Mitologjia – Pesë figura të veçanta femërore shqiptare
- dua.com Team ·
- 21.05.2023 ·
- ·
- 10 min read
Mitologjia Shqiptare ka shumë elementë të vecantë në përmbajtjen e saj. Mirëpo, shpesh na ndodh të harrojmë se si është përfaqësuar figura femërore në mitologjinë shqiptare.
Megjithatë, nëse do të pyesje dikë se cilat janë figura mitologjike femërore që ata kanë lexuar nga legjendat shqiptare, shumë pak do t’i sillnin ndërmend.
Jam e sigurt se figura e parë që do na kujtohej po të na pyesnin do të ishte Zana e Malit. Mirëpo, ka edhe shumë të tjera të cilat kanë po aq vlerë. Në këtë artikull do t’ju sjellim pesë figura mitologjike femërore të rimishëruara në mitologjinë e bukur shqiptare.
Zana e malit
Zana e malit është krijesë mitologjike shqiptare me veti tepër origjinale autoktone. Kjo figurë mund të krahasohet më tepër me figura mitologjike të ngjashme ballkanike dhe malore të popullsive në gadishullin ballkanik.
Zana e Malit nuk është si zana që shihni në filmat e Disney, nuk ka krah dhe nuk bën magji. Kjo figurë unike shqiptare është një qënie mitologjike me fuqi mbinatyrore.
Sipas traditës, ato kanë dy karaktere: zana e butë, e cilat ndihmon kreshnikët në betejat e tyre, dhe zana idhnake e cili shiton (nguros) kur i prishet qetësia. Brirët e dhive të egra janë mbrojtja dhe dobësia e zanave.
Ato ruajnë territoret e veta me xhelozi edhe shitojnë ata që u prishin qetësinë apo i befasojnë kur janë duke luajtur nëpër livadhet e maleve. Prandaj, është traditë të bëhet zhurmë kur shkoni në mal, për t’i njoftuar ato për ardhjen tuaj. Zana është simbol i pjellorisë.
Shtojzovallet
Sqarim: Fotoja nuk është përfaqësim i saktë i shtojzovalleve, por i takon mitologjisë greke “Hylas dhe Nimfat. Fatkeqsisht nuk kemi piktura që mund të japin përfytyrimin e shtojzovalleve tona. Ky mund të cilësohet përfytyrim i ngjashëm.
Shtojzovallet janë figura të përrallave popullore shqipare. Krahasohen me nimfat greke. Madje edhe në këngët popullore flasim për to, duke thënë kërcen si një shtojzovalle. Këto krijesa përfytyrohen me një bukuri të jashtëzakonshme e me fuqi të mbinatyrshme.
Vendbanimi i tyre i preferuar janë bjeshkë dhe pyjet e dendura ku ato kalojnë kohën, duke kënduar e duke vallëzuar. Ato flirtojnë dhe i shikojnë njerëzit pa marrë parasysh gjininë.
Në mitologji tregohet se nëse ato kuptojnë se dikush po i vështron teksa lahen nëpër lumenj, me një shikim ato dalldisin njeriun. Ky i fundit më pas nuk mban më mend asgjë.
Fatet ose Orët
Informacion: Fatkeqsisht në artin shqiptar nuk kemi pasqyrim figurativ të Fateve ose Orëve. Thuhet se ato i shikojnë vetëm fëmijët, por nuk kanë fytyrë, ndaj i harrojmë.
Fatet janë figura të besimeve popullore dhe përrallave. Përfytyrohen si tri gra që vijnë natën e tretë te djepi i të posalindurit dhe i caktojnë fatin e jetës. Në veriun e Shqipërisë këtë detyrë e kryejnë Orët. Natën e tretë bëhet edhe kremtja e familjes, që quhet poganiqe. Për këtë rast piqet një bukë, e cila thyhet mbi djepin e fëmijës.
Ndër të krishterë, pas kësaj ceremonie i vihet emri fëmijës. Fatet kanë pseudonime të ndryshme sipas krahinave: Vitore, Mira, Mirushe, Orë (në Veri), Fata (Hora e Arbëreshëve), Fëtresha, Fatëza, Fatia.
