17 Shkurti – Kosova po feston ditelindje
- dua.com Team ·
- 17.02.2020 ·
- Festat ·
- 6 min read
17 Shkurti – Kosova po feston ditelindje. Kjo datë padyshim që është një ndër më të rëndësishmet në historinë e re të shqiptarëve.
Për brezat e ri ndoshta 17 shkurti i 2008-ës nuk është shumë i freskët. Për këtë arsye ne këto ditë dolëm rrugëve të Prishtinës dhe u kërkuam disa personave të na i rrëfejnë kujtimet e tyre prej asaj dite. Më poshtë mund të lexoni tri prespektiva për ditën kur Kosova, por edhe gjitha vendet shqipfolëse, kishin festë.
Shitësi i lagjes Dardania kujton ftohtin e madh
Të gjithë ata që e përjetuan 17 shkurtin e vitit 2008 mund të thonë “E po kjo dihet”. Për shitësin Agim Mehdiu që e ka dyqanin në lagjën Dardania, afër qendrës së qytetit, ky është elementi që zgjedh të përmend të parin. “Ishte ftohtë i madh. Por gëzimi ishte më i madh. Më duket se asnjë shkurt pas atij të 2008 nuk ishte aq i ftohtë”, thotë Agimi teksa kujton njerëzit që hynin e dilnin në dyqan. “Të gjihë po ngriheshin por gëzimi ishte tepër i madh. Për neve që e kemi parë luftën, pastaj edhe lirinë, gëzimi i 17 shkurtit ishte tjetër. Kam qejf të besoj se Prishtina kishte erë tjetër atë ditë”, shprehet Agimi. Tutje ai thekson se asnjherë nuk e ka parë Prishtinën me të mbipopulluar se atë ditët. Por as më të lumtur ama!
Jo vetëm hotelet kryesore të qytetit, por edhe ato periferike dhe më të vogla ishin plotë ditën e 17 shkurtit 2008. Luljeta Shehu, kujton se madje edhe me 15 dhe 16 shkurt njerzit kishin filluar të vinin. Ajo thotë me shaka se u pushtuan nga gazetarët. “Kishte aq shumë gazetarë, shqiptarë dhe të huaj. BBC, CNN, e plotë media të tjera. Secilën orë që kalonte vinte nga një ekip. “Ata vraponin me kamera e mikrofon në dorë. Ishin kurreshtarë për çdo gjë dhe vazhdimisht na pyesnin se a jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e asaj dite”, kujton Luljeta. Ajo thotë se në kujtimet e saj shpalljen e Pavarësisë së Kosovës e ruan si periudhë të çmuar. Luljeta është e lumtur që e ka kaluar duke punuar prej afër me njërëzit që erdhen këtu aso kohe.
Po shpallej Pavarësia e Kosovës por të gjithë kërkonin flamurin kombëtar
Ai ishte vetëm një nga shitësit e shumtë të flamujve që atë ditë u poziconuan rrugëve të Prishtinës. Sot Fadil Behrami ka dyqanin e tij afër Tregut të Gjelbërt në Prishtinë.”Flamuri i Kosovës ishte padyshim risia e asaj dite. Ishim kurreshtarë ta dinim si duket por në fakt atë ditë shitëm shumë por shumë flamuj kombëtarë”, thotë Fadili teksa e kujton 17 shkurtin e vitit 2008, kur Prishtina sikur në çdo festë tjetër kombëtare, ishte veshur kuq e zi.
Megjithatë kur e pyesim për flamurin e kaltër me hartën e arit dhe yjet e bardha Fadili thotë se me kohë edhe ky na ka hyrë në zemër.”E po, kemi filluar ta duam. Kemi filluar ta duam edhe këtë”, shprehet ai. Tutje ai tregon se sigurisht edhe flamuri i Kosovës kërkohet e blihet vazhdimisht. Jo vetëm për festën e Pavarësisë por edhe në raste të tjera.
17 shkurti i vitit 2008 ka qenë një ndër ditët më të ftohta të vitit, -11 gradë Celsius për të qënë më të saktë. Kjo ishte dita kur Kosova shpalli pavarësinë e saj, megjithatë, asgjë nuk i ndali qytetarët të dilnin dhe të festonin pavarësinë e tyre.
Nisur nga kjo, po ju listojmë disa fakte dhe kuriozitete interesante rreth të dielës historike të Kosovës, 17 shkurt i vitit 2008.
Dita e Pavarësisë
Pavarësia e Kosovës u shpall me datën 17 shkurt të vitit 2008, në orën 15:39 minuta. Kjo ishte hera e dytë që Kosova shpalli pavarësinë. Herën e parë ndodhi në vitin 1991 dhe u njoh nga askush përveç Shqipërisë.
Personi që ideoi stemën dhe flamurin Kosovës është Muhamer Ibrahimi
“Yjet paraqesin komunitetet të cilat jetojnë në Kosovë. Kosova paraqitet me një ngjyrë të arit është vend shumë i pasur me resurse dhe me popullsi, pra ka një moshë të re në popullsi.
Ndërsa ngjyra e kaltër janë aspiratat e Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës që të integrohen në institucionet euroatlantike.” – ka thënë ai.
Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin:
- Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu
- Kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi
- Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
Më vonë, tre liderët e shtetit — Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi dhe Kryeministri Hashim Thaçi — ecën përpara sallës” Boro dhe Ramizi” duke kaluar nëpër turmën e njërëzve dhe nënshkruan Monumentin e NEWBORN, i cili u mbiquajt “Obelisku i Pavarësisë.”
Njohja e Pavarësisë
Shtetet e para që e njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA-ja, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.
Që nga 13 Nëntori 2019, Republika e Kosovës ka marrë 115 njohje diplomatike si një shtet i pavarur. Megjithatë, 14 prej këtyre deklaratave janë tërhequr që nga ajo kohë.
Deklarata e pavarësisë së Kosovës u firmos në një Pergamenë të vjetër 200 vjeçare. Kjo pergamenë gjendet dhe ruhet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.
Përveç pergamenës, në të njëjtin vend, gjendet edhe:
- Lapsi me të cilin u bën nënshkrimet
- Listat e firmave të deputetëve pjesmarrës në seancë
- Flamuri i parë i vendosur në seancën e shpalljes së pavarësisë.
- Pergamena e vjetër ku u nënshkrua Pavarësia, iu fal Kosovës nga Muzeu i Londrës
Kaligrafi dhe Flamujt
Shyqri Nimani ish profesor i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës. Kaligrafi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Ai shkruajti 6, 991 karaktere ose 1254 fjalë, në pergamenën prej lëkurë viçi të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Flamujt e parë të Republikës së Kosovës u printuan në Turqi.
Himni i Kosovës u kompozua nga kompozitori Mendi Mengjiqi. Ky himn u luajt për herë të parë në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Prezente gjatë seancës së shpalljes së pavarësisë të Kosovës, me transmetime direkte qenë mediat më të njohura botërore si: CNN, BBC, etj.
![](https://www.dua.com/wp-content/uploads/2024/10/unnamed-file-180x180-optimized.jpg)