Shkrimtare dhe mbrojtëse e çështjes shqiptare

Elena Gjika

Princesha nga Bukureshti që shkroi me emrin Dora d'Istria dhe u tregoi evropianëve se shqiptarët janë një komb.

Bukuresht, 1828Principata e Vllahisë
Firence, 1888Mbretëria e Italisë
Dora d'Istriapseudonimi, nga viti 1855
Portreti i Elena Gjikës (Dora d'Istria), gravurë në revistën gjermane Freya, 1866
Dora d'Istria në revistën gjermane «Freya», 1866. Gdhendur nga Krüll & Michel, sipas nënshkrimit në pllakë · Wikimedia Commons · domen publik1

Elena Gjika (rumanisht Elena Ghica; 1828–1888), e njohur me pseudonimin Dora d'Istria, ishte shkrimtare nga Vllahia (sot Rumani) dhe mbrojtëse e çështjes shqiptare. Shkroi në frëngjisht dhe në italisht për gratë, për Lindjen dhe për kombet e Ballkanit, dhe, sipas Enciklopedisë së Nacionalizmit Romantik në Evropë (ERNiE), qe ndër të parët që ua bënë të njohur shqiptarët lexuesve evropianë.2

Shkurt e shqip

  1. Lindi në Bukuresht më 1828, jetoi në Rusi e në Zvicër dhe vdiq në Firence më 1888.
  2. Më 1866 botoi te «Revue des Deux Mondes» studimin «Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore».
  3. E quante familjen Gjika shqiptare, por studimet e sotme anojnë nga një prejardhje arumune.
  4. Sot një shkollë fillore në Prishtinë mban emrin e saj, dhe një pllakë e vitit 1915 e kujton në Firence.
  • 1828–1888Jeta: nga Bukureshti në Firence
  • 1866Studimi për kombësinë shqiptare
  • 4Vendet ku u vendos: Vllahia, Rusia, Zvicra, Italia
  • 30Burime të hapura dhe të cituara

Emri

Dhurata e Danubit

Katër emra për një jetë: Ghica në Rumani, Koltzoff-Massalsky në Rusi, Dora d'Istria në libra, Elena Gjika te shqiptarët.

Askush nuk e di me siguri pse zgjodhi emrin Dora d'Istria. Ajo vetë nuk e shpjegoi kurrë. Hipoteza që Enciklopedia e Nacionalizmit Romantik në Evropë e quan më bindësen e lidh emrin me dy fjalë të lashta: dōron, «dhuratë» në greqishten e vjetër, dhe Istros (shqip Istri), emri antik i Danubit, lumit që rrjedh në jug të vendlindjes së saj.2 Një dhuratë e Danubit, pra: një grua e Lindjes që i shkruante Perëndimit.

Me këtë emër firmosi libra në frëngjisht dhe në italisht për më se tridhjetë vjet. Në Rumani ajo mbetet Elena Ghica, pjesëtare e një familjeje princërore; në Rusi u bë princesha Koltzoff-Massalsky; te shqiptarët njihet si Elena Gjika, forma shqipe e mbiemrit që ajo vetë e mbante për shqiptar.34 Katër emra për një jetë të vetme, dhe secili tregon një pjesë të historisë.

Elena GhicaEmri i lindjesVajzë e Mihail Gjikës, nga familja princërore e Vllahisë.5
Koltzoff-MassalskyPas martesës, 1849Emri i princit rus me të cilin u martua dhe jetoi në Rusi deri më 1855.25
Dora d'IstriaPseudonimi, nga 1855Emri i librave: ndoshta «dhurata e Istrit», e Danubit.2
Elena GjikaForma shqipeKështu e quajnë shqiptarët; këtë emër mban edhe një shkollë fillore në Prishtinë.6

Bukureshti

Një princeshë nga Vllahia

Lindi në një familje që kishte dhënë princa dhe kishte themeluar muzeun e parë të historisë natyrore të vendit, dhe që e humbi fronin kur ajo ishte katërmbëdhjetë vjeçe.

Elena Gjika lindi në Bukuresht, kryeqytetin e Principatës së Vllahisë (sot Rumani), më 22 janar 1828 sipas kalendarit julian që përdorej atëherë në vend, datë që i përgjigjet 3 shkurtit 1828 në kalendarin e sotëm.37 Babai, Mihail Gjika, ishte vëllai i princit sundimtar Grigore IV Gjika dhe mbajti poste të rëndësishme në qeverinë e principatës; edhe xhaxhai tjetër, Aleksandri, u bë princ i Vllahisë.52 Nëna, Catinca Faca, vinte nga një familje me origjinë greke, e vendosur prej kohësh në Vllahi.5

Ishte një shtëpi ku librat dhe shteti rrinin bashkë. Më 1834, kur Elena ishte gjashtë vjeçe, me nismën e të atit u themelua muzeu i parë i historisë natyrore i Bukureshtit, sot Muzeu «Grigore Antipa».12 Edukimin e saj ia besuan studiuesit grek Grigorios Papadhopulos, i lindur në Selanik, Perandoria Osmane (sot Greqi), më 1819.1113

Më 1842, kur ajo ishte katërmbëdhjetë vjeçe, Gjikat humbën fronin dhe familja shkoi në mërgim në Vjenë, Perandoria Austriake (sot Austri). Elena vazhdoi mësimet atje, pastaj në Berlin, Mbretëria e Prusisë, dhe në Dresden, Mbretëria e Saksonisë (sot të dyja në Gjermani).5 Mërgimi i parë i jetës së saj i dha gjuhët dhe qytetet; nuk do të ishte i fundit.

