Poet, frat françeskan dhe veprimtar i çështjes kombëtare
Gjergj Fishta
I lindur Zef Ndoka · Fishtë, Zadrimë, 23 tetor 1871
Frati që e ngriti këngën e lahutës në epos: «Lahuta e Malcís», tridhjetë këngë për luftën e malësorëve për tokën dhe lirinë. E futi shqipen në shkollat françeskane të Shkodrës, drejtoi në Manastir komisionin e alfabetit dhe punoi për njohjen e Shqipërisë në Paris e në Uashington.
«Edhe hana do ta dije, / Edhe dielli do t'ket pa, / Se për qark ksaj rrokullije / Si Shqipnija 'i vend nuk ka!»

Manastir, 1908
Vitet e funditGjergj Fishta (1871–1940), i njohur si At Gjergj Fishta, ishte frat françeskan nga Zadrima, poet, mësues, publicist dhe deputet. Deri në Luftën e Dytë Botërore u nderua si «poet kombëtar» dhe «Homeri shqiptar».2 Kryevepra e tij, «Lahuta e Malcís», është një epos historik me tridhjetë këngë; botimi i plotë doli në Shkodër më 1937.23
Më 1908 kryesoi komisionin që në Kongresin e Manastirit vendosi për alfabetin e shqipes, më 1913 themeloi revistën «Hylli i Dritës» dhe më 1919 ishte sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.24 Pas vitit 1944 regjimi komunist ia ndaloi veprën; Shkodra e përkujtoi sërish hapur më 5 janar 1991.5
Shkurt e shqip
- Lindi më 1871 në Fishtë të Zadrimës, u formua në kuvendet françeskane të Bosnjës dhe jetoi në Shkodër, ku vdiq më 30 dhjetor 1940.
- «Lahuta e Malcís» ka 30 këngë: e nisi më 1902, pjesën e parë e botoi në Zarë më 1905 dhe botimin përfundimtar në Shkodër më 1937.
- Si deputet i Shkodrës, më 1921 u zgjodh nënkryetar i Parlamentit; nga 1935 deri më 1938 ishte provincial i françeskanëve shqiptarë.
- Nominimi për çmimin Nobel, që i atribuohet shpesh, nuk gjendet në arkivin e nominimeve të Fondacionit Nobel. Të dokumentuara janë akademia e Italisë më 1939, urdhri «Nderi i Kombit» më 2002 dhe Dekorata e Flamurit Kombëtar më 2020.
- 30Këngë në «Lahutën e Malcís»
- 15 613Vargje, sipas numërimit të Robert Elsie-t
- 1908Kryetar i komisionit të alfabetit, Manastir
- 2002Urdhri «Nderi i Kombit», pas vdekjes
Pse ka rëndësi
Pse ka rëndësi Gjergj Fishta?
Eposi i malësorëve, shqipja në shkollë, komisioni i alfabetit dhe një zë për Shqipërinë në Paris e në Uashington.
Gjergj Fishta u la shqiptarëve një epos të shkruar në gjuhën e maleve. «Lahuta e Malcís» tregon, në tridhjetë këngë, luftërat e malësorëve të Veriut: nga përleshjet në kufi me Malin e Zi, përmes Kongresit të Berlinit e Lidhjes së Prizrenit, deri te Konferenca e Londrës më 1913.216 Robert Elsie, që e përktheu në anglisht, e quan eposin më të fuqishëm të shkruar në shqip.2
Po aq peshë pati puna e tij për gjuhën: e bëri shqipen gjuhë mësimi në shkollat françeskane të Shkodrës dhe ndihmoi shqiptarët të bashkoheshin rreth një alfabeti.24 Alfabeti nuk lindi në Manastir nga hiçi: komisioni që Fishta kryesoi duhej të zgjidhte mes alfabeteve në përdorim, atij të Stambollit, të hartuar nga Sami Frashëri, dhe atyre me shkronja latine, si ai i shoqërisë «Bashkimi», ku ishte vetë anëtar. Mbështeti dy prej tyre; njëri, alfabeti i ri latin, pothuajse i njëjtë me atë të «Bashkimit», është baza e alfabetit të sotëm.24
Ishte edhe njeri i shtetit të ri, që i shërbeu me penë e me fjalë në Paris, në Parlament dhe në Uashington.2417 Regjimi komunist ia ndaloi veprën, por ajo mbijetoi në kujtesën e lexuesve, siç u pa në Shkodër më 5 janar 1991.5
Çka bëri Gjergj Fishta për shqiptarët?
