Film Shqiptar 2023 – Filma qe duhet t’i shihni me patjeter
- dua.com Team ·
- 09.08.2022 ·
- ·
- 8 min read
Film Shqiptar 2023 – Nëse mendonit se nuk ka filma romantik shqiptar, e keni gabim. Kinematografila shqiptare është e mbushur me perla të tilla, ndaj po ju sjellim këtë radhë 5 filma romantik shqiptar që ndoshta nuk i keni parë.
Edhe ashtu edhe kështu
Teoriku Apostol Sako shkruan artikuj dhe jep leksione mbi dashurinë e lirë të rinisë në një kohë kur një konflikt i madh ndodh në familjen tij. E bija, Alma është studente e inxhinierisë.
Ajo dashuron një këngëtar, ndërsa i ati do ta martojë me një diplomat. Konflikti zgjidhet përmes situatave komike duke e bërë këtë një nga filmat më simpatikë të kinematografisë shqiptare.
Jo vetëm që situata janë qesharake por edhe tepër të lezetshme, duke na ngrohur zemrën.
Flutura në kabinën time
Tom Melgushi, i mbetur jetim dhe i rritur nga xhaxhai dhe e shoqja, punon shofer në fshat. Toma perceptohet si njeri rebel dhe i sertë nga shoqëria. Ai ka një lidhje të afërt me Ketin, e cila kërkon që ata ta zyrtarizojnë këtë lidhje, mirëpo, Toma nuk është gati.
Njëkohësisht, Toma zhvillon nje afeksion të veçantë për Fluturen, mësuesen e biologjisë që ka ardhur nga qyteti. Këtu lindin edhe konfliktet dhe marrëdhënia e ndërlikuar mes tij dhe Fluturës. Kjo e fundit e pëlqen, por paragjykimet që ka ndaj tij e pengojnë të besojë në ndjenjat e saj.
Në çdo stinë
Zana dhe Bardhyli janë dy studentë që dashurohen. Përmes amplitudave shpirtërore të dashurisë së tyre filmi zbulon ëndrrat, dëshirat dhe preferencat e tyre.
Karakteret kanë pak a shumë të njëjtën moshë por edhe ndryshime midis njëri-tjetrit. Filmi jep portretin e studentit të ri dhe jetës apo dyshimeve që e shoqërojnë një të ri.
Çifti i lumtur
Një komedi për jetën e viteve ‘70. Dy të rinj që vijnë nga besime të ndryshme fetare vendosin të martohen me njëri-tjetrin dhe ua bëjnë të ditur dashurinë prindërve të tyre.
Në takimin midis dy baballarëve i ati i djalit, një konservator i rrethuar nga gruaja dhe halla, të cilat i krijonë një histori, duke përfshirë situata komike. Pasi nuk e fsheh dot se nuk e do vajzën që vjen nga “një fe tjetër”, ai nxjerrë justifikime që kjo lidhje të bëhet e pamundur.
E gjitha kjo zgjidhet përmes situatave komike dhe çifti përfundon së bashku.
Treni niset në 7 pa pesë
Elteva, punonjëse në bankën e shtetit fillon të vërej dëmet që ka sjellë në ekonomi puna e një stabilimeti të rrethit, drejtor i të cilit është Martini. Ky i fundit po ndjek një zgjidhje ekonomike të gabuar.
Ajo gjendet në udhëkryq për arsye se drejtori i bankës është edhe shok i ngushtë me Martinin. Duke mos mjaftuar vetëm kjo, doktori i saj mendon se ajo është shtatëzënë. I dashuri i Etlevës, i cili është një trainer skuadre e braktis sepse nuk ndihet gati.
Mes konfliktit të jetës së saj personale dhe karrierës, Etleva mundohet të gjej balancën. Këto ishin disa nga filmat romantik shqiptar që përfshijnë komedi, të qeshura, dramë, por edhe romancë dhe dashuri të ngrohtë rinore.
Nëse ju pëlqejnë do t’ju sjellim të tjerë filma të ngjashëm që ia vlen t’i shihni të paktën një herë.
Filma shqiptar që kanë shënjuar kulturën dhe gjuhën tonë
Nëse Anglia ka Shekspirin për të cituar sa herë në bisedat e tyre të përditshme, ne kemi filmat tanë bardhë e zi. Në rregull, e di se disa filma shqiptar nuk janë të të njëjtës mjeshtëri artistike me veprat e Shekspirit, megjithatë për ne kanë të njëjtën vlerë.
Në rubrikën tonë të radhës do të flasim pikërisht për batuta nga filma shqiptar që citohen më së shumti në bisedat tona të përditshme. Edhe pse, me thënë të drejtën, nuk do të na shterohen kurrë skenat dhe batutat e përdorura.
Dy herë mat – Një nga ata filma shqiptar që nuk harrohen
Zgjodha ta nis me këtë film, edhe pse ka shumë të tjerë, sepse e lidh me fëmijërinë time. “Dy here mat” është një film komik shumë i pëlqyer. I drejtuar nga Bujar Kapexhiu që kesaj rradhe luan protagonistin e filmit.
