Miqesia – Pse kemi nevoje per miq?

  • dua.com Team ·
  • 10.08.2021 ·
  • Qysh Me ·
  • 19 min read

Miqesia, Pse kemi nevojë për miq? Në jetën tonë kemi nevojë për njerëz. Të gjithë e dim se jemi qënie sociale dhe se nuk mund të ekzistojmë pa njerëz të tjerë.

Por çfarë na duhet më shumë sesa njerëz? Me tepër sesa për njerëz që na rrethojnë ne kemi nevojë për MIQ.

Nuk po themi se keni nevojë për qindra miq të rinj, ose që duhet të njihni sa më shumë grupe miqësore. Ajo që duam t’ju theksojmë është fakti se miqtë janë një domosdoshmëri në jetën e njeriut. Populli thotë:

“Më mirë një mik se një çiflig.”

– Populli

Miqtë, anëtarët e familjes dhe partneri luajnë një rol të rëndesishëm në lumturinë tonë dhe na ndihmojnë të kuptojmë më mirë veten. Kur e mendon në këtë mënyrë duket sikur mikut tënd po i ngarkon një përgjegjësi të madhe.

Megjithatë, ashtu siç miku ju ndihmon juve edhe ju duhet të bëni të anasjelltën. Asnjëherë mos harroni: “Miqësia është një rrugë e dyanshme.”

Përfitimet e miqësisë

Kohët e fundit gjendemi në një epokë që është çuditërisht e vetmuar. Edhe pse komunikimi nuk ka qënë kurrë më i shpejtë dhe efikas se tani, vetmia është në rritje. Hulumtime të ndryshme tregojnë se të kesh miq të ngushtë mund të zvogëlojë stresin dhe të promovojë shëndet të mirë dhe jetëgjatësi.

Aristoteli shkroi: “Në varfëri dhe në fatkeqësi të tjera të jetës, miqtë e vërtetë janë një strehë e sigurt. Miqt e mirë, të rinjtë i mbajnë larg prej keqbërjes; për të moshuarit, ata janë një ngushëllim dhe ndihmë për dobësinë e tyre.

Janë miqt ata që nxisin veprime fisnike tek ne.”
Me pak fjalë studiuesit dhe filozofët sugjerojnë që miqtë na bëjnë të ndjehemi më mirë dhe na ndihmojnë të jemi versioni ynë më i mirë.

Krijimi i lidhjeve të reja

Nëse po kërkoni të shtoni miq të rinj ose lidhje të re në jetën tuaj, kjo është fantastike! Por, të bësh miq të rinj nuk është e lehtë për të gjithë. Disa njerëz duan të flasin me të tjerët dhe të gjejnë njohje të reja gjatë rrugës.

Të tjerë (si unë) janë të shqetësuar nga shoqëria dhe e kanë të vështirë të takojnë dhe të vazhdojnë një bisedë me njerëz të rinj.

Nuk ka asnjë mënyrë të garantuar për të bërë miq të rinj, por gjithçka mund të nisë me një përshëndetje.

Bashkohuni me një klub libri, kërkoni që të takoni disa nga miqtë e miqve tuaj, vendosni një orë të lumtur dedikuar miqësise në punë.

Ndonjëherë një miqësi zhvillohet natyrshëm, por ndonjëherë do të duhet të punosh për të. Kështu që, buzëqeshni, jini fleksibël dhe mbi të gjitha jini vetvetja.

Përkushtohuni

Fatkeqsisht, jo të gjithë do t’ju pëlqejnë. Nuk ka problem! Në fund të fundit nuk keni nevojë që t’ju pëlqejnë të gjithë. Gjatë jetës tuaj, do të gjeni dhe tërhiqni njerëz me personalitete dhe sens humori të ngjashëm.

Pasi të arrini këtë lidhje shoqërore, duhet të punoni shumë për të ruajtur këto vlera në marrëdhënien që keni krijuar. Kjo do të thotë gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm. A ndani shaka me njëri-tjetrin gjatë ditës?

A ju pëlqen të dërgoni shënime të shkruara me dorë? A keni kohë të dërgoni një sms të shpejtë çdo disa ditë vetëm për të parë se si po shkon gjithçka?