1902 · Shqipja në shkollë. Si drejtor i shkollave françeskane të rrethit të Shkodrës, e bëri shqipen gjuhë mësimi në vend të italishtes.24
1908 · Alfabeti. Kryesoi komisionin prej njëmbëdhjetë vetash të Kongresit të Manastirit, që pas tri ditësh mbështeti dy alfabete, njërin me shkronja latine.2
1913 · «Hylli i Dritës». Themeloi në Shkodër revistën mujore për letërsi, politikë, folklor e histori, që doli, me ndërprerje, deri në korrik 1944.2
1921 · Parlamenti dhe «Illyricum». Deputet i Shkodrës dhe nënkryetar i Parlamentit; po atë vit shkolla françeskane që drejtonte u bë «Collegium Illyricum».24
1919–1922 · Parisi dhe Uashingtoni. Sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes; më 1922 udhëtoi në Shtetet e Bashkuara për njohjen e shtetit shqiptar.2417
1937 · «Lahuta e Malcís». Nxori në Shkodër botimin përfundimtar të eposit, në 25-vjetorin e Pavarësisë.28
Kronologjia
Jeta dhe vepra vit pas viti
Njëzet e gjashtë data, secila me burimin e vet.
Fotot, sipas radhës: Fotograf i panjohur, 1908, domen publik; Shtypshkroja Françeskane, 1937, domen publik; Spasblag, 2019, CC BY-SA 4.0; Pasztilla, 2023, CC BY-SA 4.0; të gjitha nëpërmjet Wikimedia Commons, të prera.
- 1871
- 1886
Niset për në Bosnjë
Pesëmbëdhjetëvjeçar, dërgohet në kuvendet françeskane të Sutjeskës, Livnos e Kreševës.2
- 1894
- 1899
«Bashkimi»
Themelon në Shkodër shoqërinë letrare, me Preng Doçin, Ndoc Nikajn e Pashk Bardhin.2
- 1902
Shqipja në shkollë
Drejtor i shkollave françeskane të Shkodrës; shqipja zë vendin e italishtes.2
- 1902
- 1905
- 1907
- 1908

Manastiri
Kryeson komisionin e alfabetit në Kongresin e 14–22 nëntorit.2
- 1913
- 1916
- 1919
- 1921
- 1922
- 1930
Konferencat ballkanike
Athinë 1930, Stamboll 1931, Bukuresht 1932.3
- 1935
- 1937

- 1939
Akademik i Italisë
Emërohet me dekretin e 16 qershorit.7
- 1940

- 1944
Ndalimi
Me ardhjen e komunistëve në pushtet, veprat e tij ndalohen.5
- 1958
- 1967
- 1991
Kthimi
Më 5 janar «Lahuta» recitohet sërish publikisht në Shkodër.5
- 1996
Rivarrimi
Më 29 dhjetor, në kishën françeskane të Gjuhadolit.10
- 2002
«Nderi i Kombit»
Presidenti i Republikës i jep urdhrin pas vdekjes.15
- 2020

Zadrima
Zef Ndoka nga Fishta e Zadrimës
Një fshat mes Shkodrës e Lezhës, një misionar poet që e pagëzoi dhe shkollat françeskane që i hapën rrugën.
