Femrat shqipetare që kanë lënë gjurmë në historinë tonë!
- dua.com Team ·
- 01.09.2022 ·
- Komuniteti ·
- 9 min read
Femrat shqipetare rikujtohen rrallë herë në historinë e vendit tonë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk kemi patur femra historike. Sot në rubrikën e kulturës dëshirojmë të rikujtojmë gjurmët që ajo ka lënë në historinë e tonë.
Nga Kleopatra e deri tek Marie Curie, nga Meryl Streep e deri tek Inva Mula. Legjenda të artit dhe të kulturës, shkencës dhe strategjisë luftarake, politikës dhe aerodinamikës, femrat sado në disavantazh kanë treguar se u është dashur të luftojnë 5-fish më shumë se burrat për të lënë pas emrin e tyre në histori.
Edhe pse një vend i vogël, ne kemi nxjerrë nga djepi jonë femra të forta, guximtare, inteligjente dhe mbi të gjitha të pamposhtura pavarësisht rrethanave. Ndaj sot risjellim në kujtesën tonë 5 femrat shqipetare më legjendare të historisë tonë si popull.
Elena Gjika, aktivistja e Rilindjes Europiane
Elena ishte shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune me origjinë shqiptare.
Ajo mbante pseudonimin Dora D’Istria, sepse atëherë ishte e vështirë që të pranohej roli i gruas në letërsi, politikë, drejtësi, diplomaci dhe profesione që ishin pronë e mendjeve mashkullore.
Elena Gjika u quajt në ato kohë Princesha e Kulturës Evropiane. Ajo nuk ishte rasti i parë në kontinent i gruas së emancipuar.
Në Europë, asokohë kishte mjaft femra të kulturuara, por shumë pak arritën të ngjallnin respektin e botës mashkullore dhe Dora ishte njëra prej tyre.
Lejla Rasih Dino: Fisnikja nga Çamëria
Lejla Rasih Dino, një diplomate e sprovuar, në emër të grave shqiptare iu drejtua autoriteteve botërore për çështjen e trojeve shqiptare të mbetura jashtë kufijve të vitit 1913.
Ishte femra e parë shqiptare që i foli me kurajo në kohën e duhur, Kryetarit të Konferencës së Paqes në Paris, për çështjen shqiptare.
Ajo iu drejtua personalitetit më në zë të politikës botërore, Woodrow Wilson dhe fitoi simpatinë e ti dhe të bashkëshortes. Luftoi për mbrojtjen e çështjes shqiptare në përgjithësi e të Kosovës e Çamërisë në veçanti.
Lejla Dino krijoi në Gjenevë të Zvicrës “Komunitetin e Gruas Shqiptare” në vitin 1919 dhe theksoi se SHBA ishte miku më i madh i Shqipërisë. Dhe realisht fjalët e saj qëndrojnë të vërteta edhe sot e kësaj dite.
Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi
Motrat Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi duhet të nderohen, sidomos sepse hapën shkollën e parë shqipe të vashave në vitin 1892.
Edhe pse nën presionin e rreptë të kishës greke për të penguar përhapjen e gjuhës shqipe, ato nuk u dorëzuan. Ndalimi i zhvillimit të arsimit, që forconte kombin shqiptar, ishte një teknikë e vjetër e asimiluesëve të popullit shqiptar. Femra të tilla si Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi ishin mëmat e gjuhës shqipe të asaj kohe, dhe ashtu si mbrohet një fëmijë ashtu mbrojtën edhe ato gjuhën shqipe.
Janica Martinaj, Zhan d’Ark shqiptare
Gazeta New York Times, më 25 maj të vitit 1911 dhe Gazeta franceze ‘Le Petit Journal’, më 28 maj të vitit 1911 shkruanin: “Beteja e Vraninës – një Zhan d’Ark shqiptare.”
Në betejën e Vraninës, Malësia mbi Shkodër, u shqua një vajzë e re dhe e bukur, Janica Martinaj. Ajo zuri vendin e babait të saj të vrarë dhe udhëhoqi Martinajt në fitoren kundër turqve. Beteja la mbresa të mëdha në mediat e huaja europian, por edhe la shenjë në historinë e popullit tonë.
Vajza u pasqyrua në mediat e huaja si “Zhan d’Ark shqiptare”. Vetëm 22 vjeçe ajo nxiti interesin e shumë mediave ndërkombëtare. Asokohe madje, New York Times shkruan për të dhe publikon artikullin në lidhje me rracën shqiptare, duke e cilësuar si një nga rracat më të bukura të Europës.
Shote Galica: Heroina e popullit
Atë njohim të gjithë, sepse jehona e saj nuk është shuar as sot e kësaj dite. Lindi në Drenicë, Vilajeti i Kosovës, në vitin 1895. Një luftëtare e shquar e çetave kryengritëse kosovare për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha viseve shqiptare.
Në korrik 1924 pas vdekjes së të shoqit Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij. Nga masakrat e shovenistëve serbë, ajo humbi 22 anëtarë të familjes. Në vitin 1927, ajo u vendos në Shqipëri, në Fushë Krujë, ku po atë vit u nda nga jeta. Nderohet edhe sot e kësaj dite me titullin e lartë “Heroinë e popullit”.
Përmes këtyre femrave duam të rikujtojmë rrugëtimin e gruas shqiptare për emancipim. Secilës nga femrat shqipetare të historisë sonë u jemi falenderuese për shembullin dhe kontributin e tyre!
