Google, PayPal & Apple: Kundër Qeverisë së tyre në Kosovë?

  • dua.com Team ·
  • 13.07.2023 ·
  • Lifestyle ·
  • 10 min read

Përderisa 17 Shkurti i vitit 2008 ishte vetëm një ditë e zakonshme pune për mijëra punëtorë në korporatat e mëdha amerikane, për 2.13 milionë njerëz në një vend të largët të quajtur Kosovë u bë një nga ditët më të rëndësishme.

Pas një periudhe të gjatë të okupimit serb, Kosova u shpall shtet i pavarur.

Ky akt i shpalljes së pavarësisë ishte rezultat i një procesi të gjatë politik dhe diplomatik, por mbi të gjitha i sakrificave të mëdha të popullit kosovar. Për të arritur këtë moment historik, mijëra jetë u humbën në konflikte dhe luftë, si dhe vendi ka pësuar shkatërrim ekonomik dhe asimilim kulturor ndër vite. 

Pas shpalljes së pavarësisë, mbi 100 shtete e pranuan Kosovën si një shtet sovran e të pavarur.

Shtete si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe shumë të tjera, ishin ndër shtetet e para që i dhanë njohjen e tyre Kosovës.

Mirëpo, edhe pse kanë kaluar më shumë se 15 vite nga njohja e pavarësisë, Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë pa qasje të plotë në platforma globale.

Mosregjistrimi i Kosovës si shtet në shumë platforma globale shkakton kufizime të ndryshme për një qytetar të Kosovës, si pamundësia e qasjes, vështirësitë në pagesa, etj.

Kompanitë që e kanë njohur deri më tani sovranitetin e Kosovës në mënyrë digjitale janë Facebooku, Oracle, Dropbox, Payoneer. Mirëpo, duke marrë parasysh numrin e madh të kompanive në botë, Kosova ende mbetet një vend i izoluar në aspektin digjital.

Përdoruesit aktivë të internetit në Kosovë

Ky izolim ka pasur një ndikim negativ në identitetin digjital, duke krijuar pengesa në shume aspekte për qytetarët e vendit.

Sipas studimit të fundit të bërë nga DataReportal, mbi 96% të qytetarëve kosovar përdorin internetin, duke e bërë kështu Kosoven vendin me përqindjen më të lartë të përdorimit të internetit.

Megjithatë, këta qytetarë përjetojnë kufizime nga më të ndryshmet në botën digjitale çdo ditë.

Prandaj, në rastin e Kosovës, thënia e njohur e biznesmenit amerikan Mark Cuban se gjithçka që i nevojitet dikujt për të arritur suksesin është një laptop dhe internet, është më e komplikuar se aq.

Fatkeqësisht, korporatat e mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si Google, PayPal, Apple, Amazon dhe Etsy, janë disa nga faktorët e këtij izolimi digjital; pavarësisht se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë ndër shtetet e para që e kanë pranuar shtetin e Kosovës.

Megjithatë, edhe në vitin 2023, qytetarët e Kosovës ende përballen me sfidat e njëjta. Kjo për faktin se Kosova nuk njihet si shtet në këto platforma. 

Si pasojë, qytetarët duhet të regjistrojnë veten si shtetas të një shteti tjetër apo të përdorin metoda të tjera – si ndërrimi i lokacionit përmes VPN – për të përdorur produktet dhe shërbimet e këtyre kompanive. Këto metoda nuk jane as në favor të qytetarëve të Kosovës, dhe as të kompanive në fjalë. 

Por, njëra ndër to, kompania Google nuk lë zgjidhje tjetër në këto raste. 

Google: Google Ads, Play Store dhe YouTube

Pavarësisht se në disa nga produktet e saj – si Google Analytics – shteti i Kosovës figuron në listë, në shumë produkte tjera të saj nuk ekziston.

Meqë Google është motori i kërkimit më i përdorur në botë aktualisht, kjo ka nxitur debate dhe shqetësime tek qytetarët e Kosovës, të cilët ndjehen të diskriminuar dhe të përjashtuar nga shërbimet që ofrohen nga kjo kompani.

Elton Heta, një nga qytetarët që përjeton sfida të ngjashme në fushën e tij profesionale si Developer, ka nisur një peticion së fundi që synon të sigurojë njohjen e gjuhës shqipe në platformat e Google Ads dhe AdSense. 

Heta, ndër të tjerash, ka theksuar në peticion se:

“Mungesa e gjuhës shqipe në këto platforma pamundëson që shqiptarët të jenë të barabartë me botën për t’u zhvilluar në Biznes, Marketing, Programim, etj., pasi këto dy platforma ndikojnë kudo.”

Ky peticion tashmë ka mbledhur mijëra nënshkrime dhe vazhdon të jetë i hapur për më shumë mbështetje.

Vlen të theksohet se këto dy platforma nuk janë të vetmet produkte në të cilat Google nuk e njeh Kosovën. 

Përveç këtyre, duket se të qenit përdorues i Android-it në Kosovë të sjellë më shumë vështirësi sesa të mira.

Këta përdorues nuk kanë mundësi të bëjnë pagesa në Play Store, pasi Google nuk e ka të regjistruar Kosovën si shtet në këtë produkt të tyre.Kjo ka shkaktuar humbje të mëdha, jo vetëm në aspektin e kënaqësisë së klientëve, por edhe në anën financiare për ndërrmarrësit që ofrojnë aplikacionet e tyre në Play Store.