Gjergj Fishta lindi më 23 tetor 1871 në Fishtë, fshat i Zadrimës pranë Troshanit, në Shqipërinë e Veriut.24 Emri i lindjes ishte Zef Ndoka.6 Sipas Radio Vatikanit, erdhi në jetë në familjen e Ndokë Simon Ndocit dhe të Prendës së Lazër Kaçit nga Kotrri.11 E pagëzoi Leonardo De Martino (1830–1923), misionar françeskan dhe poet.2
Mësimet e para i mori në shkollat françeskane të Troshanit e të Shkodrës. Dy mësues i lanë gjurmë që fëmijë: vetë De Martino, që sipas «Biographisches Lexikon» i zgjoi prirjen për gjuhët e letërsinë dhe e nxiti të bëhej françeskan, dhe misionari françeskan nga Bosnja Lovro Mihačević, që sipas Robert Elsie-t i mbolli dashurinë për letërsinë dhe për gjuhën amtare.24
Bosnja
Tetë vjet në kuvendet e Bosnjës
Sutjeska, Livno dhe Kreševa: teologji, filozofi, gjuhë dhe miqësia me dy shkrimtarë.
Më 1886, kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç, Urdhri i Fretërve të Vegjël e dërgoi në Bosnjë, si shumë të rinj shqiptarë që përgatiteshin atëherë për meshtarë. Në seminaret dhe institutet françeskane të Sutjeskës, Livnos e Kreševës studioi teologji, filozofi dhe gjuhë, sidomos latinisht, italisht e serbokroatisht.2 «Biographisches Lexikon» përmend vetëm Sutjeskën e Livnon dhe e quan këtë rrugë «një traditë të vjetër të françeskanëve shqiptarë».4
Në Bosnjë u njoh me dy shkrimtarë, me të cilët u miqësua dhe që, sipas Elsie-t, i zgjuan thirrjen letrare.2


Fotot, sipas radhës: Rudolf Horvat, «Slike iz hrvatske povijesti», 1910, domen publik; Emanuel Buchwald, para vitit 1900, domen publik; të dyja nëpërmjet Wikimedia Commons, të prera.
Sipas Elsie-t, ndikuan tek ai edhe françeskani dalmat Andrija Kačić-Miošić, Ivan Mažuranić dhe «Kurora e maleve» e Njegoshit, eposi kombëtar i malazezëve e i serbëve, me titullin e të cilit ngjan «Lahuta e Malcís». Fishta, shkruan po ai, provoi se edhe shqipja ishte e zonja për një epos letrar po aq heroik.2
Më 1894 u shugurua meshtar dhe u pranua në urdhër. Në shkurt të atij viti u kthye në Shqipëri: dha mësim në kolegjin françeskan të Troshanit, pastaj shërbeu si famullitar në fshatin Gomsiqe.24 Më 1899, bashkë me abatin e Mirditës, Preng Doçin, me prozatorin dom Ndoc Nikajn dhe me folkloristin Pashk Bardhin, themeloi në Shkodër shoqërinë letrare «Bashkimi», që mori përsipër çështjen e alfabetit, botoi tekste shkollore në shqip dhe, më 1908, fjalorin shqip–italisht të «Bashkimit».24
Shkolla e alfabeti
Shqipja në shkollë, alfabeti në Manastir
Drejtor shkolle më 1902, kryetar i komisionit të alfabetit më 1908, themelues reviste më 1913.
