Qysh me përgatit Bakllava në mënyrë vegane pa gjalp dhe vezë?
- dua.com Team ·
- 08.07.2020 ·
- Receta ·
- 3 min read
Bakllava në mënyrë vegane? Nuk besoj se keni menduar për të apo jo? Receta për bakllavanë paksa më ndryshe se herët e tjera. Kjo është një zëvendësim i shkëlqyer për bakllavanë “e zakonshme”, e cila është plot sheqerna të pashëndetshëm. Ndaj po ju sjellim një recetë vegane, ja se si përgatitet:
Përbërësit për shurup:
- 80 ml ujë;
- 120 ml shurup panje;
- 2 lugë lëng limoni.
Për bakllava:
- 350 g hurma,
- 185 g bajame;
- 150 g arra,
- lëvore e një portokalli;
- 1,5 lugë çaji kanellë të bluar;
- ¼ lugë çaji kripë deti;
- Petë për bakllava pa vezë;
- 3 lugë vaj ulliri;
- 2 lugë fëstëkë të grirë.
Përgatitja:
Bëni shurupin
Të gjithë përbërësit hidhini në një tenxhere të vogël dhe lërini të vlojnë dhe të zihet përbërja derisa të bëhet shurupi i dendur. Lëreni anash që të ftohet plotësisht.
Bëni bakllavanë
Nga hurmat nxirrni bërthamat dhe zhytni në tenxhere me ujë të vluar që të zbuten. Pastaj kulloni dhe hurmat bashkë me arrat, bajamet dhe koren e portokallit, kanellën dhe kripën e detit hidhini në blender derisa të gjithë përbërësit të bluhen dhe të bashkohen. Nëse përbërja është tepër e thatë, shtoni edhe pak ujë.
Nga frigoriferi nxirrni petët për bakllava dhe lërini të qëndrojnë rreth dhjetë minuta në temperaturë dhome para se t’i përdorni. Furrën nxeheni në 180 gradë Celsius. Tepsinë për pjekje lyeni me vaj dhe vendosni tri petë për bakllava brenda, mirëpo çdo petë lyeni ndaras me vaj. Në petë hidhni gjysmë përbërje për mbushje dhe sërish radhisni tri petë të lyera me vaj. Pastaj mbushjen dhe sërish petët.
Nëse në paketë keni më shumë petë, mund t’i radhisni edhe më shumë se 3, sepse sa më shumë petë, aq më e mirë do të jetë bakllavaja. Kur t’i radhisni të gjitha petët, ato në majë lyeni me vaj dhe pritni me thikë në formë bakllavaje apo si ta keni më lehtë. Piqeni bakllavanë rreth 45 minuta në furrën e nxehur më parë, derisa të marrë ngjyrë të artë në të gështenjtë. Kur të piqet, hidhni sipër shurupin e ftohur (është me rëndësi që në bakllavanë e nxehtë të hidhet shurupi i ftohtë). Hidhni sipër fëstëkë të grirë dhe ëmbëlsira juaj është e gatshme. Kënaquni!