E bukura e Dheut
Sqarim: Për të dhënë imazhin e të bukurës së dheut, figurë tipike mitologjike shqiptare, zgjodhëm pikturën e shquar nga hollandezi Jan Frederik Pieter.
Shpesh përralat nisin e flasin për të bukurën e dheut e cila formon kështu motivin e zakonshëm në letërsi tokë, ujë, ajër. Ajo është personazhi më i përhapur në mitologjinë shqiptare.
Mund të jetë e mirë ose e keqe, por më shpesh përshkruhet si antagoniste në mitologjinë shqiptare.
Në tregimet në të cilat ajo shfaqet, shpesh heroi duhet të shkojë në botën e saj që ruhet nga një kuçedër dhe të fitojë, në rast se do të kthehet në botën e tij.
Po fitoi, ajo mund të bëhet nusja e tij. Po humbi, ai gllabërohet nga kuçedra. E bukura e dheut lidhet me stinën e pranverës. Sipas Maximillian Lambert, ajo është hyjnesha e botës së të vdekurve.
Nana e Votrës
Nana e votrës, një nga hyjnitë më të lashta mitologjike shqiptare. Mendohet se ajo bart disa tipare të zvetënuara të një hyjnie shumë të lashtë të vatrës, me origjinë nga matriarkati.
Fillimisht ajo përshkruhet si një figurë pozitive. Më vonë dhe, sigurisht, me fillimin e rendit të patriarkatit, vetitë e saj ndryshuan. Tani ajo përfytyrohet si një figurë që fanitet në trajtën e një plake të keqe flokthinjur që rri gërmuq bri vatrës. Nana e Votrës u rrëfehet plakave që rrinë shumë vonë natën duke tjerrur li ose lesh.
Nëse ndodh që nusja e shtëpisë, kur ngrihet herët në mëngjes sheh në vatër një plakë që kreh flokët me krëhër.
Nusja kujton se është e vjehrra: i flet, por ajo s’përgjigjet. Ndërsa, po ta gjejë ndonjë fëmijë kur ajo po kreh flokët, Nana e votrës e kap dhe i nxjerr sytë me krëhërin e saj të hekurt.
Në zona të ndryshme njihet me emra të ndryshëm si: Shtriga e Vatrës, Plaka e Vatrës (Mat), Mëmat e Vatrës, Xhuxhja eVatrës (Myzeqe) etj.
Shënim: Fotoja kryesore e artikullit është piktura e piktorit Paja Jovanović e titulluar “Dekorimi i nuses shqiptare”
Katër figura të veçanta mitologjike mashkullore shqiptare
Sot ia lëm rradhën figurave mitologjike mashkullore shqiptare. Në fakt kishte shumë të tillë, por zgjodha t’ju tregoj për më interesantet.
Mitologjia shqiptare është e mbushur plot me figura të tilla mitologjike, fantastike dhe të magjishme. Personazhe pozitive apo negative qofshin këto, përbëjnë gojëdhëna të bukura të mitologjisë sonë shumëngjyrëshe Ilire.
Bariu i Mirë
Ky është emri popullor i Shën Martinit, mbrojtësit të ujqërve dhe njëherazi të bagëtisë. Në mendësinë popullore shqiptare ai ushqente një nderim të veçantë. Për të ndizeshin qirinj në të kremte.
Bariu i Shenjtë ka disa ngjashmëri me Panin, hyun-bari me brirë dhe me këmbë cjapi. Besoj ju kujtohet personazhi tek Herkuli.
Megjithatë, ka veçoritë e tij, të cilat i gjejmë vetëm tek shqiptarët. Sipas besimeve popullore ai është hyu i maleve e pyjeve, gjegjësi mashkullor i Zanës. Përfytyrohet si një njeri vigan që banon i vetëm në pyje.
Ai është zotërues i ujqërve, të cilët i ushqen, i drejton, por edhe i dënon. Kur do t’i ushqejë, shenjti u hedh ca kokrra misterioze jeshile, me madhësinë e frutit të dëllenjës.
Në raste të tjerai urdhëron që të venë e të hanë aksh bagëti të aksh malësori, sidomos kur ky i fundit kullot bagëtitë në toka të ndaluara.
