Epopeja e UÇK-së: Ngjarja historike e popullit shqiptar
- dua.com Team ·
- 16.10.2024 ·
- Uncategorized @sq ·
- 4 min read
Këtë vit, Epopeja e UÇK-së shënoi 25 vjetorin e rënies së familjes heroike Jashari në Prekaz.
Gjatë viteve të 90-ta, forcat serbe kishin rrethuar Prekazin dhe Drenicën. Ky rrethim vinte si shkas se forcat policore dhe ato ushtarake e kishin Prekazin halë në sy pasi aty ndodhej familja Jashari, dhe komandanti i UÇK-së, Adem Jashari. Familja Jashari njihej gjerë për rezistencën e tyre të papushim kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Sulmi i parë që iu bë familjes së Adem Jasharit ishte një ditë para përfundimit të vitit 1991, më 30 dhjetor. Sulmet nga forcat serbe vazhduan në vitin 1998, me 22 janar. Përkundër këtyre sulmeve, familja Jashari vazhdonte rezistencën me vendosshmëri dhe trimëri që reflektonte tek gjithë anëtarët e familjes. Sulmi i Janarit të 1998 la të plagosur dy anëtarë të familjes Jashari, vajzën e Hamëz Jasharit (Selvete Jashari), dhe vajzën e Rifat Jasharit (Iliriana Jashari).
Pas kësaj rezistence, në Mars të po të njejtit vit, nga data 5 deri me 7 Mars, ndodhi edhe sulmi i tretë i cili la të vdekur 55 banorë të Prekazit.
Të vetmit që i mbijetuan sulmit të tretë ishin Bashkim Rifat Jashari dhe Besarta Hamëz Jashari. Përderisa Bashkimi kishte arritur të largohej në kohë nga forcat serbe, Besarta në moshë të vogël ka përjetuar nga afër tmerrin e vrasjeve që iu është bërë familjarëve të saj.
Sot, të dy jetojnë për të treguar historinë e terrorit që kanë përjetuar, dhe njëkohësisht trashëgojnë Kosovën e lirë për të cilën familjarët e tyre humbën jetën.
Vepra heroike e familjes Jashari nuk harrohet asnjeherë, dhe rijetësohet në çdo manifestim të Epopesë së UCK-së ku mbarë Kosova kujton dhe nderon heroizmin e tyre.
Manifestimi vjetor i Epopesë së UÇK-së
Epopeja e UÇK-së është një ndër ngjarjet më kulmore të historisë së popullit shqiptar dhe si e tillë, manifestohet cdo vit si përkujtim i sakrificës sublime të familjes Jashari dhe të të gjithë dëshmorëve të UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Manifestimi gjithë popullor tradicional “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” fillon cdo vit më 5 Mars dhe mbaron më 7 Mars.
Ky manifestim shënohet me një mori aktivitetesh – duke filluar nga aktivitete të organizuara në mënyrë të pavarur në shkolla e deri tek aktivitetet zyrtare të organizuara nga FSK, Kuvendi i Kosovës, dhe Kuvendet Komunale. Manifestimet më të mëdha organizohen në kryeqytet dhe dita e tretë përmbyllet me ‘”Natën e Zjarreve”, që përfshin ndezjen e flakadanëve dhe koncertin në Skenderaj.
Homazhet
Çdo vit, në nderim të familjes Jashari bëhen edhe homazhet tek vorresat në Prekaz. Udheheqës të vendit, figura të rëndësishme politike, atdhetarë si dhe qytetarë nga vende të ndryshme, kryejnë homazhet në Prekaz. Gjatë këtyre homazheve, disa nga përfaqësuesit politik rikujtojnë dhe shprehin nderimet e tyre ndaj familjes Jashari përmes fjalimeve të ndryshme.
Për të vazhduar traditën e përkujtimit të luftës dhe sakrificës së njerëzve qe ranë për lirinë e vendit tonë, dita e tretë e manifestimit – më përkatësisht 7 marsi – hapet gjithmonë me orën e parë mësimore duke iu kushtuar Epopesë së UÇK-së.
Përpos kësaj dhe aktiviteteve të ndryshme, në ditën e fundit të Epopesë mbahet “Nata e Zjarreve” në Prekaz.
“Nata e Zjarreve” në Prekaz
Çdo 7 Mars në mesditë, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz është i mbushur me njerëz pasi që fillon ndezja e flakadanëve. Pas ndezjes së tyre, vazhdon manifestimi i quajtur “Nata e Zjarreve” në Skenderaj. Me këtë aktivitet përmbyllet manifestimi treditor, në sheshin që mban emrin e komandantit Adem Jashari.
Ndonëse beteja e Marsit në Prekaz është një ndër ngjarjet më të dhimbshme për shqiptarët e Kosovës, është njëkohësisht një ndër ngjarjet që përjetësisht ndryshoi të ardhmen e Kosovës, dhe shërben si frymëzim për secilin shqiptar.