Shkolla e pare shqipe

  • dua.com Team ·
  • 18.12.2020 ·
  • Lifestyle ·
  • 8 min read

Shkolla e pare shqipe hapur në Korçë apo diku tjetër? 7 marsi është dita e hapjes së Mësonjtores së parë shqipe në Korçën e vitit 1887.

Megjithatë, ajo që shumica prej nesh nuk di është se shkollat shqipe kanë ekzistuar shumë më para se Mësonjëtorja e Korçës.

Ndue Dedaj, publicist dhe studiues i njohur i historigrafisë shqiptare është shprehur vazhdimisht se në Shqipëri ka patur disa shkolla, para asaj të Korçës. Më saktë janë shkolla që janë hapur 255 vjet më herët se shkolla e Korçës, që njihet zyrtarisht si i para. Më poshtë do t’ju rendisim referencat dhe studimet e sakta historigrafike për shkollat shqipe.

Nuk kemi një shkollë të parë shqipe, por disa shkolla të tilla dhe kjo është lumni për një komb.

Këtu nuk bëhet fjalë për një garë se ku është hapur shkolla e pare shqipe. Në thelb nuk ka të bëjë me emrin Korçë apo Shkodër, Kurbin apo Velë, Stubëll apo Dhërmi, por me një koncept historik, Rilindja Shqiptare që fillon në shekullin XV dhe kulmon në shekullin XIX.

Shkollat e para shqipe i kemi në shekujt XVI – XVII, të paktën duke filluar që nga vitet 1584 -1661.

Shkolla e Kurbinit

Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (1985) shkruhet:
“Shkolla e Kurbinit. Një nga shkollat e para shqipe, e themeluar me 1632 në afërsi të Krujës, që i përkiste vilajetit të Shkodrës. Përveç leximit e shkrimit, aty jepej dhe mësimi i gramatikës. Përdoreshin si tekste mësimore në gjuhën shqipe veprat e Frang Bardhit, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit e të ndonjë tjetri. Pushtuesit osmanë penguan veprimtarinë e saj derisa e mbyllën”. (Shefik Osmani – Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, fq.1021.)

Mësonjëtorja e Velës

Shkolla e Velës u hap nga ipeshkvi i Lezhës. “Nxënësve u mësohej gjuha shqipe në këtë shkollë.” (Historia e Letërsisë Shqiptare, Tiranë 1983, f.14.). Dom Prend Suli shkruante se për shumë vjet, Ipeshkvia e Lezhës ka pasur në Velë një Gjakoni (shkollë fetare), ku priftërinjtë u mësonin shkrim e këndim të rinjve.

Më pas, djemtë kryenin mësimet pranë Ipeshkvit, i cili zgjidhte meshtarët dhe shpesh dërgoheshin për studime edhe jashtë vendit.

Shkolla e Oroshit

Vizitori Apostolik Shtjefën Gaspri, gjatë vizitës së tij në Orosh në vitin 1671, ndër të tjera përmend dhe shkollën me nxënës që mbahej nga prifti Dom Nikollë Vladani. Prifti ishte i afërti i ipeshkvit të Lezhës. Nuk ka të dhëna konkrete se kur ishte çelur ajo shkollë apo sa nxënës kishte.

Sidoqoftë, rëndësi ka fakti se në mesin e shekullit XVII Oroshi kishte një shkollë të veten me nxënës ku shkruhej dhe lexohej gjuha shqipe.

Në një tjetër dokument përmendet se, më herët, më 1657 në Mirditë ka patur një seminar me 12 nxënës që përgatiteshin të vazhdonin studimet e larta në kolegjet italiane. Kjo ka qënë një praktikë e njohur e kohës. Vendodhja e këtij seminari nuk përmendet, por të gjithë gjasat tregojnë se bëhet fjalë për shkollën e sipërthënë të Oroshit. Asokohe, shpesh Oroshi identifikonte Mirditën e stome, ngaqë aty ishte kryekisha abaciale dhe selia princërore e Gjomarkajve.

Mësonjëtorja e Stubllës së Karadakut

Një kapitull më vete përbën shkolla e pare shqipe në Kosovë, e cila i përket shekullit XVI. Me pak fjalë afro gjysmëshekulli para shkollës së Kurbinit dhe asaj të Velës. Shkolla shqipe e Stubllës ka një traditë pesëshekullore. Persekutimi i arsimit shqip nga autoritetet osmane ishte një sistem i ngritur posatshërisht nga turqit. Mirëpo, në Stubëll, fshat i Malësisë së Karadakut, më 1584 fillon tradita e arsimit shqip.

Ky ka qënë i pari dhe i vetmi rast atëherë në Kosovë, kur flitet se kishte funksionuar shkolla e parë. (Isak Ahmeti, Stubëll, 11 maj 2004.) Kjo shkollë, siç shkruan edhe studiuesi i njohur Dhimitë S. Shuteriqi, ishte në formë kolegji, i rangut të një instituti të lartë.

