Frika eshte armiku juaj i vertete
- dua.com Team ·
- 09.03.2021 ·
- Personale ·
- 5 min read
Frika eshte armiku juaj i vertete. Diçka të mban dhe detyrimisht vazhdon e punon në një vend që e urren kaq shumë.
Nuk të njoh, por ama diçka e di të sigurt për ty: “Ke qasje në internet dhe kohë të mjaftueshme për të shpenzuar disa orë duke lexuar në të.” Frika të pengon dhe kjo është diçka që nuk do shumë mend. Megjithatë, kjo më tregon mua dy gjëra me rëndësi për ty:
E para, je pjesë e gjysmës fatlume të njerëzimit, sepse gjysma tjetër e popullsisë së botës ende nuk ka akses në internet.
E dyta, meqë je këtu, ka të ngjarë që po lufton një luftë moderne. Me siguri ke ushqim, një çati mbi kokën tënde por pengesat për një jetë më të mirë nuk janë të gjitha konkrete.
Kjo do të thotë se po përpiqesh të mposhtësh armiq abstrakt: dembelizmin, mërzitjen, dyshimin në vetvete dhe zvarritjen e punëve të tua. Ama para se të vazhdosh leximin dua të të them se:
“Nuk je dembel, i mërzitur apo i pamotivuar. Atëhere çfarë ka që nuk shkon? E thjeshtë, ashtu si gjithë të tjerët edhe ti ke frikë. “
Këshilla më e mirë për të kapërcyer frikën është slogani i kompanisë Nike. Kjo thënie, shndërruar në parrullën më të suksesshme të marketingut të të gjitha kohërave është: “Thjesht bëje! Just do it!”
Nuk je i pamotivuar
“Nuk jam i motivuar,” nuk është kurrë një deklaratë e vërtetë. Për çfarë nuk jeni i motivuar? Për punën? Nëse është ky rasti, atëhere përse nuk jep dorëheqien?
Veprimet e tua drejtohen nga një lloj shtyse, qofshin këto paratë, lumturia, paqja, apo thjesht kënaqësia e ndërgjegjies tuaj. Motivi i vërtetë mund të mos jetë gjithmonë i qartë, por ama është aty.
Nëse urren çdo sekondë të ditës në punë, nuk të mungon motivi për të ndryshuar vendin e punës tënde.
Mirëpo, diçka të mban dhe detyrimisht vazhdon e punon në një vend që e urren kaq shumë. Ndryshimi i punës është një ndërmarrje shumë e vështirë. Kërkon shumë përpjekje dhe të frikëson mbi të gjitha refuzimi. Kështu që as që e merr mundimin ta lësh punën që urren. Pra, nuk të ndal mungesa e motivimit, por frika.
Nuk je i mërzitur
Besoj se të ka rastisur të shohësh njerëz që janë magjepsës në plot kuptimin e fjalës. Mirëpo, pavarësisht kësaj përdorin rrjetet sociale deri në varësi të plotë. Nëse do t’i pyesje përse i përdorin kaq shumë, do t’ju thonë gënjeshtrën më të zakonshme në botë: “Jam i mërzitur”.
Nga ta dish që është një gënjeshtër? Sepse askush nuk ka më arsye për tu mërzitur. Shumica prej nesh as nuk zgjedhin të provojnë një qasje tjetër.
Jemi 100% të kohës lidhur me internetin. Thjesht pretendojmë sikur jemi të mërzitur, që të mbushim ditët tona me shpërqendrime të pakuptimta. Të gjithë e dimë se çfarë na frikëson në të vërtetë: Kriza Ekzistenciale. Kalon nëpër derën e mërzisë dhe kjo është ajo që do të gjesh. Shkencëtari dhe matematikani i madh Blaise Pascal dikur tha: “Të gjitha problemet e njerëzimit burojnë nga paaftësia e njeriut për t’u ulur e qëndruar vetëm në një dhomë.
“Ti nuk je i mërzitur. Thjesht, ke frikë të qëndrosh vetëm me veten tënde.”
Nuk je dembel
Përtacia është rrengu i të gjithë atyre personave që përpiqen të përfitojnë nga pretendimi yt se je i “mërzitur”.
“Nuk je i mërzitur, por je i mërzitshëm!” Kjo është ajo çfarë mundohen të të fusin në tru. Të duhet një hobi, një telefon i ri, ose një program palestre 250$ me një plan të personalizuar vaktesh e të tjera si këto. Kjo nuk ka kuptim. Përtacia ashtu si mërzia, nuk ekziston. Frika është ajo që të pengon.
Siç edhe e ka shpjeguar profesori i psikologjisë Devon Price: “Askush nuk dëshiron të ndihet i paaftë, apatik dhe joefektiv. Nëse shikon veprimin e një personi (ose mosveprimin) dhe sheh vetëm përtaci, atëhere të mungojnë detajet kryesore.”
Edhe një herë, nuk është mungesa e motivimit, apo mungesa e dëshirës për veprim, ajo që pengon rrugën tënde drejt suksesit dhe lumturisë.
Janë kufijtë e padukshëm në kokën tuaj ato që nuk të lejojnë të ecësh para. Ka ardhur momenti ta kuptosh këtë gjë dhe të veprosh. Ka ardhur momenti ta mposhtësh armikun e vërtetë, frikën.
