Zyshë Piti
- dua.com Team ·
- 01.07.2021 ·
- ·
- 5 min read
Zyshë Piti – Zysha historike e baletit shqiptare. Në javën e gruas para se të mbërrijë festa e shumëpritur e 8 Marsit, kemi zgjedhur t’ju sjellim figura femrash që kanë lënë gjurmë në artin shqiptar dhe jo vetëm. Sot kemi zgjedhur ta nisim me “Zyshë Piti” – Zysha historike e baletit shqiptare.
Nuk ka balerin shqiptar që nuk e njeh atë. Sa e dashur, aq edhe e rreptë, mësuesja e sa e sa breza artistësh me karrierë jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën.
Zyshë Piti Nermin Ahmeti
Nermin Ahmeti apo Zyshë Piti hyri në rrugën e baletit shumë vite më parë. Baleti për shumë shqiptarë atëhere, ishte ende tabu. “Nëna ime, e emancipuar për kohën, thoshte gjithnjë që vajzat do t’i bëj artiste ose sportiste dhe në të vërtetë ashtu u bëmë. Nga 6 motra, dy u bëmë artiste e dy sportiste”, tregon ajo. Në vitin 1957, një brez i tërë të shkolluarish erdhën nga Rusia. Artsitë si Agron Aliaj, Petrit Vorpsi, Zoica, Ganimeti etj., dhe hapën Shkollën e parë të Baletit në Shqipëri.
Ajo së bashku me një grup shoqesh 10-vjeçare, u paraqitën atje, përmbushën kriteret dhe u pranuan. “Shkolla e baletit aso kohe zgjaste 6 vjet, por mua më morën në punë një vit përpara se të mbaroja shkollën.” – rrëfen Zysh Piti.
Karriera e Zyshë Piti
Pasi punoi disa vjet në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku edhe realizoi shumë role solistike, filloi punë si mësuese në Shkollën e Baletit. Saktësisht, në vitin 1969, mësuesja e parë teknike dhe efektive. Nëse futesh tek shtëpia e saj, dhoma e saj e pritjes është e mbushur plot. Me kupa, medalje dhe me albume fotosh të udhëtimeve të saj artistike në Shqipëri e në të gjithë botën. Zyshë Piti doli në pension në po atë shkollë.
Mgjithatë, nuk është shkëputur asnjëherë nga profesioni i saj. Mjafton ta shohësh për të kuptuar se sa e rreptë ka qenë, ama ish-nxënësit i janë mirënjohës për disiplinën që ajo u ka mësuar. “Punohej me shumë pasion, si nga mësuesit, ashtu edhe nga nxënësit. Kemi nxjerrë artistë të talentuar, që kanë bërë karrierë edhe jashtë vendit. Të gjithë janë punësuar në profesionin e tyre. Madje, edhe mësueset e sotëm të Shkollës së Baletit janë ish-nxënëset e mia”, thotë ajo me mall dhe krenari.
Baleti sot
Kohët kanë ndryshuar dhe ajo ka disa vërejtje për baletin. “Atëherë pranoheshin vetëm 20 nxënës.10 vajza e 10 djem, sepse salla e baletit aq kapacitet kishte. Ky kapacitet mundësonte punë cilësore nga mësuesit. Ishte e pamundur të kishe 11, na kërkonin llogari. Pranoheshin vetëm më të talentuarit, ndërsa sot pranohen dyfish. Ç’mund të bëjë mësuesi?!” Për këdo që mendon se baleti është punë qejfi, ja se si shprehet zysha.
Të gjitha profesionet janë të vështira, çdo zhanër artistik është i vështirë, por baleti është edhe më shumë, kërkon shumë punë individuale. Përpara çdo shfaqjeje kërkohet një orë ngrohje muskujsh, sepse mund të ndodhin aksidente. Sa i bukur duket, aq edhe i lodhshëm është. Pedagogu ynë, Agron Aliaj, na thoshte gjithnjë: Nëse e lini një ditë baletin, do të ktheheni 3 ditë mbrapa. Duhet punë e parreshtur. Këtë ua këshilloj nxënësve të mi, por gjithęka varet nga pasioni dhe dëshira”, thotë Zysha.
E vërteta e artit të disiplinës
Për Zyshë Pitin, e vërteta vjen mbi gjithçka. Në asnjë moment nuk ka dashur të zhgënjejë pritshmëritë e nxënësve dhe prindërve. Sipas saj e ardhmja e fëmijëve nuk është biznes. “Gjithnjë ua them: Nëse nuk keni dëshirë, mos humbisni kohë kot, zgjidhni një profesion tjetër! Më kujtohet një episod i tillë.
Dikur i thashë një vajze, që nuk kishte të ardhme në balet. “Lëre, shko e bëhu doktoreshë, kur të plaket zysha do më shërosh. Vite më vonë, kur shkova në Pediatri për nipin tim, vjen një vajzë e më hidhet në qafë. Nuk e njoha. Më tha: Zysha, jam ajo vajza që më the të bëhesha doktoreshë. Faleminderit shumë, kishe të drejtë.
Vlerësimi për figura të tilla artistike
Ka punuar kaq shumë vite e ka marrë po aq shumë vlerësime e dekorata. Shkolla e Baletit nuk mund të kuptohet pa imazhin dhe emrin e saj. Nëse mendoni se ajo po shijon në qetësi pensionin e saj, e keni gabim, edhe sot vazhdon të punojë.
Nxënës të Shkollës së Baletit shkojnë tek ajo për ťu perfeksionuar, ndërsa fëmijë të vegjël per të marrë mësimet e para. U mëson tango, samba, rumba, saga… Ka edhe nga ata që duan të mësojnë të kërcejnë vallet popullore. Zyshë Piti u gjendet pranë të gjithëve… Merr biçikletën me kosh dhe niset drejt palestrës ku ca flutura të vogla e presin për të marrë mësimet e para të baletit.