Të gjitha këto të dhëna faktojnë se në fakt përpjekjet e shqiptarëve janë shumë më të hershme se ato në Korçës. Kjo tregon dëshirën e zellshme për të shkruar e kënduar gjuhën e ëmbël shqipe. Duhet të lexojmë më shumë rreth historisë sonë dhe të ruajmë me fanatizëm çdo fakt historik që tregon se shqiptarët e kanë dashur gjithmonë shkrimin dhe këndimin e gjuhës së tyre.

Kisha që u bë Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë

A e dini ku gjendet Shkolla e Pare Shqipe në Kosovë? Ajo ndodhet në fshatin Stubëll e Epërme të Komunës së Vitisë. Në fakt bëhet fjalë për Kishën e Shën Gjergjit, që shërbeu si shkollë shqipe. Historiku i saj është më i hershëm sesa koha e emërtimit të saj. Thuhet se si shkollë shqipe është hapur më 19 qershor 1886. Mirëpo Kolegji i Shën Lukës, kishte filluar punën qysh në vitin 1584. Veprimtaria edukativo-arsimore si shkollë e parë shqipe e mirëfilltë është zhvilluar që nga viti 1868 me mësues Dom Mikelin. Ndërsa nga Austro-Hungaria është zyrtarizuar në vitin 1905, po ashtu, me mësuesin Dom Mikel Tarabulluzin.

Ndërtesa ku mësimi shqip në Kosovë mori hov

Kisha e Shën Gjergjit, ndryshe e njohur si Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë është ndërtuar në terren të pjerrtë. Aty formohen bodrumi dhe përdhesja. Hyrja për bodrumin ku është e vendosur salla e lutjeve bëhet nga ana jugore, nëpërmes dy hyrjeve të veçanta, njëra për priftërinjtë e tjetra për besimtarët.  Salla ka tri dritare në ballin jugor dhe dy të tjera në atë lindor. Absida gjendet në murin verior, pranë së cilës ndodhet edhe altari. Nga hyrja e priftërinjve, salla ndahet me dy shtylla, të cilat mbajnë një mur në formë harku, ndërsa një ndarje tjetër ndërmjet altarit dhe pjesës tjetër të sallës është improvizuar me dy shtylla pa kapitel. Altari dhe tryeza e altarit janë veshur me gurë të përpunuar. Hyrja në përdhese bëhet nga porta që është në perëndim, ku gjendet edhe hajati i vendosur në tri shtylla. Vetë hajati ka një formë të gjysmërrethit, në dukje një absidë nga perëndimi. Në përdhese ndodhen disa kthina, të cilat kanë shërbyer për nxënësit si dhoma mësimi, për udhëheqësit fetarë të kishës dhe njëkohësisht udhëheqës edhe të shkollës. Ndërtesa është e ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqeror. Mbulohet me kulm dy ujor, që përcjell tërë planimetrinë.  Në pjesën perëndimore është e ngritur kambanorja me bazë katrore, e mbuluar me kulm katër ujor. Fasada ka trajtim të thjeshtë linear, është e suvatuar dhe e ngjyrosur.

Stublla vazhdon ta nderoi mësuesin e drejtorin e kësaj shkolle

Në vitin 1905, kjo shkollë filloi të udhëhiqej nga mësuesi Dom Mikel Tarabulluzi, busti i të cilit gjendet në oborrin e shkollës. Për më tepër se 30 vite rradhë në Stubëll organizohet manifestimi letrar ‘Ditët e Dom Mikelit’. Aty mblidhën letrar, poet, studies, nxënës e mësimdhënës. Përmes letërsisë e fjalëss së shkruar ata i kujojnë vështirësitë e të mësuarit në gjuhën shqipe dikur. Mendohet se  në vitin 1906, numri i nxënësve në këtë shkollë kishte arritur në 42, prej tyre 25 djem dhe 17 vajza. Libri më i vjetër që ruhet në këtë shkollë, është një libër filozofik i autorit Heinrich Cornelius Agrippa, i botuar në vitin 1638, kurse libri më i vjetër në gjuhën shqipe që ka ky muze ka është ‘Doktrina e Krishterë’, botim i vitit 1877. Përveç “Doktrinës së Krishterë”, në shkollën e parë të Stubllës mësohej lexim, matematikë, histori, gjeografi e lëndë të tjera të ngjashme sikur sot. Këtë e dëshmojnë edhe librat ‘Numeratore’, ‘Këndime për shkollat e para të Shqipërisë’, ‘Këndimet e çunave’ por edhe abetarja shqipe e vitit 1886, e botuar në Bukuresht.Kisha e Shën Gjergjit paraqet një monument me rëndësi të veçantë historike, shoqërore e kulturore.

dua.com Team

Related