Qysh me përgatit shkoptha me ajvar dhe salsiçe pikante?

  • dua.com Team ·
  • 08.06.2020 ·
  • Receta ·
  • 2 min read
Shkoptha me ajvar dhe salsiçe pikante – Ajvari dhe brumi gjithmonë janë kombinim i goditur. Kjo recetë nga kuzhina e gjyshes është mes-racion ideal për ditët vjeshtore.

Përbërësit për shkoptha me ajvar dhe salsiçe pikante:

  • 10 gramë tharmë;
  • 200 mililitra qumësht;
  • 1 lugë e vogël sheqer;
  • 100 gramë gjalpë;
  • 350-400 gramë miell;
  • 2 lugë ajkë;
  • 100 gramë salsiçe pikante të tymosura;
  • 1 të verdhë të vezës;
  • 3 lugë të plota ajvar;
  • pak fara kungulli, susami dhe luledielli;
  • pak kripë.

Përgatitja:

Shkrini tharmin në pak qumësht. Pastaj shtoni sheqerin, pjesën e mbetur të qumështit, miellin dhe kripën dhe ngjishni brumin gjysmë të fortë ashtu që të jetë plotësisht i lëmuar dhe pa droçka. Kur ta ngjishni brumin, mbulojeni me leckë dhe lëreni të qëndrojë 20 minuta. Pasi të ketë qëndruar brumi, përhapeni në shtresë të hollë dhe lyeni me gjalpë. Paloseni edhe disa herë dhe lëreni të qëndrojë edhe 10 minuta.

Zhvillojeni brumin në trashësi rreth gjysmë centimetri dhe lyeni me ajvar. Pastaj brumin priteni në shirita dhe qitni salsiçet e tymosura të grira dhe farat. Secilin shkopth të prerë paloseni dhe radhiteni në tepsi, duke lënë distancë në mënyrë që të mos ngjiten njëri me tjetrin. Në fund lyeni me të verdhë të vezës. Tepsinë në të cilën do t’i piqni më parë mbështilleni me letër për pjekur. Piqeni në 200 gradë Celsius rreth 25 minuta derisa brumi të marrë ngjyrë të gështenjtë. Shërbejini të ngrohta dhe shoqërojini me gotë vere të bardhë. Recetë shtëpiake për një gatim restorantesh me pesë yje, ia vlen apo jo? Ju befte mire!

dua.com Team

Related

Gatime tradicionale

Gatime tradicionale duam të gjithë. Kur mendojmë për gatime tradicionale mendja...

10.01.2023