Gjikat: shqiptarë apo jo?

Vetë Elena Gjika shkruante se Gjikat ishin shqiptarë, të thirrur në Vllahi nga veziri osman Mehmet Pashë Qyprilliu, «bashkatdhetarët» e tij.4 Më 1873 këtë e quante «jashtë çdo dyshimi».10 Studimet e sotme janë më të kujdesshme. Historiani Liviu Bordaș nuk gjen prova të drejtpërdrejta për përkatësinë etnike të Gjikës së parë dhe i jep më shumë peshë hipotezës arumune; Mihaela Chapelan shkruan se të parët e saj ishin «në të vërtetë arumunë nga Zagoria».95 Prandaj kjo faqe e vendos lidhjen e saj me shqiptarët jo te gjaku, që mbetet i paprovuar, por te puna: te studimi i vitit 1866 dhe te letërkëmbimi me rilindasit arbëreshë.

Harta e jetës së Elena GjikësVendet ku jetoi Elena Gjika nga Bukureshti (1828) deri në Firence (1888), me Rusinë e viteve 1849–1855 jashtë hartës.Mbretëria e PrusisëPerandoria AustriakeVllahiaPerandoria OsmaneShqipëriaZvicraItaliaDeti AdriatikDeti i ZiDeti MesdheDanubiPerandoria Ruse1849–1855Bukuresht · 1828 · 1849Vjenë · 1842DresdenBerlinAarau · 1855Mönch · 1855VeytauxTorinoVenecieLivornoFirence · 1870–1888
Rinia · 1828–1849Bukuresht, pastaj mërgimi në Vjenë më 1842 dhe studimet në Berlin e Dresden.5
Rusia · 1849–1855Pas martesës jeton në Perandorinë Ruse, jashtë hartës, dhe largohet më 1855.2
Perëndimi · 1855–1888Aarau dhe Veytaux në Zvicër; Livorno, Venecie, Torino; nga 1870 Firence.5142
Vendet e jetës së saj, mbi hartën e sotme. Kufijtë e shteteve të kohës nuk janë vizatuar; emrat e tyre janë vendosur përafërsisht.Hartë: dua.com · vija bregdetare dhe lumenjtë: Natural Earth, domen publik

Rusia

Martesa dhe emri i ri

Gjashtë vjet në Perandorinë Ruse i dhanë një titull princeshe, një martesë të palumtur dhe librin e parë.

Në Bukuresht, ku u kthye pas mërgimit, Elena Gjika u njoh me princin rus Aleksandër Koltzoff-Massalsky.5 U martuan më 1849, në shkurt sipas Adams-it, dhe ajo jetoi në Perandorinë Ruse deri më 1855.21511 Orientalisti Angelo De Gubernatis, që e njohu mirë në Firence, shkruan në kujtimet e tij se u martua «kundër vullnetit të prindërve».16 Shkrime të popullarizuara e vendosin njohjen gjetkë, por nuk e kemi gjetur këtë në asnjë burim të verifikueshëm, prandaj e lëmë jashtë.

Martesa nuk qe shumë e lumtur, dhe ajo e kishte të vështirë të mësohej me jetën boshe e konservatore të aristokracisë ruse.5 Në Rusi, megjithatë, lindi shkrimtarja. Libri i saj i parë, «La vie monastique dans l'Église orientale» (Jeta monastike në Kishën Lindore), doli më 1855, dhe me të doli edhe emri Dora d'Istria.2 Po atë vit la bashkëshortin dhe u largua përgjithmonë nga Rusia.211 Nuk kemi gjetur dokument për divorc, as për fëmijë.

Alpet

Flamuri i Vllahisë mbi Mönch

Në Zvicër u bë udhëtare, alpiniste dhe një nga zërat e parë të historisë së grave.

Më 1855 Gjika u vendos në Zvicër, në qytezën Aarau;5 përkthyesi anglez i librit të saj shkruante më 1858 se atë dimër banonte në Veytaux, në skajin lindor të Liqenit të Gjenevës.14 Alpet e tërhoqën menjëherë. Në librin «La Suisse allemande et l'ascension du Moench» (Zvicra gjermane dhe ngjitja e Mönch-ut, 1856)17 ajo tregoi se më 10 qershor 1855 u nis nga Grindelwald-i dhe se të nesërmen në majën e Mönch-ut, në Alpet e Bernës, u ngul një flamur i bardhë, i verdhë dhe blu, me emrin «Vllahia» të qëndisur.1815

Lugina e Grindelwald-it, 1856. «Vue du Mettenberg et du Mont Eiger dans la Vallée de Grindelwald», litografia në ballinë të librit të saj «La Suisse allemande et l'ascension du Moench», vëllimi III. Nga ky fshat u nis më 10 qershor 1855.Shtypur nga Thierry frères, Paris · skanim: Internet Archive · domen publik17
Litografi: pamje e Mettenbergut dhe e malit Eiger në luginën e Grindelwald-it, nga libri i Dora d'Istrias i vitit 1856

Lugina e Grindelwald-it, 1856. «Vue du Mettenberg et du Mont Eiger dans la Vallée de Grindelwald», litografia në ballinë të librit të saj «La Suisse allemande et l'ascension du Moench», vëllimi III. Nga ky fshat u nis më 10 qershor 1855. · Shtypur nga Thierry frères, Paris · skanim: Internet Archive · domen publik17

Historia e ngjitjeve alpine e Gottlieb Studer-it (1869) e përshkruan ndryshe: si një përpjekje të ndërprerë drejt Jungfrau-t, me flamurin të ngulur midis Eiger-it dhe Mönch-ut, dhe ngjitjen e parë të Mönch-ut ia njeh dr. Porges-it nga Vjena më 1857.19 Pretendimi i saj dhe kundërshtimi i Studer-it rrinë ende përballë njëri-tjetrit; ne i japim të dy.