Më 1902 u emërua drejtor i shkollave françeskane të rrethit të Shkodrës. Aty, për herë të parë në ato shkolla, shqipja zuri vendin e italishtes si gjuhë mësimi. Sipas Elsie-t, kjo i dha fund mbizotërimit kulturor italian mbi katolikët e Veriut dhe u dha nxënësve një ndjenjë identiteti kombëtar.2
Manastir, nëntor 1908
Nga 14 deri më 22 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit (sot Bitola, në Maqedoninë e Veriut) si përfaqësues i «Bashkimit». Kongresi, me delegatë katolikë, ortodoksë e myslimanë nga Shqipëria dhe nga mërgata, duhej të vendoste për një alfabet të vetëm.2
Delegatët e zgjodhën Fishtën të kryesonte një komision prej njëmbëdhjetë vetash, që do të bënte zgjedhjen.2 Sipas raportit të delegatit Gjergj Qiriazi, në komision ishin edhe Luigj Gurakuqi, Mit'hat Frashëri, Ndre Mjeda, Sotir Peci e Shahin Kolonja, dhe Fishta u tha delegatëve: «Unë nuk kam ardhur të mbroj ndonjërin nga katër alfabetet, por të bashkohem me ju».23
Pas tri ditësh diskutimi, komisioni vendosi të mbështeste dy alfabete: një formë të ndryshuar të alfabetit të Stambollit, që atëherë përdorej më gjerësisht, dhe një alfabet të ri latin, pothuajse të njëjtë me atë të «Bashkimit», që e lehtësonte shtypjen e librave jashtë vendit.2 Ky i dyti, shkruan «Biographisches Lexikon», është «alfabeti i Manastirit», i vlefshëm edhe sot.4
Tridhjetë vjet më vonë «Hylli i Dritës» e kujtonte kështu atë ditë: fjalimi i Fishtës «aq i tranoi e i përmalloi të gjithë pjesëtarët e Kongresit, sa tanë nji zanit danë me zgjedhë nji Komisjon të posaçëm prej 11 vetash».24



Fotot, sipas radhës: Kel Marubi, vitet 1890, domen publik; Kel Marubi, 1923, domen publik; Kel Marubi, vitet 1920, domen publik; Kel Marubi, 1936, domen publik; të gjitha nëpërmjet Wikimedia Commons, të prera.
«Hylli i Dritës» dhe vitet e luftës
Në tetor 1913, gati një vit pas shpalljes së Pavarësisë, themeloi dhe nisi të drejtonte «Hyllin e Dritës», të përmuajshmen françeskane për letërsi, politikë, folklor e histori. Me përjashtim të viteve 1915–1920 dhe 1925–1929, revista doli rregullisht deri në korrik 1944. Elsie e krahason rolin e saj për kulturën e Veriut me atë të «Albanias» së Faik Konicës për Jugun.2
Nga dhjetori 1916 deri më 1918 drejtoi në Shkodër gazetën «Posta e Shqypniës», që mbahej me ndihmën e Austro-Hungarisë, ndonëse, sipas Elsie-t, pushtuesit nuk i besonin plotësisht për shkak të synimeve të tij kombëtare.24 Po më 1916, me Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën e Mati Logorecin, pati rol drejtues në Komisinë Letrare Shqipe, që duhej të vendoste për drejtshkrimin e të nxiste botimin e teksteve shkollore. Komisia zgjodhi të folmen e Elbasanit si bazë të përbashkët, kundër dëshirës së Fishtës, që e quante më të përshtatshme të folmen e Shkodrës.24
Gjatë gjithë këtyre viteve vazhdoi të jepte mësim e të drejtonte shkollën françeskane të Shkodrës, që nga viti 1921 u quajt «Collegium Illyricum» dhe u bë institucioni arsimor kryesor i Shqipërisë së Veriut.24
Lahuta
«Lahuta e Malcís»: eposi i malësorëve
Si nisi në një famulli të Hotit, çfarë tregon këngë për këngë, ku është Kosova në të dhe pse u shkrua në tetërrokësh.
Gjithçka nisi më 1902. Atë vit, tregon bashkëvëllai i tij Pashk Bardhi, At Leonard Gojani la për pak ditë famullinë e Rrapshës në Hot dhe Fishta shkoi ta zëvendësonte. Atje u njoh me Marash Ucin, një plak që i tregoi për luftimet mes malësorëve shqiptarë e malazezëve dhe për betejën te Ura e Rrzhanicës, ku kishte luftuar vetë.182
Nga ato biseda doli pjesa e parë, «Te Ura e Rrzhanicës». Bardhi i lexoi vargjet në verën e vitit 1904, e nxiti Fishtën t'i botonte dhe u kujdes vetë që të shtypeshin në Zarë (sot Zadar, në Kroaci), te shtypshkronja Vitaliani.18 Libri doli më 1905.32 Pjesa e dytë u botua më 1907; në dhjetëvjeçarët që pasuan dolën në Shkodër botime të zgjeruara dhe fletore më vete, si «Vranina», «Lidhja e Prizrendit» (1931) e «Marash Uci» (1932).28 Ende më 1935 Fishta shkruante se vepra nuk e kishte marrë trajtën përfundimtare.25
Botimi përfundimtar, tridhjetë këngë në 511 faqe, doli nga Shtypshkroja Françeskane e Shkodrës më 1937, në 25-vjetorin e Pavarësisë.28 Faqja e titullit nuk ka vit; kopja e Bibliotekës Kombëtare ruan kushtimin me dorën e tij, të datuar 22 dhjetor 1937.12

«Ndihmo, Zot, si m’ké ndihmue!
