Fan Noli

nga shqipediadua

Fan Noli Biografia

Fan Noli lindi më 6 Janar 1882 në Qytezë një fshat shqiptar në Trakë, afër Edrenesë. Si disa fshatra të tjera të asaj krahine të banuara me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe kostumet e të parëve. Noli konsiderohej të jetë me prejardhje nga qyteza e Kolonjës.

I ati i tij, Stiliani, ndonëse trashëgoi tokë si pronë, shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Derisa ishte i mitur Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Por tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip kundrejt ndikimit të mbrapshtë politik që donte të kishte Patriarkana Ortodokse tek ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët.

Fan Noli Karriera dhe atdhedashuria

Fan Noli 2

Në vitin 1900 shkoi në Greqi me qëllim që të siguronte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Pasi shkoi në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. Por nuk i eci mbarë, dhe nuk mundi ti kryente as studimet. Atëherë u hodh në punë të tjera si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatrale shëtitëse që shfaqej kudo. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira për t’u marrë me dramaturgji duke shkruar dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri). Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes për dy vjet dhe ishte po kjo kohë kur përkthen në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” që u botua në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në korrik-gusht të 1903, ai nisi të botojë të parat skica letrare në revistën “Numas”.

Në prill 1906, me një biletë të klasit të dytë, paguar nga bashkatdhetari që kishte njohur në Egjipt Spiro Dine, Fan Noli u nis për në Botën e Re duke kaluar nga Napoli dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Për shkak të njohurive të tij gjuhësore do dërgohej në një mision rus në Amerikë. Pasi ndenji tre muaj në Buffalo, ku punoi në një kombinat lënde drusore, Noli shkoi në Boston ku botuesi Sotir Peçi i dha një punë si zëvendës-redaktor i gazetës së Bostonit “Kombi”, ku punoi deri në maj 1907 dhe ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba, Qyteza. Tensioni që ndjenin shqiptarët ortodoksë nga ndikimi i Kishës Greke mbërriti kulmin gjatë varrimit të një patrioti shqiptar, të cilit prifti grek nuk pranonte t’i kryente shërbesat e fundme. Me nismën e vet Noli thirri një mbledhje të shqiptarëve ortodoksë nga mbarë Nju Englandi, ku delegatët vendosën të themelojnë Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, me Nolin si klerikun e saj të parë.

Më 9 shkurt 1908, në moshën njëzetegjashtëvjeçare, Fan Noli u bë daikon në Bruklin, kurse më 8 mars 1908 Platoni, kryepeshkopi ortodoks rus i Nju Jorkut, e shuguroi si prift ortodoks. Vetëm dy javë më vonë, më 22 mars 1908, Noli i ri krenar mbajti për herë të parë liturgji në gjuhën shqipe, në Knights of Honor Hall në Boston. Ky ishte hapi i parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare.

Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën “Dielli”, zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 ai u nis për në Evropë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje.

Më 28 prill 1912, bashkë me Faik Konicën është ndër themeluesit kryesor të shoqatës pan-shqiptare “Vatra“ bashkë me organin e saj të shtypit “Dielli” i Bostonit, gjithashtu dhe “Shkopi” i Kairos që lëvizën kundër një artikulli të Mit`hat Frashërit në shtypin e Selanikut. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me note të lartë në “Bachelor of Arts“. Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali dhe në marsin e vitit 1913 ai mori pjesë, në Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik Konica.

Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm Zu Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. Në gusht 1914 Noli qëndroi për një kohë në Vienë, por me afrimin e reve të zeza të luftës, u kthye në Shtetet e Bashkuara në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. Në shtator të vitit 1918 Noli themeloi të përmuajshmen në anglishte The Adriatic Review, që financohej nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për kauzën e saj. Gjashtë muajt e parë revista u botua nga Noli, ndërsa më 1919, këtë detyrë e mori në dorë Konstandin Çekrezi. .

Me fondet e Vatrës, të mbledhura nën drejtimin e Nolit, u dërguan në Paris, Londër dhe Uashington delegatë shqiptaro-amerikanë për të promovuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë. Më 24 mars 1918, Noli u caktua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në fillim të korrikut të atij viti mori pjesë në një konferencë për popujt e shtypur në Mount Vernon, Virxhinia, ku u takua me presidentin Udrou Uillson, përkrahës i të drejtave të pakicave në Evropë. Më 27 korrik 1919 Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, që tashmë ishte dioqezë e pavarur. Një vit më pas, duke pasur parasysh rritjen e figurës së Nolit si udhëheqës politik e fetar i bashkësisë shqiptare dhe si shkrimtar, orator dhe komentator politik i talentuar, ishte e logjikshme që ai të zgjidhej kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë më 17 dhjetor 1920. Gazeta The Manchester Guardian, në një koment më 23 korrik 1924, e përshkruante Nolin si një burrë që do të kishte qenë i shquar në çdo vend. Diplomat i përkryer, ekspert i politikës ndërkombëtare, mjeshtër i debatit, që prej fillimit ai la mbresa të thella në Gjenevë. Me shumë mjeshtëri, por gjithmonë me buzë në gaz, ai i vuri me shpatulla pas murit të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas. Ai është një njeri me kulturë të pamasë, që ka lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglishte dhe frëngjishte.

Vdekja e Fan Noli

Fan Noli 3

Me të vërtetë pamundësia që të ishte në Shqipëri dhe të vazhdonte të kontribuonte në qështjen dhe kauzën Shqiptare e digjte përbrenda dhe padyshim politika, dramaturgjia e letërsia shqipe humbi një atdhedashës dhe një njeri të madh siç ishte Fan Noli

Krejt në fund të jetës së tij Fan Noli shkoi në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdale, vdiq më 13 mars 1965, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar, dhe u varros në varrezat “Forrest Hill Cemetery“, të Bostonit.

 

Të tjerë