Vitet zvicerane ishin vitet e saj më pjellore. Më 1859–1860 botoi në Zyrih «Les femmes en Orient» (Gratë në Lindje), në dy vëllime, një vepër që sipas ERNiE-s hapi rrugë në historinë e grave, me vëmendje te Rusia dhe Evropa Qendrore e Lindore.2 Më 1863 ndoqën «Excursions en Roumélie et en Morée» (Udhëtime në Rumeli dhe More), rrëfimi i udhëtimeve të saj në trojet e Perandorisë Osmane dhe në Greqi,20 dhe më 1865 «Des femmes, par une femme» (Për gratë, nga një grua).2

Eigeri dhe Mönch-u nga Wengernalp. Fotokrom i viteve 1890–1900, rreth dyzet vjet pas ngjitjes së saj: Eigeri majtas, Mönch-u (4 107 m) djathtas, mes tyre akullnaja e Eiger-it. Studer e vendos flamurin e saj «midis Eiger-it dhe Mönch-ut».19Photoglob Zürich / Detroit Publishing Co. · Library of Congress, nëpërmjet Wikimedia Commons · domen publik
Eigeri dhe Mönch-u nga Wengernalp, fotokrom i viteve 1890–1900

Eigeri dhe Mönch-u nga Wengernalp. Fotokrom i viteve 1890–1900, rreth dyzet vjet pas ngjitjes së saj: Eigeri majtas, Mönch-u (4 107 m) djathtas, mes tyre akullnaja e Eiger-it. Studer e vendos flamurin e saj «midis Eiger-it dhe Mönch-ut».19 · Photoglob Zürich / Detroit Publishing Co. · Library of Congress, nëpërmjet Wikimedia Commons · domen publik

Shqiptarët

Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore

Një studim prej 37 faqesh në një nga revistat më me ndikim të Parisit u tregoi evropianëve se në Ballkan jetonte një komb që ata nuk e njihnin.

Pas Zvicrës, Gjika jetoi në Itali: fillimisht në Livorno, pastaj në Venecie dhe në Torino, para se të vendosej më 1870 në Firence.2 Në Livorno jetonte edhe Dhimitër Kamarda, prifti dhe gjuhëtari arbëresh; me të dhe me poetin Jeronim De Rada ajo mbajti letërkëmbim të gjatë.2 Sipas studiueses Vittoria Bosna, me De Radën themeloi një «shoqatë letrare» dhe një «akademi shqiptare».7

Më 15 maj 1866 revista pariziane «Revue des Deux Mondes» botoi studimin e saj «La nationalité albanaise d'après les chants populaires» (Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore), në faqet 382–418 të vëllimit 63.4 Studimi mbështetet, ndër të tjera, te botimet e Kamardës, Hahn-it, Hecquard-it, Crispi-t, Dorsës dhe De Radës, që autorja i rendit në shënimin e parë.4 Sipas ERNiE-s, ajo ishte ndër studiuesit e parë që i prezantuan një publiku të gjerë evropian ekzistencën dhe tiparet e kombit shqiptar.2

Faqja e parë e studimit La nationalité albanaise d'après les chants populaires, Revue des Deux Mondes, 15 maj 1866
Dokument · «Revue des Deux Mondes», 15 maj 1866, f. 382
«Au XVIIIe siècle, Gibbon se plaignait que l'Albanie, séparée uniquement du monde occidental par le canal d'Otrante, fût aussi inconnue que l'intérieur de l'Amérique.»

«Në shekullin XVIII, Gibboni ankohej se Shqipëria, që nga bota perëndimore e ndante vetëm kanali i Otrantos, ishte po aq e panjohur sa brendësia e Amerikës.» Kështu hapet studimi. Përkthimi: dua.com.

Faqja e parë e studimit. Skanim nga Internet Archive, domen publik.4

Çfarë argumentonte

Duke u mbështetur te këngët popullore, Gjika i paraqet shqiptarët si një kombësi të lashtë dhe të gjallë. Ajo ndjek teorinë se «populli i shqiponjave» vjen nga pellazgët legjendarë, teori që ERNiE e quan shkencërisht të pabazuar,2 dhe argumenton se ndarja e shqiptarëve në tri besime nuk e pengon ndërgjegjen kombëtare.4 Në faqet e fundit shpreh bindjen se arbëreshët e Italisë «do të ketë kontribuar fuqishëm në zgjimin e kombit».4

«Kombësia e lashtë pellazge duhet të jetë vërtet shumë e gjallë, përderisa gjen ende mënyrë të afirmohet pas kaq fatkeqësish në dukje të pandreqshme.»

Il faut que l'antique nationalité pélasgique soit bien vivace pour trouver le moyen de s'affirmer encore après tant de désastres en apparence irréparables.