Pesqind vjet kishin kalue,
Se të bukren ket Shqypní
Turku e mbate në robní…»Kështu hapet eposi: me një lutje dhe me pesë shekujt e sundimit osman. Në shqipen e sotme: «Ndihmo, Zot, siç më ke ndihmuar! Pesëqind vjet kishin kaluar që këtë Shqipëri të bukur turku e mbante në robëri.»
Faqja e parë e Këngës I në botimin e françeskanëve shqiptarë në mërgim, Romë 1958, që ndjek tekstin e vitit 1937. Skanim nga Internet Archive.3
Çfarë tregon, këngë për këngë
Sipas Elsie-t, eposi ka 15 613 vargje dhe tri pjesë: ciklin e Oso Kukës, zemrën e tij për vitet 1878–1880 dhe këngët e kohës së re; këtu e ndjekim në katër blloqe.216
Këngët I–V: Oso Kuka. Kënga I përshkruan vuajtjet nën zgjedhën osmane dhe planet e princ Nikollës së Malit të Zi. Oso Kuka i Shkodrës niset me dyzet burra kundër sulmit; në Vraninë, ishull në Liqenin e Shkodrës, mbyllet në kullën e barutit dhe hidhet në erë bashkë me armiqtë.16
Këngët VI–XV: Berlini, Prizreni, Rrzhanica. Kongresi i Berlinit (1878) ia lë Malit të Zi Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë. Ali Pashë Gucia takon një orë në bjeshkë, krerët mblidhen në Prizren, Mehmet Ali Pasha vritet në Gjakovë. Pas këngës komike të lugatit vjen ajo e Marash Ucit, «e para që u shkrua dhe ndoshta ende më e njohura»; në kuvendin te Kisha e Shnjonit malësorët e Hotit e të Grudës zgjedhin prijës Çun Mulën dhe te Ura e Rrzhanicës thyejnë ushtrinë e Mark Milanit.16
Këngët XVI–XXV: lufta, Tringa, zanat. Drangojtë ndeshen me kulshedrën; luftohet në Qafë-Hardhi e te Ura e Sutjeskës. Pater Gjoni, famullitari i Kelmendit, është për Elsie-n «pa dyshim» vetë Fishta. Në Nokshiq vajza Tringë, që i rri te koka vëllait që po vdes, vret sulmuesin dhe bie vetë; Zana e Madhe e varros në bjeshkë dhe thërret për hakmarrje.16
Këngët XXVI–XXX: koha e re. Poeti, në kuvendin françeskan të Lezhës, thërret Zanën, muzën e tij. Pasojnë komiteti i pashallarëve më 1908, Dedë Gjo' Luli (1910–1911), Lufta Ballkanike dhe Konferenca e Londrës.1620 Atje «të shtatë Krajlat» vendosin t'u japin shqiptarëve lirinë, dhe eposi mbyllet me vargun «Prap zojë m’ vedi duel Shqypnija».3
«Shkrepi dielli buzës s’ Cukalit, / Eja e t’ kndojm, oj Zâna e malit, / Eja e t’ kndojm më Lahutë t’ Malcís, / Si atà Krenët e Shqyptarís / Në Prizrend na janë bashkue»
Kosova në «Lahutë»
Zemra e eposit, këngët VI–XXV, u kushtohet viteve 1878–1880: Kongresit të Berlinit dhe Lidhjes së Prizrenit.2 Në Këngën VIII, Ora e nis Ali Pashë Gucinë te Haxhi Zeka: «Dil e piqu m’ Haxhi Zeken; / Grish Kosoven, bashkò Reken: / Lsho kushtrimin n’ Toskë e n’ Gegë; / Mblidhniu tok si kokrrat n’ shegë».3 Në Këngën IX krerët mblidhen në Prizren; nga bjeshkët i ndjekin Ora e Shqipërisë dhe Zana e Sharrit, që dëgjojnë me ëndje fjalët e zjarrta të Abdyl Frashërit, Shan Dedës, Mar Lulës e Ali Pashës.16