Filmi është i mbushur plot me situata komike te papritura.
Megjithatë, ne nuk do zgjatemi tek përmbajtja e filmit, ju ftojmë ta shikoni nëse nuk e keni parë. Ajo për të cilin do flasim janë batutat më të njohura të përdorura në të folurën e përditshme nga ne, marrë nga ky film.
‘Edhe akullore edhe çokollate.’
Kjo është një batutë e pavdekshme, saqë edhe sot përdoret rëndom në bisedat e përditshme.
Batutën së pari e thotë aktorja Manjola Begolli që luan Rudinën.
Mirëpo është Fadil Kujovska (1951-2014), aktori që luan Cukun e famshëm, është ai që i jep efektin humoristik që mban kjo mbatutë.
Më kujtohet kur isha një vajzë e vogël dhe po blija akullore. Mirëpo doja të blija edhe një pako bsikota dhe po i bëja teka mamit. “E dua edhe këtë, edhe këtë.”
Në atë moment shitësi mu drejtua: “Oh dashka edhe akullore edhe çokollatë.”
Tensioni i situatës sikletosëse për mamin tim u zbut menjëherë dhe plasën të qeshurat. Sigurisht, unë nuk kuptova gjë.
Shumë më vonë kur pash filmin e kuptova nga erdhi kjo shprehje kaq e goditur. Kujtimi shoqërohet përherë me buzëqeshje.
‘Shahisti nuk vjen.’
Nuk numërohen rastet sa herë na ka ndodhur të presim miq në sofrën tonë. Cuku humoristik nuk zhgënjen as këtë radhë.
Në shumë raste, edhe pse tavolina e shtruar, pa mbërritjen e mikut nuk fillonim kurrë për të ngrënë.
Prandaj, sa herë na ndodhte diçka e tillë, dilte ndonjë fëmijë karagjoz andej nga fundi dhe bërtiste “Shahisti nuk vjen.”
Sigurisht të qeshurat e lehtësonin situatën e tensionuar, sidomos kur të gjithë ishin të uritur duke i ngulur sytë tavolinës së tejmbushur.
Pas kësaj batute kërrcisnin lugët e pirunjtë dhe dollitë me miqtë e pranishëm.
‘Kush jemi ne? Familja e shokut Kopi’
Gjatë viteve 2000 ka qënë modë të të merrnin me numër privat.
Në atë kohë shpërtheu përdorimi i celularëve dhe u përhapën masivisht për herë të parë edhe kompanitë celulare. Imagjinojeni pak se sa shpesh është përdorur kjo batutë.
Duke u shoqëruar medoemos me atë zërin e trashë të aktorit Fadil Kujovska, Cuku i famshën i këtij filmi legjendar.
Sa herë që pyesnim kush jeni, përgjigja ishte gjithmonë: “Kush jemi ne? Familja e shokut Kopi”
Kur kombinon dyshen Fadil Kujovska dhe Aleko Prodani nuk mund të mos kesh një skenë të paharrueshme humori.
Dhe nuk është për tu çuditur që batutat e përmendura nga këta të dy, na kanë ngelur të ngulitura në memorie, si më të cituarat ndër filmat më të njohur shqiptar.
‘Cuk, po ti do me vdesësh mua.’ – Shumë fraza të paharruar nga filma shqiptar
Nuk mund ta mbyllnin ndryshe këtë artikull pa përfshirë këtë batutë që nuk do arrijmë kurrë ta nderojmë mjaftueshëm.
Kjo është skena që ndjek batutën e mësipërme të Cukut të famshëm. Ndërkohë që shoku Kopi vrapon në shtëpi i frikësuar në palcë se mos gruaja po e tradhëton, i shton efektin e pavdekshëm komik.
Shprehia e fytyrës së aktorit Aleko Prodanit (1942-2006), ose ndryshe i njohur si shoku Kopi është skalitur përgjithmonë në kujtesën tonë.
Jo vetëm që përdoret rëndom si batutë sa herë që dikush na e sjell shpirtin në majë të hundës, por mundësisht ta shoqërojmë edhe me atë shembjen karakteristike në karrike duke dihatur të rraskapitur.
Më kujtohen situata pa fund kur mblidheshim familjarisht. E përdornim me njëri-tjetrin këtë batutë, sidomos kur nuk arrinim të kuptonim njëri-tjetrin.
Fëmijëria, vitet e adoleshencës, në ambjentet e zyrës e shumë të tjera, vazhdojnë të dëgjohen sa herë këto batuta nga filma shqiptar. Batuta të cilat i ruajmë me përzemërsi në memorien tonë.
Kultura jonë është e përbërë nga copëza të tilla dhe referenca nga fimat që mendojmë se nuk do të shuhen ndonjëherë. Kjo është pikërisht ajo çka i bën filmat kaq të bukur dhe kaq të lidhur fortë me kulturën tonë gjuhësore.