Pune gjate veres
- dua.com Team ·
- 08.07.2021 ·
- Pune ·
- 3 min read
Pune gjate veres Nëse jeni i ri, kjo është vera kur keni përfunduar shkollën e mesme, dhe doni të punoni, ne ju kuptojmë shumë mirë.
Shumë prej jush që jeni në këtë pozitë mund të shqetësoheni për mungesen e përvojës së punës. Megjithatë mos u brengosni. Ka shumë pune gjate veres që mund t’i kryeni edhe si i ri e pa përvojë. Profesione që ju ndihmojnë të fitoni pak para dhe të mbani vetën. E gjitha që ju duhet është vullneti për punë dhe interesimi.
Shitës/e
Pothuajse çdo i ri e provon profesionin e shitësit. Kjo është një nga ato punë që janë të përshtatshme për të rinjtë. Mundësitë për të punuar si shitës janë të shumta. Në dyqane rrobash, në pemëtore apo në dyqane ushqimore. Mund t’i hidhni një sy dyqaneve në rrethin apo qytetin ku banoni dhe të shihni se ku kërkojnë punëtorë. Zakonisht shumica e tyre kanë nevojë për staf shtesë në periudhën e verës.
Kujdestare fëmijësh
Në kohën kur kopshtet dhe shkollat mbyllen shumë familje kërkojnë kujdestare fëmijësh. Nëse keni ndonjë eksperiencë në këtë drejtim me motra ose vëllezër më të vegjël apo me mbesa e nipa, mund të gjeni lehtë një punë. Padyshim se të kujdesesh për një fëmijë kërkon përkushtim të madh. Megjithatë nëse e merrni punën me seriozitet ju mund t’ja dilni pa problem ta bëni edhe këtë.
Kamarier/e
Shërbimi në bare apo restorante është një tjetër punë që të rinjtë e bëjnë kudo në botë. Si i ri kjo mund të jetë shanca juaj ideale për të fituar vetebesim më tepër e për të komunikuar me njerëz. Si kamarier/e ju do të jeni në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit. Pra do të keni mundësi të krijoni lehtë një rrjet tuajin. Me numrin e madh të bareve dhe restoraneve ne vendin tonë besojmë se gjetja e një pune të tillë nuk do të jetë shumë e vështirë.
Guide në qytetin tuaj
Nëse banoni në një qytet turistik dhe gjatë kësaj vere dëshironi të aktivizoheni dhe të fitoni pak para, atëherë punoni si guide. Kërkoni faqet turistike në internet dhe krijoni një profil si guide në qytetin tuaj. Bëni një plan se ku do t’i dërgonit turistët në qytetin tuaj dhe si do të mund t’i ndihmonit ata. Kjo nuk do të jetë një punë e rregullt dhe e përditshme mirëpo mund të jetë e mirë sa për fillim.