Dora d'Istria, «La nationalité albanaise d'après les chants populaires», 1866, f. 390. Përkthimi: dua.com.4

Përgjigjja e arbëreshëve

Rilindasit arbëreshë e morën studimin si të tyrin. Kamarda e përktheu në shqip dhe e botoi në Livorno më 1867, me titullin «Fylétia e Arbënore prej kanëkatë laoshima»;21 ishte, me sa dimë, hera e parë që një vepër e saj u lexua në gjuhën e popullit për të cilin shkruante. Më 1870 Kamarda nxori në Livorno edhe përmbledhjen e poezive «A Dora d'Istria. Gli albanesi», kushtuar asaj.7

Firence

Vila në Via Leonardo da Vinci

Tetëmbëdhjetë vjet në Firence, një libër për familjen e saj, nderimet e Greqisë dhe një urnë në vend të varrit.

Më 1870 Elena Gjika u vendos në Firence, ku jetoi deri në vdekje.2 Sipas kujtimeve të Angelo De Gubernatis-it, bleu prej tij një vilë të vogël në rrugën Leonardo da Vinci; perandori Pedro II i Brazilit e vizitoi tri herë.16 Vila u bë një nga shtëpitë letrare të qytetit.16

Më 1873 doli në Firence «Gli Albanesi in Rumenia» (Shqiptarët në Rumani), historia e princave Gjika nga shekulli XVII deri në shekullin XIX, përkthyer nga frëngjishtja prej B. Cecchetti-t.10 Është libri ku ajo e shpall prejardhjen shqiptare të familjes së saj «jashtë çdo dyshimi», kundër historianit Del Chiaro, që i mbante Gjikat për grekë.10

Nderimet erdhën nga Greqia: sipas biografit të saj bashkëkohor Pieromaldi, Parlamenti grek e shpalli njëzëri qytetare nderi të Greqisë,11 ndërsa Chapelan përmend medaljen «qytetare nderi e Athinës».5 Më 1863 ajo kishte shkruar për Maqedoninë dhe për revolucionin grek të vitit 1821,13 dhe almanakët e Athinës do ta botonin portretin e saj edhe pas vdekjes.22

Vdekja dhe hiri

Elena Gjika vdiq më 17 nëntor 1888 në Firence.38 Sipas De Gubernatis-it, kishte dashur që trupi i saj të kremohej pas vdekjes, «si në Indi».16 Hiri i saj ruhet në krematoriumin e varrezave të Trespianos (Tempio crematorio), në një urnë që ia kushtoi Instituti Kombëtar i Firences për të Shurdhërit, të cilit, sipas Gino Lukës, ia la trashëgim pasurinë.8 De Gubernatis, nga ana e tij, shkruan se vila u shit në ankand dhe pasuria në Rumani kaloi te Eforia e spitaleve të Bukureshtit.16 Nuk ka varr; ka një urnë dhe një pllakë.

Vila u prish pas vitit 1960. Në kopshtin e vogël të pallatit të ri, në Via Leonardo da Vinci 28, gjendet ende pllaka që Komuna e Firences vendosi më 1915: ajo e quan «albanese d'origine, rumena di nascita, fiorentina di elezione», shqiptare nga origjina, rumune nga lindja, fiorentine me zgjedhje.823

Via Leonardo da Vinci 28, Firence. Pllaka që Komuna vendosi më 1915 në kopshtin e pallatit që zuri vendin e vilës së saj. Teksti: «La principessa Elena Koltzoff Massalski Ghika, 1828–1888, albanese d'origine, rumena di nascita, fiorentina di elezione, nobilitò e glorificò se stessa per eccelse virtù d'animo e d'ingegno nel nome europeo di Dora d'Istria. A memoria del suo quasi trentenne soggiorno in questa casa dove morì, grato e reverente pose il Comune, 1915». Shqip: «Princesha Elena Koltzoff Massalski Ghika, 1828–1888, shqiptare nga origjina, rumune nga lindja, fiorentine me zgjedhje, e fisnikëroi dhe e lavdëroi veten me virtyte të larta të shpirtit e të mendjes nën emrin evropian Dora d'Istria. Në kujtim të qëndrimit të saj gati tridhjetëvjeçar në këtë shtëpi, ku vdiq, mirënjohëse dhe me nderim e vuri Komuna, 1915».23 Pllaka flet për «gati tridhjetë» vjet; ERNiE e vendos ardhjen e saj në Firence më 1870, tetëmbëdhjetë vjet para vdekjes.2Foto: Sailko, 2013, CC BY-SA 3.0, nëpërmjet Wikimedia Commons
Pllaka e mermertë e vitit 1915 për Dora d'Istrian, në kopshtin e pallatit në Via Leonardo da Vinci 28, Firence; teksti italisht i pllakës jepet në përshkrim

Via Leonardo da Vinci 28, Firence. Pllaka që Komuna vendosi më 1915 në kopshtin e pallatit që zuri vendin e vilës së saj. Teksti: «La principessa Elena Koltzoff Massalski Ghika, 1828–1888, albanese d'origine, rumena di nascita, fiorentina di elezione, nobilitò e glorificò se stessa per eccelse virtù d'animo e d'ingegno nel nome europeo di Dora d'Istria. A memoria del suo quasi trentenne soggiorno in questa casa dove morì, grato e reverente pose il Comune, 1915». Shqip: «Princesha Elena Koltzoff Massalski Ghika, 1828–1888, shqiptare nga origjina, rumune nga lindja, fiorentine me zgjedhje, e fisnikëroi dhe e lavdëroi veten me virtyte të larta të shpirtit e të mendjes nën emrin evropian Dora d'Istria. Në kujtim të qëndrimit të saj gati tridhjetëvjeçar në këtë shtëpi, ku vdiq, mirënjohëse dhe me nderim e vuri Komuna, 1915».23 Pllaka flet për «gati tridhjetë» vjet; ERNiE e vendos ardhjen e saj në Firence më 1870, tetëmbëdhjetë vjet para vdekjes.2 · Foto: Sailko, 2013, CC BY-SA 3.0, nëpërmjet Wikimedia Commons

Me fjalët e saj

Tri fjali, dy gjuhë, një bindje

«Në shekullin XVIII, Gibboni ankohej se Shqipëria, që nga bota perëndimore e ndante vetëm kanali i Otrantos, ishte po aq e panjohur sa brendësia e Amerikës.»

