Qysh me përgatitë mantia me djathë dhe spec djegës?

  • dua.com Team ·
  • 14.07.2020 ·
  • Receta ·
  • 2 min read
A dini të përgatisni mantia me djathë? Recetën tradiconale të gjysheve tona që asnjëherë nuk ka munguar në tryeza? Besoj që të gjithë pajtohemi se kur gatuhen mantia me djathë e gjithë shtëpia merr një aromë fantastike. Racion i përsosur për adhuruesit e kafshatës së mirë Ju mjafton ta përgatisni sipas recetës më poshtë dhe shija e mirë është e garantuar.

Përbërësit për mantia me djathë

  • 400 g miell;
  • 2 dcl ujë të vakët;
  • 100 g gjalpë të shkrirë;
  • 2 dcl vaj;
  • 700 g djathë taze të lopës;
  • 4 speca turshi djegës të grirë imët;
  • 2 dcl jogurt;
  • 3 thelpinj hudhre të grirë imët;
  • kripë.

Përgatitja

Në një enë për përzierje hedhim 400 gr mielli, i shtojmë kripë dhe bëjmë brumin duke shtuar 2 dcl ujë të vakët. Brumin e ringjeshim në tavolinë pune duke i shtuar pak miell. Kur ta ngjeshim e ndajmë në 4 pjesë dhe nga secila, duke e ngjeshur, bëjmë 4 toptha. I vendosim në tabaka dhe i hedhim sipër pak përzierje të bërë nga 100 gr gjalpë të shkrirë dhe 1 dcl vaj. I mbulojmë me leckë dhe i lëmë gjysmë ore. Ndërkohë, në enën për përzierje përziejmë 700 gr djathë të freskët lope dhe 4 speca turshi djegës të grirë imët. I përziejmë mirë që specat të përhapen mirë në gjithë përbërjen. Në dërrasë rrethore të mbuluar me sofrabez i përhapim petët nga topthat e bërë duke i lyer vazhdimisht përbërjen me gjalp ose vaj. Kur t’i kemi përhapur radhisim përbërjen e djathit dhe ngadalë e mbështjellim brumin në mënyrë të barabartë nga të gjitha anët. Me dorë, heqim copat e mbështjella të petës, formojmë toptha dhe i radhisim në tepsi të rrumbullakët të bërë me vaj duke bërë rrathë. I pjekim 45 minuta në furrë të nxehur në 200 gradë Celsius. Ndërkohë bëjmë shtesën për mantia. Në 2 dcl jogurt shtojmë 3 thelpinj hudhre të grirë imët. Kur të piqen mantiat, i qesim sipër përzierjen e jogurtit dhe hudhrës dhe i shërbejmë. Ju bëftë mirë!

dua.com Team

Related

Gatime tradicionale

Gatime tradicionale duam të gjithë. Kur mendojmë për gatime tradicionale mendja...

10.01.2023