Thethi

  • dua.com Team ·
  • 07.05.2021 ·
  • Qysh Me ·
  • 4 min read

Thethi, një fundjavë në fshatin e magjishëm malor, vetëm 70 kilometra nga Shkodra. Jemi në muajin maj, në periudhën më të mirë për të bërë udhëtime në zonat malore si ajo e Thethit.

Thethi vet është si një vend i shkëputur nga mitologjitë e maleve Zviceriane, por vendosur në zemër të Alpeve Shqiptare. Kush ka lexuar Tolken, Thethi do t’i duket si vendi ku jetojnë hobbits.

Ku ndodhet?

Fshati ndodhet më në veri të luginës së Shalës, në mes të Alpeve, në Veri të Shqipërisë ose më saktë 70 kilometra nga qyteti i Shkodrës. I mbrojtur nga tre male Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi 2500m mbi nivelin e detit, shtrihet lugina e lartë e Thethit. Një nga zonat më të veçanta të këtyre Alpeve me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.

Si të shkosh atje?

Për të shkuar në Theth merni masat mirë. Gjëja e parë që duhet të dini kur të shkoni është se: Rruga nuk kalohet me asnjë makinë tjetër përveçse makinë e tipit fuoristradë.

Pra, të jetë e lartë dhe e kontrolluar më parë tek tekniku në kushte optimale. Mos harroni kriko, gomë rezervë dhe të gjitha mjetet teknike. Mund të shkoni dhe me furgon ose kamion, por jo me Benz ose me makina të tjera të ulëta e të vogla.

Nëse doni të kurseni prishjen e automjetit tuaj, parkoni makinën në fshatin Bogë që është para rrugës së prishur të Thethit dhe merrni një taksi që t’ju çojë atje.

Taksia kushton 60 euro vajtjeardhje brenda ditës dhe Gjeloshi, i zoti i fuoristradës, mund t’ju bëj edhe guidë për pikat turistike të natyrës në Theth. Nëse 60 euro ju duken shumë, do ta kuptoni se do t’ju dalë më shumë amortizimi i makinës tuaj kur të ktheheni.

Ku të rrini dhe çfarë të hani?

Në Theth ka vetëm Bujtina, që do të thotë “krevat + mëngjes” me 15 euro personi. Shumica nuk kanë banjo personale në dhomë. Megjithatë, nuk mungojnë as bujtinat me banjë dhe dush në dhomë dhe me krevat dopio.

Zakonisht edhe vet të zotët e bujtinave preferojnë që vizitorët të jeni grupe shoqërore, pasi dhomat kanë 4 ose 5 krevatë. Rrallë herë mund të gjeni dhoma çift. Periudha më e mirë për të shkuar në Theth është tani në pranverë, megjithatë ka edhe bujtina të hapura në dimër edhe pse të rralla.

Sa për të ngrënë, mos kërkoni fruta deti apo lloje të tjera makaronash. Jeni në mes të një fshati alpin dhe aty hahet vetëm mish derri, qengji ose viçi. Porosisni mazë (gatim tradicional me djath, gjalpë e miell misri) ose bukë e bërë vetë, djath, patate furre, byrek, turshi dhe kos.

Alternativat ekstravagante nuk vlejnë në Theth, nëse shkoni për traditë, traditë do të gjeni. Bukë, krip dhe zemër!

Çfarë të vishni?

Thethi nuk është vend për parada mode, ndaj ju sugjeroj të visheni trashë. Me këpucë të ngrohta dimërore, mundesisht kambale, rroba pambuku, një bluzë me krah të shkurtra e një me të gjata, dhe dy tre palë corape.

Cilat vende duhet të vizitoni?

E para një herë, nëse nuk jeni tip sportiv mos u nisni fare për në Theth. Turistët e huaj, që shkojnë atje, shkojnë të përgatitur për të berë edhe ngjitje malore, ndaj do t’ju sugjeroja të shkoni të përgatitur.

Pse? Sepse vendet më të bukura natyrore që duhet të vizitoni janë nga një orë largë me makinë, por nëse e merrni në këmbë është edhe më mirë akoma. Dy vendet që ia vlejnë të vizitohen me patjetër janë fshati tek ujëvara ose Syri i Kaltër.

Sa ditë duhet të qëndroni?

Kjo është plotësisht në dorën tuaj. Edhe pse periudhat më të mira të vizitave në këtë mrekulli alpine, janë periudha e pranverës dhe vjeshtës, mund të shkoni atje kur të dëshironi.

Qëndroni të paktën 3 ditë që të mund të vizitoni sa më shumë vende. Nuk do arrini të ngopeni me bukuritë e Thethit, ndaj qëndroni sa më shumë që mundni.

Bëni një piknik pranë Ujëvarës ose Syrit të Kaltër dhe mos merrni pije me vete. Aty afër, Shukja, një zonjë që ka shtëpinë ngjitur ju shet pije e birra të ftohta. Bashkëshorti i saj ka sistemuar thjesht por rehatshëm disa tavolina, kështu që eksperienca do jetë optimale. Shijojeni eksperiencën dhe Theth dhe mos harroni të bëni sa më shumë foto!

dua.com Team

Related