Au XVIIIe siècle, Gibbon se plaignait que l'Albanie, séparée uniquement du monde occidental par le canal d'Otrante, fût aussi inconnue que l'intérieur de l'Amérique.

1866 · «La nationalité albanaise d'après les chants populaires», f. 382. Përkthimi: dua.com.4

«…dëshira e tyre për të tërhequr vëmendjen dhe interesin e popujve të qytetëruar mbi vëllezërit e tyre të Lindjes do të ketë kontribuar fuqishëm në zgjimin e kombit.»

…leur désir d'appeler sur leurs frères orientaux l'attention et l'intérêt des peuples civilisés auront puissamment contribué au réveil de la nation.

1866 · fjalët e fundit të studimit, për arbëreshët e Italisë, f. 418. Përkthimi: dua.com.4

«…përkundrazi, është jashtë çdo dyshimi se janë shqiptarë…»

…è invece fuori di dubbio che sono albanesi…

1873 · për familjen Gjika, «Gli Albanesi in Rumenia», në përkthimin italisht të B. Cecchetti-t. Përkthimi shqip: dua.com.10

Kujtimi

Si u kujtua

Një pllakë në Firence, një pullë në Shqipëri, një shkollë në Prishtinë, një mbrëmje në Athinë.

Rilindasit arbëreshë e nderuan që në të gjallë, me përkthimin e vitit 1867 dhe me përmbledhjen e poezive të vitit 1870.217 Më 1915 Firence i vuri pllakën.823 Shqipëria komuniste e kujtoi më 1979 me një pullë postare për 150-vjetorin e lindjes, me datën «22 janar 1829», një vit më vonë se data e pranuar sot;25 më 1999 regjisorja Donika Muçi i kushtoi dokumentarin «Dora D'Istra» (kështu në titullin e arkivit), 38 minuta, sot në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.26

Në Prishtinë, shkolla fillore «Elena Gjika», dikur «Vuk Karaxhiq», punon në një ndërtesë të viteve 1926–1928, projektuar nga arkitekti Momir Korunoviq dhe e vënë që nga viti 2014 nën mbrojtje të përkohshme si trashëgimi kulturore.6 Në Athinë, Muzeu i Filhelenizmit i kushtoi asaj më 11 qershor 2026 një mbrëmje me Ambasadën e Rumanisë, ku paraqiti pikturën e vetme të njohur të realizuar prej saj.27

Studiuesit e sotëm e lexojnë figurën e saj me më shumë nuanca. Chapelan e quan identitetin e saj «rizomatik», me shumë rrënjë njëherësh,5 ndërsa Bordaș tregon se si vetë ajo e ndërtoi imazhin e Gjikave si shqiptarë të Rumanisë.9 Ndoshta kjo është trashëgimia e saj më e sinqertë: një grua që zgjodhi vetë se kujt i përkiste.

«Dora D'Istra» (1999), regjia Donika Muçi

Film dokumentar i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Videoja ngarkohet vetëm pas klikimit; asnjë skedar i jashtëm nuk shkarkohet para tij.26

Kartela e filmit në AQSHF

Diaspora

Vendlindja dhe diaspora sot

Pa pasardhës të dokumentuar, por me një qytet lindjeje që u bë qendër e Rilindjes dhe me arbëreshët që e lexuan të parët.

Elena Gjika nuk la pasardhës të dokumentuar. Qyteti ku lindi, megjithatë, u bë një nga qendrat e Rilindjes shqiptare.28 Gjatë Rilindjes, shqiptarët e mërguar në Kostandinopojë (sot Stamboll), Bukuresht, Sofje, Kajro dhe Boston krijuan shoqëri patriotike dhe letrare për të përhapur letërsinë dhe kulturën si mjete për pavarësinë.29 Rumania u bë qendra kryesore e kësaj veprimtarie:28 komuniteti numëronte disa mijëra vetë, të vendosur kryesisht në Bukuresht, Constanța, Ploiești dhe Pitești,30 dhe shoqëria «Drita», e themeluar më 27 dhjetor 1884, bleu një shtypshkronjë dhe botoi vepra të Naim Frashërit, Sami Frashërit e Jani Vretos.28 Burimet e cituara këtu nuk e lidhin Elena Gjikën me «Dritën»: në atë kohë ajo jetonte në Firence.

Sot shqiptarët e Rumanisë përfaqësohen nga Liga e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR), e themeluar në Craiova më 1999.30 Studimi i saj i vitit 1866 u mbështet te arbëreshët e Italisë, shqiptarët e vendosur shekuj më parë në Sicili dhe në Italinë e Jugut,29 dhe u mbyll me shpresën se ata do të ndihmonin zgjimin e kombit.4 Udhëzuesit tanë për komunitetet shqiptare në Itali, në Zvicër dhe në Kosovë tregojnë ku jetojnë sot shqiptarët e vendeve që lidhen me jetën dhe kujtimin e saj.