Mundohuni të krijoni plane me miqt tuaj. Përfshijini ata në jetën tuaj, ose merrni disa orë pushim për tu shkëputur nga jeta juaj për të ndihmuar mikun tuaj. Të njohësh dikë të cilin më vonë e kategorizon si mik do të thotë që duhet të kujdesesh për të dhe e anasjellta.

Miqësitë janë jetësore për suksesin dhe lumturinë tonë. Ushqejini miqësitë dhe lidhjet që janë të rëndësishme për ju. Do të shihni përfitime të jashtëzakonshme – ashtu si miqtë tuaj do të përfitojnë prej pranisë tuaj në jetën e tyre!

Pse duhet të mbash pranë një mik të tillë?

Një mik i vërtetë është më i rrallë se një gurë i çmuar. Gjej dhe mbaj fortë një mik, i cili gjithmonë të mbështet edhe nëse ndonjëherë e ke lënduar gabimisht. Dikush që ka durimin të vazhdojë të të tregojë gjeste të vullnetit të mirë, edhe nëse je i zemëruar me të.

Pse një mik që nuk krijon mure ndarëse është i paçmueshëm? A është e lehtë të gjesh një mik që nuk ndalet së kujdesuri për ty dhe të jep një dorë kur ke nevojë? Jo gjithmonë, megjithatë ja cilat vlera duhet të kërkosh tek një mik i mirë.

Një mik që nuk të injoron apo hesht

Nëse gjeni një mik i cili nuk kujdeset vetëm për ty, por kujdeset edhe për familjen tënde, atëhere mos e lëshoni. Dikush që nuk ndihet i pasigurt ose xheloz për njerëzit me të cilët ti ndan dashurinë tënde, siç mund të jetë partneri yt, familja apo miq të tjerë.

Një mik i cili të respekton ty dhe zgjedhjet e tua, përfshirë këtu partnerin tënd. Ai mik që nuk garon me ty, përkundrazi bashkëpunon me njerëzit e tu të dashur për të të bërë më të lumtur.

Një mik që nuk i ngelet hatri për gjëra të vogla

Dikush që është mjaft i pjekur për t’i dhënë përparësi gjërave më të rëndësishme. Ai person që nuk akomodon egon dhe krenarinë tënde, por të thotë gjithnjë të vërtetën është miku më i mirë. Sot është e vështirë të gjesh miq që pranojnë gabimet e tyre dhe të drejtohen me guxim për të të kërkuar falje në vend që të të fajësojë.

Por, në të njëjtën kohë edhe të fal kur i kërkoni falje. Nuk mban mëri ose shënon gabimet që bëni ndaj njëri-tjetrin dhe nuk të gjykon, përkundrazi të kupton. Dikush që të pranon për atë që je. Ai mik që i kupton të metat e tua dhe ndihmon t’i tejkalosh ato, në mënyrë që të rritesh e të bëhesh një person më i mirë.

Gjej dhe mbaj afër një mik entuziast për të të njohur më mirë

Dikush që kënaqet duke dëgjuar tregimet e tua dhe që është i interesuar të dëgjojë edhe ty. Ai lloj personi që nuk është egoist dhe që nuk i duket sikur bota vjen rrotull tij. Në fakt një person i tillë rallë se e gjen, ndaj mbaje fort nëse ke një mik të tillë. Dikush që nuk beson lehtë se çfarë thonë të tjerët për ty sepse ajo ose ai të njeh mirë.

Një mik të cilit mund t’i tregosh dhe besosh sekretet e tua dhe që është besnik ndaj teje është një në një milon. Nuk ka të bëj vetëm me sekretet që i tregon, por edhe me ato të fshehta që ky mik ndan me ty. Përulësia është virtyt që shumë pak e kanë, dhe nëse keni një mik të tillë atëhere mbajeni fort.

Mos harroni se gjithçka është reciproke

Nuk duhet vetëm të presësh ndihmë nga miku yt, por duhet edhe ta ndihmosh. E vërteta dhëmb gjithmonë, ndaj ai mik që ta thotë të vërtetën në sy vlen sa ari. Gjej dhe mbaj afër një person i cili nuk të braktis në ditët më të vështira. Kjo na ka ndodhur të gjithëve. Jemi braktisur apo tradhëtuar nga dikush, naj është normale që të ndihesh i plagosur.

