Peja – qytet i gjelberimit, kultures dhe tradites
- dua.com Team ·
- 27.07.2021 ·
- ·
- 4 min read
Peja cilësohet si ‘Lulja e Dukagjinit’. Të paktën kështu thotë një këngë e vjetër dhe tejet e bukur shqipe për qytetin e Pejës. Peja është ndoshta qyteti më e ekologjk.
Ajo e ka më se 70% të sipërfaqes të mbuluar me gjelbërim. Qyteti i Pejës është ndërtuar poshtë regjionit malor të Rugovës. Kurorat e maleve përveç se i japin ajrin e pastër, i bëjnë hije e ja shtojnë bukurinë qytetit veri-perendimor të Kosovës. Përpos bekimit me gjelbërim që e gëzon, në qytetin e Pejës gërshëtohen edhe tradita e kultura. Ky është një nga ato qytete shqiptare që ruan ende gjurmët e Ilirisë.
Mes kulturës, traditës e religjionit lartohet Peja
Ta vizitosh Pejën do të thotë të shtegtosh nëpër kohëra të ndryshme. Duke filluar nga kohërat ilire, bizantine, otomane, luftërat botërore e deri në ditët e sotme. Po e vizituat këtë qytet do të hasni në gjurmë të objekteve të ndryshme historike, që kanë mbetur nga kohërat e ndryshme. Edhe pse gërmadhat janë mbuluar dhe nuk janë bërë hulumtime arkeologjike ende mund të fillohet me historinë ku qyteti i Pejës ka qenë i shtrirë në periudhat ilire.
Po shkuat në Pejë mos e lini pa vizituar objektet fetare. Shëtisni nepër xhamitë dhe kishat katolike e ortodokse dhe në teqe. Pastaj për të mësuar më tepër për mënyrën e jetës së pejanëve ndër vite vizitoni edhe Hamamin e Haxhi Beut, apo Mullirin e Haxhi Zekës. Unike janë edhe kullat në Pejë të ndërtuara nga guri. Edhe shtëpitë e vjetra qytetare. Kultura e veshjes dhe traditat e vjetra të banorëve. Shumë prej këtyre ambienteve sot janë kthyer në biznese në fushën e gastronomisë. Gjë që jau lehtëson vizitimin dhe shijimin e tyre.
Nga artizanatet, tek turizmi e gastronomia
Argjendaria, punimi i qelesheve, farkëtaria dhe saraçët. Këto janë artizanatet që për vite të tëra dikur kanë mbajtur gjallë ekonominë lokale e familjare të Pejës. Qyteti i Pejës njihet qysh nga kohërat e hershme, si qytet tregtar dhe artizanal. Pra, ka një numër të madh të artizanateve, që janë punuar me një përkushtim të madh nga mjeshtërit. Nga ata të cilët punën e tyre e kanë bartur brez pas brezi deri në ditët e sotme. Gjurmët e tyre shihen edhe sot në dyqanet e vogla e të mbetura. Megjithatë sikur secili qytet tjetër, as Peja sot nuk numron shumë artizanë.
Hovin ekonomik siç duket sot qytetit të Pejës ja jep gastronomia si dhe turizmi malor që zhvillohet në këto anë. Shkaku i gjitha veçorive që ky rajon ka, turistët vendor e ndërkombëtar nuk i mungojnë Pejës në asnjë stinë të vitit.
Plotë natyrë e ujë të rrjedhshëm
Peja ka pasuri të mëdha natyrore, e cila e rrethon në pjesën veriperëndimore dhe gjendet vetëm 1 km larg nga qendra e qytetit. Pasurinë më të madhe e përbën regjioni malor i Rugovës. Atje ku gjenden Gryka e Rugovës, Lumbardhi, liqenet në lartësi prej 1860 m. Pastaj shpellat, burimet e shumta, si dhe ujëvarat përgjatë grykës.
Shtohet këtu dhe pasuria e florës dhe faunës, majat malore mbi 2000 m etj., të cilat u ofrohen për shfrytëzim vizitorëve. Një nga atraksionet kryesore të qytetit të Pejës është edhe Ujëvara e Drinit me gjatësi prej 30 m, e cila vizitohet gjatë tërë vitit nga vizitorët e shumtë vendor dhe të huaj. Ujëvara është pjesë e sistemit të vargmaleve të Bjeshkëve të Nemuna. Po ashtu, brenda qytetit, pothuajse në çdo kënd, ekzistojnë oazat e gjelbëruara, të cilat ia shtojnë bukurinë qytetit, mbajnë ajrin e freskët dhe mundësojnë relaksimin e qytetarëve.