Kronologjia

Jeta e saj vit pas viti

Pesëmbëdhjetë data, secila me burimin e vet.

  1. 1828

    Lind në Bukuresht

    Më 22 janar (3 shkurt sipas kalendarit të ri), në familjen princërore Gjika.37

  2. 1842

    Mërgimi në Vjenë

    Gjikat humbin fronin; studimet vazhdojnë në Vjenë, Berlin dhe Dresden.5

  3. 1849

    Martesa

    Me princin rus Aleksandër Koltzoff-Massalsky; jeton në Rusi.25

  4. 1855

    Libri i parë

    «La vie monastique dans l'Église orientale»; largohet nga Rusia dhe vendoset në Aarau.25

  5. 1855

    Mönch

    Më 10 qershor niset nga Grindelwald-i; thotë se flamuri i Vllahisë arriti majën.1815

  6. 1859

    «Les femmes en Orient»

    Në dy vëllime, Zyrih, 1859–1860.2

  7. 1863

    «Excursions en Roumélie et en Morée»

    Udhëtimet në Rumeli dhe More.20

  8. 1866

    Studimi për shqiptarët

    Më 15 maj del te «Revue des Deux Mondes» studimi «La nationalité albanaise d'après les chants populaires».4

  9. 1867

    Në shqip

    Kamarda e përkthen studimin dhe e boton në Livorno.21

  10. 1870

    Firence

    Vendoset në Firence; Kamarda boton «A Dora d'Istria. Gli albanesi».27

  11. 1873

    «Gli Albanesi in Rumenia»

    Historia e princave Gjika, Firence.10

  12. 1888

    Vdes në Firence

    Më 17 nëntor; hiri i saj ruhet në Trespiano.38

  13. 1915

    Pllaka

    Komuna e Firences vendos pllakën përkujtimore.23

  14. 1979

    Pulla postare

    Posta shqiptare nxjerr pullën e 150-vjetorit të lindjes.25

  15. 1999

    Dokumentari

    «Dora D'Istra» i Donika Muçit, 38 minuta.26

Çfarë thonë burimet

Pretendimet që qarkullojnë, të kontrolluara

Çfarë mund të provohet, çfarë mbetet e hapur dhe çfarë është gabim.

PretendimiVerdiktiÇfarë thonë burimet
«Elena Gjika ishte shkrimtare shqiptare.»E diskutueshmeLindi në Vllahi dhe shkroi në frëngjisht e italisht; teksti shqip i vitit 1867 është përkthim i Kamardës.21 Vetë e quante familjen shqiptare, por origjina mbetet e paprovuar.9 Lidhja e saj e dokumentuar me shqiptarët është puna për çështjen shqiptare.2
«Gjikat ishin familje shqiptare.»E paprovuarE pohonte vetë ajo;410 studimet e sotme nuk gjejnë prova të drejtpërdrejta dhe anojnë nga hipoteza arumune.95
«Ishte gruaja e parë në majën e Mönch-ut.»E diskutueshmeAjo vetë tregon se arriti majën më 11 qershor 1855;18 Studer (1869) shkruan për një përpjekje të ndërprerë drejt Jungfrau-t dhe ngjitjen e parë ia njeh Porges-it më 1857.19 Regjistri i BnF-së flet edhe për Jungfrau-n, që nuk përputhet me asnjërin.3
«Lindi më 1829.»Variant i vjetërVitin 1829 e japin përkthimi anglisht i vitit 1858, Adams (1883) dhe pulla shqiptare e vitit 1979;141525 BnF dhe studimet e sotme japin 1828.37
«Fliste nëntë gjuhë.»E pakonfirmuarNumrin e japin biografët e shekullit XIX, me shifra që ndryshojnë nga njëri te tjetri; asnjë burim i sotëm nuk e konfirmon.1511

Pyetje

Pyetjet që bëhen më shpesh

Përgjigje të shkurtra për pyetjet që lexuesit kërkojnë.

Kush ishte Elena Gjika?

Elena Gjika (1828–1888), e njohur si Dora d'Istria, ishte shkrimtare nga Bukureshti që shkroi në frëngjisht dhe në italisht. Te shqiptarët njihet për studimin e vitit 1866 mbi kombësinë shqiptare.

Pse quhej Dora d'Istria?

Pseudonimin nuk e shpjegoi kurrë. Sipas ERNiE-s, hipoteza më bindëse është se «Dora» vjen nga greqishtja dōron, «dhuratë», dhe «Istria» nga Istri, emri i lashtë i Danubit.

A ishte Elena Gjika shqiptare?

Lindi në familjen Gjika të Bukureshtit, që ajo e quante shqiptare. Studimet e sotme nuk e provojnë këtë prejardhje; lidhja e saj e sigurt me shqiptarët është puna për çështjen shqiptare.

Ku është varrosur Elena Gjika?

Nuk ka varr. Pas vdekjes në Firence më 1888, trupi i saj u kremua dhe hiri ruhet në krematoriumin e varrezave të Trespianos.

Çfarë shkroi për shqiptarët?

Studimin «La nationalité albanaise d'après les chants populaires» (Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore), botuar më 1866 te «Revue des Deux Mondes» dhe përkthyer në shqip nga Dhimitër Kamarda më 1867, dhe librin «Gli Albanesi in Rumenia» (1873) për familjen Gjika.

