Sakrificat e nje detektivi privat
- dua.com Team ·
- 14.10.2019 ·
- Biografi ·
- 5 min read
Detektivi tregon sakrificat e tij. A vlen rrëfimi i një detektivi përsa i përket profesionit më të rrallë në Shqipëri? Në moshën 35 vjeçare, shumica i kanë sistemuar disa gjëra në jetën e tyre. Në këtë moshë askush nuk synon të nisë një shkollë tjerër apo të ndërrojë punën e tij. Ndoshta sepse jeta e tyre ka marrë rrjedhën e vendimeve të marra që në moshë të herët.
Ndërsa për mua dhënia e mundësisë për të ndjekur këtë pasion ndodhi pikërisht kur mbusha 35 vjeç. Mendoj se gjithmonë e kam ditur se çfarë doja të beja, por në Shqipëri deri para pak vitesh nuk ekzistonte një shkollë e tillë. Ndodhi rastësisht, kur një miku im më tregoi për një akademi privatë që trajnon detektivë privatë. Menjëherë kërkova të rregjistrohesha. Janë të parët dhe të vetmit në llojin e tyre në Shqipëri dhe distinktivët që marrim njihen kudo në botë ku ka ligj për detektivët.
Nuk mund ta përshkruaj gëzimin që ndjeva, mu duk sikur më në fund arrita të gjej një vend ku mund të shpalos aftësitë e mia. Më kujtohet se klasa ishte e mbushur me të rinj, ndaj bija në sy për moshën time. Megjithatë, shpejt tregova se nuk ka të bëjë mosha për sa kohë bën diçka që të pëlqen. Shumica filluan ta lën si trajnim, ata pak që u diplomuan nuk po mundeshin të kalonin as praktikën. Disa e morën çertifikimin por pothuajse asnjëri nga ata nuk e praktikon si profesion detektivi.
Mua gjërat më ecën ndryshe
Prej katër vjetësh jam ndër të vetmit që e ushtroj si profesion. Një profesion që mund të funksionojë vetëm nëse zotëron një tipar kyç, DURIMIN. Nuk është aq ekzaltuese si punë siç përshkruhet në libra apo në filma. Nuk ke të bësh me misione të pamundura. Ok, ka edhe raste që kemi misione të pamundura por jo të tipit Tom Cruise apo me skena fantastike shkëputur nga filmat e James Bond-it.
Detektivi duhet të shkrihet me ambientin, nuk duhet të bjerë në sy dhe duhet të jetë vigjilent për orë të tëra. Duhet të lexosh çdo individ dhe shpesh do të duhet të parashikosh lëvizjen e radhës të subjektit, por gjithmonë duke ruajtur distancën.
Përmban rrezik si punë dhe orë pafundësisht të gjata. Nuk ke një zyrë apo një vend ku ti studion provat. Jo, detektivi është në kontakt të drejtëpërdrejt me provat, punon në terren. Dhe nëse nuk je i gatshëm të bësh disa sakrifica, kjo punë nuk bën për ty.
Adrenalina e profesionit
Adrenalina është ajo që më tërheq tek kjo punë. Ka momente kur duhet të rrish me orë të tëra në një pozicion e pastaj të lëvizësh me shpejtësi në ndjekje të subjektit. Ka raste kur studiojmë prova dhe ndërhyjmë në sisteme shumë delikate, por nuk mund t’ju zbuloj më shumë, disckrecioni mbi të gjitha.
Në një moshë të tillë unë iu futa rrugëtimit të një karriere që pak-kush mund ta marrë përsipër, por e dua si profesion ndaj i qëndroj deri në fund. Edhe çështjeve më të komplikuara u kam nxjerr krye, aq sa pas kaq shumë kohësh e di afërmendsh se cila çështje ka vështirësi apo jo.
Të bësh atë që dashuron do të thotë të sakrifikosh
Për mua nuk ka rëndësi, mosha, koha e ikur, apo sa vonë nisa studimet e këtij profesioni. Doja ta bëja dhe në momentin e parë që mu dha mundësia, e bëra. Pa fjalë, pa ankesa dhe pa hequr dorë asnjë sekondë. Nuk më interesuan rrethanat, por me vendosmëri ia dola. Ndonjëherë njeriu duhet të dalë nga zona e tiij e rehatisë për të bërë atë që do.
Asnjëherë nuk ka për të qënë e lehtë, por mund të jetë e bukur nëse e bën me pasion dhe përkushtim.
Ndoshta profesioni që doni të bëni ende nuk ka një degë të vetën këtu në Shqipëri. Ndoshta edhe ju kur të shkoni rreth të 40-ve, pasi keni krijuar familje, apo jeni rehatuar në një punë që e bëni për inerci, do t’ju jepet mundësia të studioni apo praktikoni pasionin tuaj. Kurrë mos thuaj kurrë. Mos hiqni dorë, asnjëherë nuk është vonë të bëni atë që doni!
Rrëfeu A.L
Shkruar nga Flogerta Driza
E gjeni tek https://www.facebook.com/detektivprivat2/