Vlora

  • dua.com Team ·
  • 27.11.2020 ·
  • ·
  • 3 min read

Vlora, perla natyrore e ndërtuar si qytet, ndodhet në jugperendim të Shqipërisë, përgjatë bregdetit të ulët të Adriatikut dhe atij të Jonit.

Duke qenë qyteti në të cilin u shpall pavarësia e Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, ajo zë vend të pa krahasueshm në historinë e popullit tonë. Në anën tjetër, pikërisht në Vlorë, shumë vite para shpalljes së Pavarësisë, e bëri dasmën kryetrimi shqiptar, Gjergj Kastroti-Skëndërbeu. Thuhet se Gjergji dhe Donika u martuan tek Kalaja e Kaninës. Kjo kala ndodhet në pjesën J-L të qytetit të Vlorës në një kodër të lartë 380 m.  Kur të shkoni në Vlorë mund të ngjiteni edhe deri atje, e të ndieni gjurmët e historisë. Mirëpo krahas kalaje, ne ju rekomandojmë edhe disa lokacione të tjera, që duhet t’i vizitoni patjetër.

Kurora e Ullinjve

Ato ndodhen në hyrje të Vlorës në kodrat e Bestrovës, përgjatë rrugës së vjetër automobilistike. Janë në Vlorë dhjetra ullinj shekullorë, të cilët të japin një kënaqësi mbresëlënëse të kësaj mrekullie njerëzore. Midis tyre gjejmë edhe llojet e tipit kalinjot dhe vlonjatët janë të përmendur për frutat dhe vajin.

Vlora: Sheshi i Flamurit

Ky shesh përbëhet nga disa objekte kulturore. Në qëndër ndodhet Monumenti i Pavarsisë, simbol i qëndresës kombëtare. I ndërtuar në vitin 1972 ai është 17 m i lartë dhe konsiderohet si një nga kryeveprat e skulpturës monumentale. Midis gjashtë figurave të bronzta spikat ajo e Ismail Qemalit, arkitektit të Pavarësisë Kombëtare. Në të majtë të monumentit ndodhet shtiza e flamurit. Një piedestal në formë kolone me faqe të dekoruara nga data e pavarësisë dhe shqiponja kombëtare.

Pas shtizës së flamurit, disa metra brenda lulishtes ndodhet varri i Ismail Qemalit. Varri është ndërtuar në vitin 1932, kur eshtrat e tij u zhvendosën këtu nga Kanina. Sipër tij qëndron skulptura e Luftëtarit Kombëtar, vepër e skulptorit Odise Paskali. Në këndin perëndimor të Sheshit të Flamurit në vitin 1988 arkeologët nxorën në dritë një pjesë të murit të kështjellës romake të qytetis të Aulonës. Nga gërmimi doli një trakt i gjatë muri prej 40 m, i cili mund të shihet nga vizitorët edhe sot.

Xhamia e Muradies

Nndodhet në qendër të qytetit, në fillim të zonës së vjetër historike të qytetit. Është ndërtuar në vitin 1537 nga arkitekt Sinani, i cili shoqëronte në Vlorë sulltan Sulejman Madhështorin. E ndërtuar me një teknikë të përzier ku gurët e bardhë të ndërtesës janë kombinuar me tulla të kuqe dhe llaç. Xhamia është e paisur me kupolë të mbuluar me tjegulla të kuqe e cila bën kontrast me minaren të ndërtuar krejtësisht me gurë të bardhë. Mbetet një nga monumentet unike fetare që ka Vlora.

Të tjera objekte me vlera për tu vizituar në qytet janë edhe rruga historie Justin Gotard, ku kaluan delegatët e kuvendit të pavarësisë; shtëpia e familjes Vlora, e cila sundoipër 400 vjet qytetin, rruga e Hebrenjve, Kulla e Sahatit, Bashkia, e ndërtuar në stilin neoklasik, Teatri ‘Petro Marko’, etj.

dua.com Team