Rreth kësaj faqeje

Kush e shkroi dhe si

Autori, kontrolli i fakteve, metoda dhe si ta citoni.

Rishikimi shkencor
Ende pa rishikim nga një historian ose albanolog; do të shënohet këtu kur të bëhet.
Rishikimi i fundit
28 tetor 2026 · rishikimi i radhës: tetor 2029
Korrigjime
Asnjë korrigjim deri më tani.

Shënim për metodën. Datat e Vllahisë jepen sipas kalendarit julian, që përdorej atje dhe më pas në Rumani deri më 1919, dhe sipas kalendarit gregorian. Ku burimet nuk pajtohen, e themi dhe i citojmë të dyja. Citimet në frëngjisht, italisht dhe anglisht i ka përkthyer dua.com. Wikipedia dhe Wikidata përdoren vetëm për të gjetur burime, jo si burime.

Si ta citoni: Eduard Luta, «Elena Gjika (Dora d'Istria)», dua.com, rishikuar më 28 tetor 2026, https://www.dua.com/sq/shqiptare-te-njohur/elena-gjika/

dua.com është aplikacioni i bërë për shqiptarët. Misioni ynë është të lidhim shqiptarët në mbarë botën. dua.com nuk është i lidhur me personat e paraqitur dhe nuk mbështetet prej tyre.

Burimet dhe shënimet

Çdo fakt ka një burim

Të renditura sipas radhës së citimit të parë. Shkalla tregon llojin e burimit: A për studime shkencore, B për institucione dhe gazetari cilësore, parësore për dokumentet e kohës, bashkëkohore për biografitë e shekullit XIX, kujtime për kujtimet e bashkëkohësve.