Fjolla Pelaj, Përgjegjëse për Përkujdesjen e Klientëve në platformën e njohjes online dua.com, ka thënë:

“Ndër pyetjet më të shpeshta që marrim nga përdoruesit Android kosovarë të platformës është çështja e pamundësisë për të bërë pagesat në Play Store për aplikacionin.”

Pelaj shtoi se përpos dëmeve financiare që përjeton kompania në këso raste, kjo gjithashtu ndikon negativisht në eksperiencën e përdoruesit, i cili ndihet i diskriminuar.

Fatkeqësisht, kufizimet digjitale nga ana e Google për qytetarët e Kosovës nuk ndalen këtu. 

Platforma e saj, Youtube, është një tjetër produkt i Google që nuk e ka të regjistruar shtetin e Kosovës në listën e shteteve.

Kur hap një kanal në Youtube, procesi i verifikimit kërkon shtetin se ku ndodheni dhe një numër telefoni.

Si pasojë e mospërfshirjes së Kosovës në listë, influencerët dhe kompani të mëdha kosovare detyrohen të regjistrojnë lokacionin e kanalit të tyre në emër të një shteti tjetër. Për shembull, AVD Digital – kompania e njohur muzikore me afro 1 milion abonues në Youtube – e ka të regjistruar lokacionin e kanalit të tyre nën shtetin e Gjermanisë. 

Për të gjitha këto, kompania dua.com nuk ka marrë një përgjigje zyrtare nga Google. 

Duke i marrë parasysh të gjitha më sipër, krijimi i një peticioni për njohjen e Kosovës si shtet në të gjitha produktet e Google, duket se ishte më se i nevojshëm. 

Nismëtari i këtij peticioni, Eduard Luta, ka thënë se:

“Zhvillimi i një biznesi në Kosovë vjen me sfida unike. Përvoja ime në zhvillimin e bizneseve edhe në Zvicër, e ka vënë në pah se me sa probleme bazike ballafaqohen kompanitë ne Kosovë.”

PayPal

Qëndrimet e njëjta për shtetin e Kosovës i mban edhe PayPal, një ndër platformat më të mëdha në botë për pagesa.

Shumica e kompanive në botë kryejnë pagesat në distancë përmes platformës PayPal, por Kosova nuk është përfshirë në këtë sistem. Kjo situatë sjell pengesa për shumë të rinj kosovarë që punojnë si freelancers me kompani ndërkombëtare.

Nertila Ahmeti, freelancerja me status eksperti në Upwork, thotë se është detyruar të përdor numër telefoni të një shteti tjetër në mënyrë që të regjistrohet në PayPal. 

“Mosantarësimi i Kosovës si shtet në këtë platformë krijon shumë probleme tek kosovarët pasi që jo të gjithë kanë mundësi të përdorin një numër të një shteti tjetër dhe si pasojë nuk mund të kenë fare qasje në Paypal.” theksoi Ahmeti. 

As për këtë, kompania dua.com nuk ka marrë pergjigje as nga PayPal.

Por pjesa teknologjike dhe financiare nuk jane të vetmet vështirësi që po përballet shteti i Kosovës, edhe pas 15 viteve pavarësi.

Apple

Përveç sfidave teknologjike dhe financiare, Kosova përballet edhe me sfidën territoriale në aspektin digjital.

Deri në vitin 2020, territori i Kosovës ishte i vendosur si pjesë e Serbisë nga Apple Maps.

Në një letër drejtuar shefit ekzekutiv të kompanisë Apple në vitin 2020, Meliza Haradinaj – Ish-ministrja e Punëve të Jashtme për Kosovën – ka thënë se kjo paraqet një “kontradiktë të drejtpërdrejtë me realitetin politik dhe ligjor”. 

Kjo ndodhi pas peticionit të krijuar nga studentja Megi Cara për të vendosur Kosovën në hartë, i cili mori një hov të jashtëzakonshëm duke marrë gati 200 mijë nënshkrime nga shqiptarët – përfshirë këtu Dua Lipa, Rita Ora e shumë figura tjera të njohura shqiptare.                                                                             

Pas kësaj, kompania Apple reagoi duke ndryshuar kufijtë e Kosovës, mirëpo me vija të nderprera. 
Sipas Apple, në rastet kur pavarsia e një shteti është e kontekstueshme, kufijtë vendosen me vija të ndërprera.

Duke komentuar mbi çështjen, Cara thotë se:

“Fatkeqësisht, kompanitë private multimiliardere zgjedhin qëndrime politikisht-korrekte kur flitet për tema kaq të ndjeshme si ato që kanë të bëjnë me çështje gjeopolitike. Ka ardhur koha që kjo të ndryshojë dhe të gjithë të njohin pavarësinë e Kosovës, si një fakt absolut e të pakundërshtueshëm.”

Përfundim

Është e ditur që me raste politika largon shtetet mes vete, mirëpo teknologjia supozohet të sjell bashkim.

Fatkeqësisht, në rastin e Kosovës, është e kundërta me shtetin e Amerikës.

Gjersa për shumë njerëz në botë, qasja në produktet dhe shërbimet e kompanive gjigante si Google, Paypal, dhe Apple është e lehtë, e shpejtë dhe pa kosto, për qytetarët e Kosovës çështja nuk është aq e thjeshtë.

Meqë këto sfida e prekin jetën e secilit qytetar të Kosoves në shumë sfera, pyetja e drejtuar këtyre korporatave do ishte:

Kur do të trajtohen në mënyrë të barabartë edhe qytetarët e Kosovës në platformat e juaja?

dua.com Team

Related