Femrat e guximshme intelektuale të historisë shqiptare
Thuhet se historinë e kanë bëre burrat, por e vërteta është se femrat kanë patur po aq peshë! Këtu do të shkruajmë se cilat kanë qëne femrat më me influence në historinë shqiptare.
Shkëputur nga rubrika në nder të gruas shqiptare me rastin e 8 marsit, ditës ndërkombëtare të femrës.
Sabiha Kasimati, shkencëtarja e parë shqiptare
Sabiha Kasimati, shkencëtarja e parë shqiptare për gjallesat e ujërave. E lindur nga prindër shqiptare në Edirne më vitin 1912 dhe e rritur në Korcë kur prindërit iu kthyen në Shqipëri. Shoqia e klasës së Enver Hoxhës, i cili më vonë me sistemin e tij të diktaturës do ta zhdukte atë nga faqia e dheut.
Shkencëtarja e parë shqiptare e cila guxoi të përplaset me Enevrin. Fjalia e saj: “Ti po vret të gjithë intelektualët! Me çfarë ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë me këpucarët dhe teneqexhinjtë?!”, ka jehuar ndër vite mes intelektualësh.
Sabinën e pushkatoi diktatura në mënyrën më të tmerrshme të mundshme me akuzën se kishte bashkëpunuar për hedhjen e një bombe në ambasadën sovjetike. Pas vrasjes, studimin e saj, dorëshkrim gati për botim, ia dhanë autorsinë një rusi dhe dy shqiptarëve.
Tefta Tashko Koço, Sopranoja
Lindur në Egjipt në vitin 1910 dhe jetoi e vdiq në Tiranë. Sopranoja, që me talentin dhe zërin e saj debutoi në skenat e Parisit dhe La Skalës (Milano), e kërkuar të ushtronte artin e saj brilant në SHBA. Ajo zgjodhi vendin e saj.
Ajo ngriti në art lirik këngën popullore, folklorin e pasur shqiptar, duke e shndërruar atë në art modern e të përjetshëm. Tefta Tashko vdiq papritur në moshën 37 vjecare, por jeta e saj jehon edhe sot e kësaj dite në artin shqiptar dhe jo vetëm.
Musine Kokalari, shkrimtarja trime
Musineja lindi më 10 shkurt të vitit 1917 në Adana, familja e saj patriote u kthye në Shqipëri dhe aty fillon rrugëtimi i jetës së saj. Gjatë luftës së II Botërore kjo grua trime, Musine Kokalari, intelektuale dhe me vizion të gjerë për demokracinë në Shqipëri, pasi ishte arsimuar në Universitetin e Romës iu përkushtua krijimtarisë.
Ajo luftoi me penë duke lënë mbi 5000 faqe dorëshkrim. Ishte gruaja që nuk ndërroi ideologjinë e saj kurrë edhe pse e kaloi gjithë jetën në burg dhe internim.
Ajo nuk donte të përfshihej kurrë me politikën, por shkrimet e saj revolucionare firmosën edhe dënimin e saj. Vdiq e vetmuar duke punuar si pastruese në moshën 66 vjece.
Nermin Vlora Falaski, gjuhëtarja më e njohur shqiptare
U lind në Tiranë më 18 prill 1921 dhe vdiq në vitin 2004. Studiuesja dhe gjuhëtarja më e njohur shqipëtare, që ka mbrojtur me dije e kulturë origjinën dhe lashtësinë e gjuhës shqipe. Ajo ka vërtetuar se përmes gjuhës shqipe deshifrohen shumë gjuhë të vdekura.
Teza e Nermine Vlorës thekson se shqipja rrjedh nga pellazgishtja. Është një dokument i rëndësishëm për historinë e gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve si pasardhës direkt të iliro-pellazgëve.
Një femër që fliste shumë gjuhë dhe një prej tyre edhe gjuhën etruske.
Laura Nexhat Mersini -një “Mari Kyri”e sotme e fizikës
Lindur më 1969-ën në Tiranë dhe jeton në SHBA. Shkencëtare e re shqiptare, pretendente për çmimin Nobel. Dr. Laura Mersini-Houghton është edhe Profesore në Universitetin e Karolinës së Veriut, në Chapel Hill. Ndër femrat e pakta shkencëtare të vendit tonë.
Kjo grua, një gjeni njihet me pseudonimin ‘Mari Kyri’ e sotme e fizikës së kozmosit. Me kurajo ka demonstruar zbulimin e saj shkencor më 24-29 gusht të vitit 2015, në Suedi. Në këtë konferencë intelektualësh ishin të pranishëm 32 shkencëtarëve nga e gjithë bota.
Deklarata e saj tronditëse hodhi poshtë Teorinë e Big Bang-ut dhe e ekzistencës së ‘vrimës së zezë’. Sipas saj ky fenomen është i pamundur, për shkak të energjisë së jashtëzakonshme që i duhet një shpërthimi të tillë. Sipas tezës së saj shkencore ajo mbështet fortë ekzistencës së gjithësisë multiverse.
Këto nuk janë femrat e vetme për të cilat do të flasim. Ky artikull është pjesë e serisë së artikujve që janë realizuar për nder të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Përmes tyre duam të rikujtojmë rrugëtimin e gruas shqiptare për emancipim. Secilës prej tyre u jemi falenderuese për shembullin e tyre!