Sala Ahmetaj
- dua.com Team ·
- 03.03.2021 ·
- Biografi ·
- 4 min read
Sala Ahmetaj është një nga profesoreshat e para që ka dal fillimisht si asistente para studentëve në Universitetin e Prishtinës.
Sala Ahmetaj, mësimdhënësja e Fakultetit Filologjik, e kishte të vështirë rrugën e shkollimit që e nisi në vitin 1957. Atëherë, babai e regjistroi në klasën e parë në shkollën fillore në Runik të Skenderajt. Shkolla ishte rreth dy orë larg nga Radisheva, fshati i saj. I duhej të ecte në një teren shumë të vështirë.
Vitin e kaluar, kur Universiteti i Prishtinës shënoi 50-vjetorin e themelimit, Ahmetaj ndau me kolegët dhe studentët historinë e saj. Ajo e përshkruan veten si mësuese dhe idealiste. Mësuese, e cila besonte që me arsimim dhe me aktivitetet kulturore do të sfidonte prapambetjen dhe të promovonte vlera që do të zgjonin ndjenjën kombëtare. Dhe bëri pikërisht këtë gjë gjatë gjithë karrierës së saj.
Afërdita e fshatit Radishevë
Suksesin e arritur pas arsimimit profesoresha Sala Ahmetaj ja atribuon të atit, që e përkrahu dhe e shkolloi.
“Babai shpesh me shoqëronte deri afër shkollës, gjatë dimrave të ftohtë ose ditëve me shi. Këmbët dhe rrobat më bëheshin qull dhe mësuesi shpesh më ulte afër koftorrit që të ngohesha.
Mbrëmjeve lexoja me dritën e llampës së vajgurit e vjerrë me një gozhdë në mur. Në biblotekën e Runikut merrja libra dhe i lexoja me pasion dhe kështu fillova ta shihja botën tjetër që dallonte shumë nga e imja. Nisa të kuptoja se për ta jetuar botën tjetër duhej të kisha qëllim dhe guxim që ta sfidoja analfabetizmin që kishte pllakosur vendlindjen time dhe më gjerë”, kujton profesoresha.
Që herët, Sala Ahmetaj kishte vendosur se donte të bëhej mësuese. Ajo donte të ishte sikur Afërdita e romanit të famshëm ‘Afërdita përsëri në fshat’ nga Sterjo Spasse. “Kur e përfundova klasën e tetë doja të bëhesha mësuese, që vendlindjes t’i kthehesha si një Afërditë. Për herë të parë shkova në Mitrovicë me babain tim, dhe bëmë gjashtë orë rrugë në këmbë. Rrugë të cilën e kam bërë dhjetëra herë sa kam qenë normaliste”, tregon ajo.
Në vitin 1968 u mbajt Konsulta Gjuhësore e Prishtinës dhe po bëhej njesimi i gjuhës shqipe. Atëherë, profesoresha Sala Ahmetaj kuptoi se një periudhë e re po fillonte për Kosovën..
Pjesë e UP-së që nga viti 1978
Ishte 1 tetori i vitit 1978, kur Sala Ahmetaj u angazhua në Universitetin e Prishtinës, që sot mban emrin “Hasan Prishtina”. Edhe pas rreth gjysmë shekulli, ajo vazhdon t’i shërbejë këtij Universiteti. Për Sala Ahmetajn idealizmi ishte çelsi i suksesit. Ky është edhe mesazhi i saj për gjeneratat e reja.
“Të rejave ju them punoni me idealizëm dhe me dashuri sepse idealistët i duhen çdo epoke, mdaje edhe të sotmes sepse ata punojnë për të mirën e përgjithshme pa pritur shpërblim. Ata dhurojnë dashuri pa kushte sepse për ta shkenca dhe arti bëhen për të mirën e njerëzimit. Shkencëtari idealist është sikur Dielli, ai ngroh dhe bën dritë për të tjerët”, thotë ajo.
Me gjithë këtë përvojë që ka, Ahmeti konstaton se karriera akademike në Fakultet ka dy shtylla të rëndësishme. E para. sipas saj ,është mësimdhënja dhe puna me studentë dhe tjetra është puna hulumtuese dhe shkencore.
Ky është artikulli i takon serie të artikujve që janë realizuar për nder të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Përmes tyre duam të rikujtojmë se si ishte rruga e gruas shqiptare për emancipim. Secilës, që ka dhënë kontribut në këtë drejtim, i shprehim falenderimin tonë!