  1. 1
    Freya, vëll. 6, 1866, f. 217ParësorGravurë e Dora d'Istrias në revistën gjermane «Freya»Gdhendës i panjohur; domen publik. Skanim në Wikimedia Commons.
  2. 2
    Encyclopedia of Romantic Nationalism in Europe (ERNiE)AAntonio D'Alessandri, «Ghica, Elena (ps. Dora d'Istria)»Familja, martesa dhe Rusia, veprat, teoria pellazge, letërkëmbimi me De Radën dhe Kamardën, vitet në Itali, pseudonimi. Në anglisht.
  3. 3
    Bibliothèque nationale de FranceBDora d'Istria (1828–1888): skeda e autoritetitLindja më 3 shkurt 1828 (kalendari gregorian) në Bukuresht; vdekja më 17 nëntor 1888 në Firence.
  4. 4
    Revue des Deux Mondes 63, 15 maj 1866, f. 382–418ParësorDora d'Istria, «La nationalité albanaise d'après les chants populaires»Teksti i studimit; citimet në f. 382, 390 dhe 418. Në frëngjisht.
  5. 5
    Relief 6(1), 2012, f. 126–135AMihaela Chapelan, «L'identité rhizomatique de Dora d'Istria»Prindërit, mërgimi më 1842, njohja me princin, martesa, Aarau, medalja e Athinës, hipoteza arumune. Në frëngjisht.
  6. 6
    Oral History KosovoB«Elementary School Elena Gjika»Shkolla në Prishtinë: dikur «Vuk Karaxhiq», ndërtuar më 1926–1928 sipas projektit të Momir Korunoviqit, nën mbrojtje të përkohshme që nga 2014.
  7. 7
    El Futuro del Pasado 10 (2019), f. 519–529AVittoria Bosna, «Donna impegnata a livello civile e culturale: Dora d'Istria la voce di una intellettuale fuori dal coro»Bukuresht, 22 janar 1828 – Firence, 17 nëntor 1888; shoqatat me De Radën; përmbledhja e Kamardës (Livorno, 1870). Në italisht.
  8. 8
    Osservatorio Balcani e Caucaso TranseuropaBGino Luka, «Sulle tracce di Dora D'Istria», 24 janar 2017Vila në Via Leonardo da Vinci 28, e prishur pas vitit 1960; pllaka e vitit 1915; hiri në Trespiano; trashëgimia. Në italisht.
  9. 9
    Anuarul Institutului de Istorie «A. D. Xenopol» 59 (2022), f. 83–101ALiviu Bordaș, «Dora d'Istria și chestiunea originii familiei Ghica»Prejardhja e familjes Gjika: pa prova të drejtpërdrejta; hipoteza arumune. Lexuar përmbledhja. Në rumanisht.
  10. 10
    Firence, 1873ParësorDora d'Istria, «Gli Albanesi in Rumenia. Storia dei principi Ghika nei secoli XVII, XVIII e XIX», përkthyer nga B. CecchettiPretendimi i saj për prejardhjen shqiptare të Gjikave. Domen publik.
  11. 11
    Kostandinopojë, 1874BashkëkohorA. Z. Pieromaldi, «La principessa Elena Ghika Koltzoff Massalsky (Dora d'Istria)»Mësuesi Papadhopulos, martesa, largimi nga Rusia, qytetaria e nderit greke. Biografi e kohës; përdoret vetëm për fakte. Në italisht.
  12. 12
    Radio Romania InternationalB«The Grigore Antipa Museum of Natural History», RRI Encyclopaedia, 2012Muzeu i parë i historisë natyrore në Bukuresht u themelua më 1834 me nismën e Mihail (Mihalache) Gjikës, vëllait të princit.
  13. 13
    Makedonika 29 (1994), f. 1–15AApostolos E. Vakalopoulos, «Ιστορικές καταγραφές της πριγκίπισσας Dora d' Istria στα 1863 για τη Μακεδονία και την επανάσταση της στα 1821»Mësuesi Gr. Papadhopulos, i lindur në Selanik më 1819; shënimet e saj të vitit 1863 për Maqedoninë. Në greqisht.
  14. 14
    Londër: A. Fullarton, 1858, vëll. 1ParësorDora d'Istria, «Switzerland the Pioneer of the Reformation» (përkthim i «La Suisse allemande», 1856)Parathënia e përkthyesit: Aarau, Veytaux dhe viti i lindjes 1829.
  15. 15
    Londër, 1883BashkëkohorW. H. Davenport Adams, «Celebrated Women Travellers of the Nineteenth Century»Nisja nga Grindelwald-i më 10 qershor 1855; martesa në shkurt 1849; jep vitin e lindjes 1829.
  16. 16
    Romë, 1900KujtimeAngelo De Gubernatis, «Fibra: pagine di ricordi»Martesa kundër vullnetit të prindërve, vila në Via Leonardo da Vinci, vizitat e Pedros II, dëshira për kremim, ankandi i vilës. Në italisht.
  17. 17
    Paris: Joël Cherbuliez; Gjenevë, 1856ParësorDora d'Istria, «La Suisse allemande et l'ascension du Moench», vëll. IIIBotimi origjinal frëngjisht, me litografinë «Vue du Mettenberg et du Mont Eiger» në ballinë. Skanim i Google Books në Internet Archive; domen publik.
  18. 18
    Londër: A. Fullarton, 1858, vëll. 2ParësorDora d'Istria, «Switzerland the Pioneer of the Reformation», vëllimi 2Rrëfimi i saj për flamurin në majën e Mönch-ut, f. 324.
  19. 19
    Bern, 1869AGottlieb Studer, «Ueber Eis und Schnee», vëll. 1Përpjekja e 10 qershorit 1855 drejt Jungfrau-t (f. 118); ngjitja e parë e Mönch-ut, 1857 (f. 144). Në gjermanisht.
  20. 20
    Zyrih: Meyer & Zeller; Paris: J. Cherbuliez, 1863ParësorDora d'Istria, «Excursions en Roumélie et en Morée», 2 vëllimeUdhëtimet në Rumeli dhe More. Skanim në Internet Archive.
  21. 21
  22. 22
    Ημερολόγιον Σκόκου, Athinë, 1890ParësorGravurë e Dora d'Istrias në almanakun grek të Skokos, 1890Gdhendës i panjohur; domen publik. Skanim në Wikimedia Commons.
  23. 23
    Komuna e Firences, 1915ParësorPllaka përkujtimore për Dora d'Istrian, Via Leonardo da Vinci 28, FirenceTeksti lexuar nga fotografia e pllakës (Sailko, 2013, Wikimedia Commons, CC BY-SA 3.0); dy shkronja të mbuluara nga gjethet janë plotësuar sipas kuptimit.
  24. 24
    Muzeu Kombëtar i Artit i Rumanisë, Bukuresht, nr. inventari 3509ParësorPetre Mateescu, «Scriitoarea Dora D'Istria (Elena Ghica)», vaj në pëlhurë, 88 × 71 cm, 1876E nënshkruar dhe e datuar «P. MATEESCO 1876». Përshkrimi i muzeut, në rumanisht: paraqitje simbolike në peizazhin shkëmbor të Istrias, me jelek të gjatë të marrë nga veshja shqiptare. Fotografia e muzeut nëpërmjet Europeana, CC BY-SA 4.0.
  25. 25
    Posta shqiptare, 1979ParësorPullë postare «Dora d'Istria», 1,10 lekë, 150-vjetori i lindjesMbishkrimi «150 vjetori i lindjes, 22 janar 1829–1979» lexuar nga skanimi.
  26. 26
    Arkivi Qendror Shtetëror i FilmitB«Dora D'Istra» (1999), film dokumentar, regjia Donika MuçiDokumentar, 38 minuta.
  27. 27
    Shoqëria për Helenizmin dhe FilhelenizminB«Dora d' Istria, the pioneering Romanian Philhellene and her only known painting», 14 qershor 2026Mbrëmja e 11 qershorit 2026 në Muzeun e Filhelenizmit në Athinë, me Ambasadën e Rumanisë.
  28. 28
    Social Sciences and Education Research Review 13(1), 2026, f. 47–57AJolanda Lila, «Drita–Lumina: A Literary and Scientific Periodical at the Dawn of the Albanian Press in Romania»Rumania si qendër e veprimtarisë kombëtare; shoqëria «Drita», 27 dhjetor 1884; shtypshkronja; Naim e Sami Frashëri, Jani Vreto.
  29. 29
    Encyclopaedia BritannicaB«Albanian literature»Shoqëritë patriotike dhe letrare të mërgimtarëve në Kostandinopojë, Bukuresht, Sofje, Kajro dhe Boston; arbëreshët e Sicilisë dhe të Italisë së Jugut.
  30. 30
    Instituti Kulturor RumunBOana Manolescu, «A History of the Albanian Community in Romania and Its Organization ALAR»Komuniteti shqiptar në shekullin XIX në Bukuresht, Constanța, Ploiești dhe Pitești; shoqëritë «Drita», «Dituria», «Bashkimi»; ALAR, e themeluar në Craiova më 1999.