Mirëpo, një mik që feston kur ti ia del me sukses dhe mëzitet kur ti mërzitesh, është i rrallë. Vërtet i rrallë! Një person që nuk është vetëm simpatik dhe empatik, por edhe i dhembshur. Miku që nuk ndjen vetëm dhimbjen dhe vuajtjen tënde, por gjithashtu bën diçka për t’i lehtësuar atë.

Durimi, respekti, përulësia, besimi, mirësia, ndershmëria, dhembshuria dhe mirëkuptimi, janë virtyte që duhet t’i ndani me njëri-tjetrin. Mos harro: “Miku është familja që ne zgjedhim.”

7 tipat e miqve që duhet t’i keni pranë në jetën tuaj

Cilët janë tipat e miqve që duhet të keni pranë në jetën tuaj? A e dini se njerëzit pa miq kanë më shumë të ngjarë të vdesin më herët? Eshtë e vërtetë. Nëse nuk besoni, atëhere pyesni shkencën.

Mirëpo, për të jetuar një jetë të lumtur dhe të shëndetshme, nuk ju duhen pranë miq dosido. Ajo që ju duhet është një rreth i larmishëm karakteresh për të gjallëruar jetën tuaj. Ne po ju rendisim shkurtimisht 7 tipet e miqve që duhet të keni me patjetër në rrethin tuaj.

Miku i ngushtë dhe besnik

Miqtë e ngushtë, ndonjëherë, janë e vetmja gjë që ju duhen në një moment të vështirë të jetës tuaj. Miku i ngushtë është i vetmi që të mbështet pa asnjë paragjykim.

Quheni veten me fat nëse keni një, me të cilin mund të jeni vetvetja. Ama, dijeni se ky person do t’ju thojë gjithashtu të vërtetën, edhe kur nuk do doni ta dëgjoni.

Një aventurier i patrembur

Rutina na mbërthen dhe ndodh që të harrojmë të jetojmë. Këtu vjen miku aventurier, i cili është i gatshëm të niset me ty në cilindo udhëtim të çmendur që të rrok mendja. Nuk duhet shumë filozofi me të, vetëm bëj gati pasaportën dhe nisu!

Një mik i mençur

Mençuria është e lindur, ndaj nëse nuk e ke do të të duhet pranë një mik i tillë. Këta persona do dinë t’ju udhëzojnë e t’ju japin këshillat e duhura. Plus, të qenit rreth një personi të tillë do të dëshironi të përmirësoheni çdo ditë. Idhulli yt mund të jetë edhe një mik, nuk ka përse të jetë vetëm një këngëtar apo aktor.

Miku nga një kulturë tjetër

Kjo mund të jetë një nga gjërat më të bukura që mund t’ju ndodhë. Kur njhni një kulturë tjetër përmes syve të dikujt, bota juaj zgjerohet. Të qenit në një miqësi ndër-kulturore ju lejon të eksploroni zakonet, vlerat dhe traditat jashtë kulturës suaj. Ndonjëherë, madje, mund të përshtatni mënyrat e tyre në jetën tuaj.

Kundërshtari juaj një mik i besuar

Në vend që ta rrethoni veten vazhdimisht me njerëz të ngjashëm me ju, përpiquni të dilni nga zona juaj e rehatisë.

Nëse miqësoheni me njerëz që kanë pikëpamje të kundërta me ju, aq më mirë. Pse? Sepse në këtë mënyrë nuk do jeni të shkëputur nga bota.

Ata do t’ju hapin sytë drejt pikëpamjeve të tjera të botës dhe do të mësoni se jo të gjithë njerëzit e shohin botën si ju.

Fqinji miqësor

Në ditët e sotme, shumë njerëz nuk i njohin fqinjët e tyre. Kjo është për të ardhur keq, sepse fqinjët janë të afërmit tuaj në rast nevoje.

Nëse jeni me pushime dhe papritmas kujtoheni se keni harruar të mbyllni derën e përparme, mund të telefononi fqinjin tuaj të besueshëm dhe t’i kërkoni ta mbyllin ata për ju.

Me pak fjalë, fqinji mund t’ju ndihmojë atëhere kur askush tjetër nuk mundet.

Kolegu i punës – miku i domosdoshëm

A e dini se në një punë me kohë të plotë, kaloni të paktën 50% të ditës tuaj aty? Jo vetëm kaq, por një pjesë e mirë e rrugës për në punë e kaloni vetëm, edhe ajo është gjithashtu kohë e humbur.