Kënga X zhvillohet në Gjakovë: Mehmet Ali Pasha, mik në shtëpinë e Abdullah Drenit, i zë me pabesi krerët; Dreni, i lidhur nga ligji i mikpritjes, e mbron mikun e padëshiruar dhe bien të dy.16 Albanologu austriak Max Lambertz, që e përktheu eposin në gjermanisht, e quan këtë këngë himn të mikpritjes shqiptare.20 Për Drenin vargjet thonë se pa të «s’ hecë kuvendi» dhe se ia kanë droje «Prizrendi», «Gjakova» e, «rreth e çark», «Kosova».3
Kjo lidhje u ndie edhe te lexuesit. Sipas studiueses Myrvete Dreshaj-Baliu, në vitet 1930 qeveria e Beogradit ndaloi shpërndarjen e veprës së Fishtës; një vendim i 26 majit 1930 ndalonte futjen dhe shpërndarjen e revistës së tij, «Hylli i Dritës». Vepra u kthye në shkollat shqipe që u hapën në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pastaj u përjashtua për gjysmë shekulli.26 Megjithatë, shkruan vëllimi i Central European University Press, poeti dhe vepra nuk u zhdukën kurrë nga kujtesa kulturore e Kosovës, ku lexohej e adhurohej edhe në kohën e komunizmit.6
Gjuha dhe vargu
Fishta shkroi në gegërishten e Shkodrës e të Malësisë, me fjalë e shprehje të vjetra të malësorëve; sot, vëren Elsie, nuk është lexim i lehtë as për shqiptarët e Veriut.2 Vargu është tetërrokëshi i këngëve të kreshnikëve, herë-herë shtatërrokësh, më afër këngës së lahutës sesa heksametrit të eposeve klasike;2 më 1935 e mbrojti vetë këtë zgjedhje kundër një kritiku që donte dhjetërrokëshin.25 Si te Homeri, në luftë ndërhyjnë qenie mitike: zanat, që mbrojnë luftëtarët, orët, drangojtë që ndeshen me kulshedrën shtatëkrenëshe, lugetërit e shtrigat.2
Përkthimet
Pjesë të eposit i përktheu në gjermanisht Gustav Weigand, në një vëllim të Lajpcigut.27 I plotë doli në gjermanisht më 1958, në Mynih, me titullin «Die Laute des Hochlandes», nga Max Lambertz;20 në italisht, «Il liuto della montagna», nga papas Ignazio Parrino, në Palermo, në katër fashikuj nga 1968 deri më 1973;28 në anglisht, «The Highland Lute», nga Robert Elsie e Janice Mathie-Heck, në Londër më 2005, pas tri vjetësh pune;1629 në frëngjisht, «Le luth des montagnes», nga Abidin Krasniqi, në Paris më 2019.30 Këngën I në anglisht Elsie e ka botuar falas në faqen e tij.2
Video
Zëri që i atribuohet dhe «Lahuta» e kënduar
Regjistrimi që mbahet për zërin e vetë Fishtës
Recitim i pjesëve nga Kënga V, «Deka», dhe Kënga XIII, «Te Kisha e Shnjonit», me vargjet si titra. Kanali shkruan se «mendohet» të jetë recitim autentik i autorit, i ruajtur në pllaka gramafoni; fytyra që lëviz në video është animim kompjuterik i një fotografie (me shenjën e MyHeritage), jo film i kohës.31 Për diskun me zërin e tij që u restaurua më 2025, shih kapitullin «Kthimi».
