Bicikleta – 10 arsye pse duhet të ecni më shumë me të
- ·
- 14.05.2020 ·
- ·
- 6 min read
Bicikleta, pra çiklizmi është edhe më i mirë nga sa mendoni. Përveç studimeve shkencore, edhe nga eksperienca personale, të kesh biçikletë është më mirë se çdo mjet tjetër transporti.
Kenaqësia më e madhe që kam ndjerë, në këto katër vjet që i kam dhënë biçikletës rregullisht nëpër Tiranë, ka qënë rritja e numrit të çiklistëve nëpër qytet. Nga dita në ditë shoh dyndje të jashtëzakonshme dhe fale korsive të bëra nga Bashkia, rrugëtimi për ne është bërë më i lehtë.
Megjithatë, nëse eksperienca ime dhe shkenca nuk ju bindin, po ju listoj dhjetë arsye të tjera.
THUAJI PO PEDALEVE!
Bicikleta nuk ndot dhe është e mirë për shëndetin, nuk kushton asgjë, është argëtues, çliron qytetin nga makinat dhe smogu. Pedaloni gjatë gjithë vitit edhe në qytet, për të shkuar në shkollë, për të punuar, ose për të bërë pazar.
Çiklizmi ju bën të lumtur
John Ratey, një psikiatër në shkollën Mjekësore të Harvardit, në librin e tij “Spark: The Revolutionary New Science of Exercise and the Brain”; tregon për pacientët të cilët, pas një viti “çiklizmi”, u përmirësuan ndjeshëm në shëndetin e tyre mendor.
Shkurt, shkencëtarët që kanë studiuar përfitimet e çiklizmit në trurin tonë për vite me radhë, pajtohen për një gjë. Pedalimi redukton ankthin, stresin dhe depresionin. Me pak fjalë, ju fal lumturi.
Kontrollon peshën tuaj (veçanërisht tek femrat)
Një orë çiklizëm djeg 500 kalori. Sipas hulumtimeve të publikuara në Archives of Internal Medicine, i cili studioi efektet e dobishme të çiklizmit tek gratë paramenopauzës dhe mbipeshë, një orë çiklizëm, disa herë në javë, ju dobëson.
Mbron Zemrën
Disa studime dëshmojnë se bicikleta është e dobishme për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe parandalon përkeqësimin e këtyre sëmundjeve tek të moshuarit. Në fakt, çiklizmi është një sport i qëndrueshmërisë dhe pedalimi gradualisht forcon jo vetëm zemrën, por edhe ventilimin e mushkrive.
Nuk dëmton prostatën
Nuk ka asnjë lidhje midis çiklizmit dhe problemeve shëndetsore tek meshkujt, siç besohej prej kohësh. Sipas një studimi të fundit britanik nga University College London, çiklistët nuk rrezikojnë infeksione urogjenitale apo infertilitet.
Studiuesit studiuan rreth 5.300 çiklistësh britanikë, midis moshës 16 dhe 88 vjeç.
Këta të fundit i jepnin biçikletës nga tre deri në nëntë orë në javë. Rezultatet e marra NUK ishin shqetësuese. Madje, krejt e kundërta, çiklizmi është i mirë për zonën e legenit sepse aktivizohet qarkullimi venoz përmes pompës muskulore të këmbëve.
Nuk dëmton gjymtyrët e poshtme
Ndryshe nga vrapi, çiklizmi është një sport me ndikim të ulët. Pedalimi, nuk ushtron presion mbi nyjet e gjymtyrëve të poshtme. Kjo është arsyeja pse këshillohet për gjunjët. Për më tepër, siç raportohet nga një studim francez i botuar në Journal of Electromyography and Kinesiology, çiklizmi forcon të gjithë muskujt e këmbëve. Si përfundim: kushdo që udhëton me biçikletë përmirëson metabolizmin e muskujve, veçanërisht vithet, kofshët dhe pulpat. Jo vetëm kaq, por çiklizmi forcon muskujt dhe kockat e zonës dorsale, kështu që shpina juaj përfiton gjithashtu.
Ju jep energji
Çiklistët, përkundër lodhjes që ata durojnë në ngjitje apo rrugë të gjata, kanë më shumë energji. Sipas një studimi në Universitetin e Gjeorgjisë, nivelet e energjisë së çiklistëve (për ata që ecin të paktën 3 herë në javë) përmirësohen me 20%, ndërsa lodhja zvogëlohet me 65%.
Ju zgjat jetën
Sa më intensivisht të pedaloni, aq më shumë ju zgjatet jeta, veçanërisht sepse shmangni sëmundjet e zemrës. Një studim danez thotë: jetëgjësia rritet nga 2 deri në 3 vjet më shumë për gratë, dhe për burrat nga 4 deri në 5 vjet. Në të vërtetë, çiklistët e Tour de France jetojnë rreth 8 vjet më shumë se sportistët e tjerë.
Sipas vlerësimeve të bëra nga 53 vende europiane të anketuara nga OBSH, jeta sedentare shkakton rreth një milion vdekje në vit.
Nuk është e rrezikshme (me helmet)
Bicikleta mund të jetë e rrezikshme, veçanërisht në qytete, për shkak të aksidenteve rrugore dhe ndotjes. Në vitin 2010, në Shtetet e Bashkuara, gati 800 çiklistë u vranë dhe 515,000 përfunduan në dhomën e urgjencës. Çfarë duhet të bëjmë? Së pari, vishni një helmetë të madhësisë së saktë me kokën tuaj.
Disa hulumtime të fundit, të cilat kërkojnë të tregojnë avantazhet ose disavantazhet e përdorimit të biçikletës, janë në favor të çiklizmi. Përfitimet që bicikleta i sjell shëndetit tejkalon rreziqet e aksidenteve rrugore dhe ekspozimit ndaj ndotjes.
Ndikon pozitivisht në qytetin tuaj
Sipas një studimi të fundit të botuar nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Europën (UNECE) dhe Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën, nëse qytetet kryesore europiane do investonin në “transportin e gjelbër dhe të shëndetshëm” do kishim këto rezultate.
– Mbi 76.600 njerëzit mund të gjejnë punë (në shitjen me pakicë të biçikletave, mirëmbajtjen, furnizimin e veshjeve dhe aksesorëve për çiklistët).
– Rreth 10 mijë jetë mund të shpëtohen nga vdekja e parakohshme. Pasiviteti fizik dhe smogu janë ndër faktorët kryesorë të lidhur me vdekjet në Europë: 500,000 çdo vit. Përdorimi më i përhapur i biçikletës mund të jetë zgjidhja e duhur.
Kush i jep biçikletës pëlqehet më tepër
Joshës, inteligjent, ekologjik, altruist, bujar. Sipas një studimi të British Heart Foundation, një e katërta e britanikëve mendojnë se çiklistët kanë të gjitha këto cilësi. Me pak fjalë, çiklisti është partneri ideal, pas një futbollisti sigurisht.