Statistikat tregojnë se sa më i izoluar të jeni në punë, aq më të stresuar ndiheni. Kjo është arsyeja pse ka rëndësi që të krijoni një marëdhënie të mirë me kolegët tuaj të punës.

Nuk ka pse të bëhet miku yt i ngushtë, mjafton që të dy të keni mundësi të kaloni pak kohë me njeri-tjetrin e pse jo edhe të ankoheni për punën. Këto ishin 7 tipat e miqve që duhet t’i keni me patjetër në jetën tuaj.

Por, pse të ndaleni me kaq, mund të keni edhe më shumë, kjo është në dorën tuaj.

6 arsye pse duhet të martohesh me mikun tënd më të mirë

Ai di gjithçka për ty, e megjithatë, ende nuk keni shkëmbyer asnjë puthje. Nëse ende s’je e bindur se ai është i duhuri, ne do t’ju japim 6 arsye pse duhet të martohesh me mikun tënd më të mirë.

Me mikun tënd më të mirë ke dalë për të bërë pazar dhe ke folur me orë të tëra për çdo gjë që të ka shqetësuar. Ka qënë aty kur keni ngelur në mes të rrugës sepse ju ka mbaruar nafta.

Të ka kritikuar por edhe të ka mbajtur krahun tënd kur jeni gjendur në telashe. Nuk është inatosur kiurrë më ty, por gjithnjë ka qënë i emocionuar për një aventurë të re me ty çdo ditë.

Me mikun tënd më të mirë gjithmonë ke diçka për të thënë

Edhe kur keni qënë larg, shoqëria ka vazhduar të jetë e fortë. Këni folur vonë natën dhe jeni zënë me njëri-tjetrin për budalliqe, por ditën tjetër keni folur sërisht. Në mëngjes mesazhin e parë ia ke dërguar atij dhe, shpesh, e ke ngushëlluar pas një zhgënjimi që ai ka pësuar në një lidhje.

Fshehtas je pikëlluar për të, por edhe je lehtësuar në vetvete.

Nëse ke filluar të ndjehesh në këtë mënyrë ka ardhur momenti t’i bësh vetes disa pyetje. Pra, duhet të hapësh sytë, dhe ktheje miqësinë që ke në historinë më të rëndësishme të dashurisë në jetën tënde.

Je vetvetja

Të martohesh me shokun tënd më të mirë do të thotë të mos kesh siklet të tregosh veten pa grim. E ke bërë një mijë herë në mënyrë të pavetëdijshme, pa e ditur se ai nesër mund të bëhet partneri yt i ardhshëm.

Me të, gjithmonë, ke qenë e lirë të jesh vetvetja. Me të mirat dhe difektet e tua. Në asnjë moment nuk ke përmbajtur veten, keni bërë shaka nga më të çuditshmet dhe keni qeshur me atë shaka për javë të tëra.

Nuk do të grindeni kurrë për gjëra të kota

Në fund të fundit e njihni njëri-tjetrin prej kohësh. Keni të njëjtët miq, shkoni në të njëjtat vende, pini kafen së bashku në të njëjtin vend. E vërteta është se shpallja e dashurisë që keni për njëri-tjetrin do të jenë një surprizë vetëm për ju. Pjesa tjetër e botës e ka ditur tashmë.

Martesa me mikun tuaj më të mirë do të jetë një bekim

Jeni rritur me këtë person dhe tashmë e njeh edhe më mirë se veten. Zgjidhni kishën, vendin e pritjes, favoret, ftesat e dasmës, kë doni të ftoni.  Nuk do lodheni shumë sepse i keni diskutuar këto detaje prej vitesh, kur keni biseduar për dasmën tuaj të ëndrrave. Ka për t’ju propozuar në mënyrën më të vençantë sepse ai e di se si e keni ëndërruar atë moment.

Ai do t’ju dëgjojë gjithmonë

Sa netë e pasdite keni kaluar duke folur për gjithçka që keni pasur në mend. Edhe në orën 2 të mëngjesit jeni mbështetur tek ai. Të pëlqen shumë të bisedosh me të, apo jo?  Keni qeshur e keni qarë së bashku, por mbi të gjitha keni qënë aty edhe gjatë zhgënjimeve më të mëdha.