Shiko në YouTubeOso Kuka me lahutë
Rapsodi Rifat Berisha këndon me lahutë këngën e Oso Kukës, heroit të pesë këngëve të para të eposit.32
Shiko në YouTubeKënga IX, «Lidhja e Prizrendit», e recituar e plotë
Aktori Artur Shkurti reciton të plotë këngën e mbledhjes së krerëve në Prizren.33
Shiko në YouTubeKush ishte Oso Kuka?
Emisioni shkon në vendin e betejës së Vraninës, sot në Mal të Zi, 160 vjet pas saj.34
Shiko në YouTube«Lahuta» në skenë, në Lezhë
Kronikë e Radiotelevizionit Shqiptar për dramatizimin e eposit në Lezhë, kushtuar poetit.35
Shiko në YouTubeFestë për lahutën dhe për At Gjergj Fishtën
Kronikë nga një festë kushtuar lahutës dhe Fishtës, në ditët e përvjetorit të vdekjes së tij; rapsodët kërkuan që viti 2026 të shpallej «Viti i Lahutës».36
Shiko në YouTubeVideot janë të kanaleve që i kanë ngarkuar në YouTube dhe luhen këtu, në faqe, kur shtypni butonin; pamjet e kartelave janë po ashtu të YouTube-it. Përshkrimet tona mbështeten te titujt, te përshkrimet e kanaleve dhe te pamjet e videove.
Satira e lirika
Satiriku, liriku, dramaturgu
Tridhjetë e shtatë botime: grerëzat e Parnasit, pushimi i zanave, gomari i Babatasit dhe një Molier në shqip.
Elsie numëron tridhjetë e shtatë botime letrare të Fishtës dhe vëren se arritjet e tij si lirik e si satirik nuk janë më të vogla se ato të epikut; shumë studiues, shton ai, lirikën ia mbajnë për më të mirën.2
Satira
Vjershat e para satirike i botoi te «Albania» e Konicës, me pseudonimin «Castigat ridendo». Më 1907 nxori në Sarajevë, pa emër autori, «Anxat e Parnasit» (Grerëzat e Parnasit), 67 faqe që sipas Elsie-t hodhën themelet e satirës si gjini në letërsinë shqipe.213 Në satirën e parë ngushëllon mikun e tij, Ndoc Nikajn, historia e Shqipërisë e të cilit kishte kaluar pa u vënë re. Shën Nikolla, tregon ai, u solli shqiptarëve me anije mend e shije, kurse djalli një anije me çizme të vjetra; kur të dy arritën në Shëngjin, shqiptarët bënë kuvend dhe zgjodhën çizmet, me kredi.2 «Gomari i Babatasit» (1923), i nënshkruar «Gegë Toska», godet patriotët e rremë e dembelët.28
Lirika
Më 1906 botoi në Shkodër vjersha fetare të përkthyera nga Metastasio, Manzoni, Pellico e Zanella; më 1909, në Zarë, përmbledhjen e parë me vjersha të vetat, «Pika voëset» (Pika vese), kushtuar Luigj Gurakuqit.2 «Mrizi i Zanavet» (Shkodër, 1913) mbledh poezinë atdhetare: «Shqypnija», «Gjuha shqype», «Atdheut», «Hymni i flamurit kombtár».28 Poezinë fetare e mblodhi te «Vallja e Parrizit» (1925), 235 faqe.28
«Pra, mallkue njaj bir Shqyptari, / Qi ketë gjuhë të Perëndisë; / Trashigim qi na la i Pari, / Trashigim s'ia len ai fmis»
Skena dhe përkthimet
Për skenën e shkollave shkroi melodramat «Shqyptari i gjytetnuem» e «Shqyptarja e gjytetnueme», «Sh' Françesku i Asisit» (1912), tragjedinë «Juda Makabé» dhe «Sh. Luigji Gonzaga» (1927). Përshtati Molierin («I ligu për mend», 1931) dhe Euripidin («Ifigenija n'Aullí», 1931) dhe, sipas Elsie-t, përktheu këngën e pestë të «Iliadës».28 «Jerina ase mbretnesha e luleve» doli më 1941, pak pas vdekjes së tij.8
Parisi e Parlamenti
Parisi, Uashingtoni dhe Parlamenti
Sekretar i delegacionit në Konferencën e Paqes, udhëtar në Amerikë për njohjen e shtetit, nënkryetar i Parlamentit, akademik në vitet e fundit.