Njihet edhe me emrat Bariu Hyjnor, Shën Marti, Shmarti, Shmartuku, Hazreti apo Hazëri (a Hezri), Njeriu i Mirë, Njeriu i Shenjtë apo Njeriu Jeshil.
Bajlozi
Bajlozi apo balozi, figurë mitologjike e rapsodive popullore shqiptare. Përfytyrohej si një vigan, i cili vinte nga deti dhe bënte bëma të këqija. Fillimisht fjala ka pasur kuptimin e ambasadorit.
Ndonjëherë ngatërrohet me Arapin a Harapin. Si Bajlozi, ashtu edhe Arapi simbolizojnë stuhitë, natyrore a shoqërore qofshin.
Ne një legjende te famshme shqiptare, Gjergj Elez Alia luftoi me bajlozin e ardhur nga deti, duke e mundur atë edhe pse vinte pas një lëngate te gjate për shkak te nënte plagëve te marra ne lufte. Bajlozi erdhi kryelarte por Gjergji e nguli 12 pashe nen dhe.
Në mbledhjen e etërve Palaj e Kurti, në rapsodinë “Omeri i ri”, një e fejuar e veshur si mashkull del të bëjë bejleg me një bajloz që kishte thirrur në mejdan të atin e saj. Mejdan është vendi i luftës a i dyluftimit, shesh lufte. Në këtë rapsodi, babai lufton me bajlozin për nderin e vajzës në shesh të mejdanit.
Redoni, hyu Ilir i detrave
Redoni hyu Ilir i mbrojtjes së udhëtareve dhe i detareve. Në paraqitjen figurative ka pasur interpretime si mbreti Gent, por në fakt ky është hyu që Hermesit grek ngjan. Kepi i Redonit është një relike e ketij emërtimi. Emri Redon është emër tipik ilir dhe bën pjesë në grupin e emrave ilirë si Agron, Baton, Dandom.
Emri mbi faqen e monedhës së Lezhës, lidhet me një toponim në krahinën ku u pre monedha, me emrin gjeografik Rodon. Kepi i Rodonit, që njihet nga populli edhe si Muzhli i Skënderbeut.
Toponimi Kepi i Rodonit, njihet në dokumentet mesjetare të vitit 1324 edhe me trajtat Redonum dhe Redones për të kaluar përfundimisht në emrin e sotëm toponimik Rodon.
Hyjnitë e ujërave janë nga më të kryehershmet në mitologji, se lidhen me elementin kozmogonik të ujit në gjenezën e botës dhe njeriut pra dhe të etnogjenezës së ilirëve dhe shqiptarëve.
Katallani
Personazh mjaft i njohur i demonologjisë primitive. Kjo figurë mitologjike ndeshet me emra të ndryshëm në shumë popuj dhe shumë kultura.
Si figurë e hasim në Jug e në Veri të Shqipërisë, herë si Tatëgjysh i parë, herë si Katalla e herë si Syqenhenjeri.
Përfytyrohet si një farkëtar gjigand nga shtati, i egër e me një sy në ballë, pa gjunjë e me këmbë të drejta si direku, që ha njerëz.
Në jugun e Shqipërisë, e sidomos në Labëri e në anët e Korçës, ai quhet Syqenhenjeri, emër që s’është gjë tjetër, veçse bashkim dy kompozitesh, me kuptimin “Syqen që ha njerëz”.
At Shtjefën Gjecovi e identifikon me ciklopin Polifem të Homerit dhe i pari që shqoi te Polifemi natyrën ilire qe Mjeda. Shumë studjues, si Hackamani, Skileri, Bolta etj., mbrojnë pavarsinë kohore të motivit të ciklopit ndër popujt jogrekë të Ballkanit, përfshirë edhe ilirët.
Emri i tij rron edhe në toponimi: Fusha e Katallajve (Shllak), Vorret e Katallajve (Shllak), Përroi i Vigjanit (pranë Mullenës), si dhe në një patronim, të përmendur më vitin 1517, M. Catalano në Tivar.
Në shekullin XV, te arbëreshët e Italisë na del një Katallan, bashkë me disa familje Catalano, që ruajnë këtë mbiemër dhe janë fis arbëresh.