ishin edhe përkthimet. Përveç një varg vjershash dhe fabulash që botoi në librin “Baba Tomori“, më 1921 nxori në dritë “Përralla të zgjedhura“ të vjershëtarit të madh La Fontenit, në të cilat, duke u nisur nga kërkesat ideore të shoqërisë shqiptare, I shtjelloi me mjeshtëri çështjet politike, shoqërore, morale etj. të jetës së kohës, satirizoi veset njerëzore dhe shfaqjet negative të shoqërisë me klasa, si grabitjen, mashtrimin, dhunën etj. Më 1922 u botua Lulet e Hindit, përmbledhje me vjersha të poetëve indianë.

Andon Zako Çajupi është një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë përparimtare shqiptare. Me veprat e tij, që shquhen nga patriotizmi luftarak, fryma e spikatur demokratike, karakteri Popullor, spontaneiteti dhe realizmi në pasqyrimin e jetës, ai dha një ndihmesë të çmuar në përparimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë sonë kombëtare. Në vitin 1993 në gazetën “Bashkimi“, Martin Malo botoi një artikull me titullin: “Andon Zako Çajupi“ – Një demokrat dhe patriot I madh.

Të tjerë