Shpella e Pirateve Dhermi

  • dua.com Team ·
  • 13.11.2020 ·
  • ·
  • 3 min read

Shpella e Pirateve dhermi, e cila është bërë e famshme, jo vetëm për historinë e saj, por edhe prej librit me të njëjtin titull i Petro Markos, vlonjatit te shquar. Si dhe prej filmit nga Kinostudioja “Shqipëria e Re” që bazohet në librin me të njëjtin titull të Petros. Kjo shpellë e veçantë përbën një nga vendet më me vlerë, në bregdetin e Himarës.

Si të shkoni në Shpellë?

Për të shkuar në këtë shpellë, mënyra e vetme është deti. Mjaftojnë 10-15 minuta lundrim, me një motobarkë vogël dhe mund të gjendesh aty. Deti i thellë, në ngjyrë të errët dhe bregu me formacione shkëmbore e ujore, paralajmëronë hyrjen në shpellë.

Hyrja e shpellës, e përbërë nga dy zgavra të mëdha është një rikthim i menjëhershëm në historinë e disa shekujve më parë që, natyrshëm, ngjall emocione.

Ajo ka në bazë historinë: piratët e famshëm që e shfrytëzonin këtë hapësirë shkëmbore në një mjedis detar, apo beteja me saraçenët, gjë që na vjen përmes toponimisë së këtij vendi.

Veçantitë e Shpellës së Piratëve

Shpella e Pirateve Dhermi ndodhet pranë gjirit të mrekullueshëm tek Alevrat (Al-Evra), ku gjendet plazhi me të njëjtin emër. Shpella ujore ka një thellës prej 40 metrash, dhe nëpër muret e lagështa vihen re shenja bloze dhe gjurmë zjarresh. Ky objekt natyror, sipas gjeografëve vlonjatë, është shpella më e madhe detare e vendit, me xhepa të shumtë brenda saj.

Për eksploruesit e natyrës, në Gadishullin e Karaburunit, ndodhet Shpella e Haxhi Alisë, detarit të njohur të Mesjetës së Vonë. Ky i fundit kishte ngritur në këtë shpellë portin për flotën e tij. Ndodhet në Karaburun, midis kepave të Gjuhëzës dhe Golovecit.

Legjenda e Shpellës

Sipas legjendës, Shpella dikur është përdorur nga Pirati i njohur i shekullit të XVII-të Haxhi Aliu. Këtu ai strehohej së bashku me anijen dhe njerëzit e tij. Pozicioni i favorshëm i Karaburunit i ofronte këtij pirati mundësinë e plaçkitjes së anijeve napolitane, turke, veneciane, dalmate, etj.

Pasi u vra nga venecianët Haxhi Aliu u varros së bashku me të birin në Sazan. Por varret e tyre nuk janë gjendur asnjëherë. Pleqtë tregojnë se Haxhi Aliu ishte një hero deti, ujk i gjallë, që nuk i trembej as kohës së keqe, as përleshjeve me piratët e shumtë, çfarë kishte në kohën e tij nëpër Mesdhe. Thanasi, një prej burrave më të moshuar të zonës, tregon se legjenda e kishe zmadhuar çdo veprim dhe trimëri të tij.

dua.com Team