Ai di gjithçka për ty siç edhe ju dini gjithçka për të

Ai di sa sheqer hidhni në kafenë tuaj, çfarë hani dhe nuk hani, cili film ju pëlqen, se si visheni kur doni të bini në sy, si ecni, çfarë këpucësh ju pëlqejnë etj. Njeh ëndrrat dhe ambieciet e tua dhe se si fiksoheni pas një filmi, aktoreje apo këngëtari.

E njëjta gjë vlen edhe për ty. Ti e njeh atë aq mirë saqë e ndjen pjesë të familjes, ose më saktë ndjehesh me të sikur je në shtëpinë tënde. Këto janë vetëm disa nga arsyet pse duhet të martohesh me mikun tënd më të mirë.

Askush nuk të njeh më mirë se ai. Mbani mend që dashuria është një tren që kalon shpejt, nëse nuk ke guximin të shprehësh ndjenjat e tua në stacionin e duhur, ai tren do të largohet dhe do t’ju duhet ta shoqëroni për të zgjedhur unazat e dasmës me një vajzë tjetër!

Nëse, nga ana tjetër, treni ndalet në stacionin e duhur, atëherë përgatituni të festoni dhe mbi të gjitha ka ardhur koha të organizoni muajin tuaj të mjaltit.

Si t’i jepni fund një miqësie?

Si t’i jepni fund një miqësie? Pavarësisht nëse largoheni në heshtje prej një miku toksik, kuptoni se nuk keni asgjë të përbashkët, ose përballeni me një konflikt, prishjet e marëdhënieve miqësore janë të vështira.

Më e vështira nga të gjitha është biseda e ndarjes. Shumë prej nesh i japin fund një miqësie dhe asnjëherë nuk ka qënë diçka e bukur, sidomos kur keni menduar se e keni patur mik për kokë.

Cila është zgjidhja më e mirë në një rast të tillë? Ka disa pyetje që ne do t’i japim një përgjigje për ju.

Kur ta kuptoni se një shoqëri ka mbaruar?

Kur filloni të mendoni për justifikime të ndryshme për të mos dalë me ta. Dijeni se kjo është shenjë e keqe.

“Ndjenjat tuaja të brendshme do t’ju tregojnë më shumë nga cmendoni, ndaj ne ju këshillojmë t’i vini veshin këtyre sinjaleve.” Si ndihesh kur kalon kohë me ta? A ndjehesh i tepërt? Nuk je vetvetja? Nuk arrin dot të shprehësh ndjenjat e tua të vërteta?

Zakonisht këto ndjesi nuk janë fortë gabim. Rruga e vetme është ta shkëpusni miqësinë me atë person.

Cila është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund një miqësie?

Këshillat e vetme është ta bëni këtë shkëputje me dhembshuri, respekt dhe ndershmëri, pa marrë parasysh sa të tmerrshme janë arsyet tuaja. Filloni duke folur – sinqerisht – gjithçka që vlerësoni tek miku juaj deri më tani.

Minimizoni përdorimin e fjalëve negative, pasi ato nxisin konfliktin e një miqësie në përfundim. Jepu përgjigje pyetjeve të tyre “Pse?”, në mënyrë që ata të ecin përpara dhe të marrin një mësime nga kjo marrëdhënie.

Çfarë të bëj nëse miku im nuk e merr mirë këtë ndarje?

Pranoni me sinqeritet këndvështrimin e tyre. Keni dy mundësi: “Të pajtoheni ose jo.” Nëse lëkundeni për t’i dhënë një shans tjetër, atëherë vendosni kufijtë e duhur. Që do të thotë se duhet t’ia thoni ato cfarë ju shqetësojnë, dhe nëse e duan vërtetë miqësinë tuaj do të kthehen.

Dua t’i jap fund miqësisë me dikë?

Studimet tregojnë se emocionet janë ngjitëse në atë masë saqë lumturia e secilit person mund të prekë të tjerët rreth nesh. Që do të thotë se lumturia e një personi është e lidhur me lumturinë e miqve që kani përreth.

Pra, ndonjëherë, për të mos u shkëputur nga grupi, ndahuni në mënyrë miqësore. Krijoni një kompromis miqësor me shpresën se gjithçka do të shkoj mirë. Gjëja kryesore për të pranuar:

“Vetëm sepse nuk doni të jeni miq nuk do të thotë se duhet të jeni armiq.”

dua.com Team

Related