Më 1919 Fishta ishte sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.24 Fjalimin «Shqyptarët e të drejtat e tyne», që kryetari i delegacionit, imzot Luigj Bumçi, e mbajti në frëngjisht në Universitetin Katolik të Parisit, bibliografia e Bibliotekës Kombëtare, sipas Benedikt Demës, ia njeh Fishtës si autor; teksti shqip doli në Shkodër më 1920.8 Frank Shkreli e daton më 20 qershor 1919 dhe e vendos në Konferencën e Paqes.17
Më 1921 përfaqësoi Shkodrën në Parlamentin shqiptar dhe në gusht të atij viti u zgjodh nënkryetar i tij; talenti i oratorit, shkruan Elsie, i shërbeu njëlloj në politikë e në kishë.24
Amerika, 1922
Bumçi i kishte kërkuar të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të shkonte në Shtetet e Bashkuara për interesat e shtetit të ri.2 «Me 8 të këtij muaji […] në ora 2:30 mbasdite vuna kambën në Amerikë, në New York», u shkruante bashkëvëllezërve në mars 1922. Më 8 maj njoftonte nga Uashingtoni se, përmes një senatori katolik, kërkesa kishte arritur te senatori Henry Cabot Lodge, i cili e quante të mundshme njohjen e Shqipërisë, po ta paraqiste qeveria e Tiranës kërkesën me shkrim.17 Shtetet e Bashkuara e njohën Shqipërinë de jure më 28 korrik 1922.19
Konferencat ballkanike, dekoratat, akademia
Euronews Albania, në një njoftim të vitit 2023 për nderimin që i bëri Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, shkruan se më 1924 mori pjesë në Revolucionin e Qershorit; Elsie dhe «Biographisches Lexikon» nuk e përmendin.37 Ishte ndër delegatët e Shqipërisë në konferencat ballkanike të Athinës (1930), Stambollit (1931) e Bukureshtit (1932);3 Elsie dhe «Biographisches Lexikon» e vendosin të dytën në Sofje. Pastaj u tërhoq nga jeta publike, ndonëse nga 1935 deri më 1938 drejtoi si provincial françeskanët shqiptarë.24
Në portretin e studios Marubi në krye të faqes mban katër dekorata. Botimi i Romës i «Lahutës» i rendit kështu: «Mearif» i klasit II nga Perandoria Osmane (1912), «Ritterkreuz» nga Austro-Hungaria (1912), «Medaglia al Merito» nga Papa Piu XI (1925) dhe «Phoenix» nga Greqia (1931).32 Më 1930, sipas botimit të Romës, urdhri françeskan i dha titullin «Lector jubilatus honoris causa».32
Më 16 qershor 1939, pas pushtimit italian të Shqipërisë, një dekret e emëroi anëtar të Akademisë Mbretërore të Italisë, në klasën e letrave; propozimi, sipas studiuesit Donato Martucci, kishte ardhur me gjasë nga Mëkëmbësia e Përgjithshme në Tiranë.7
Vdekja
Vitet e fundit i kaloi në qetësinë e kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër, me kishën e kopshtin e trëndafilave, ku sipas Elsie-t ulej në hije e mendonte vargjet.2 Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.24 Atë ditë mëkëmbësi italian Francesco Jacomoni njoftonte me telegram se frati kishte vdekur në mëngjes dhe se varrimi do të bëhej të nesërmen në orën 10, me shpenzimet e shtetit.7 U varros në kishën françeskane të Gjuhadolit.9
Me fjalët e tij
Tri thirrje nga «Lahuta»
«Pse ktû i thonë Oso baroti: / Se s’ ké pá Shqyptár me sŷ, / Se djegë vehten edhè tý!»
«Forca tok — s’ bâhet rrcok»
«Persè flamri kuq e zí, / Sod mâ s’ pari, bukurí / Porsì fleta e Engllit t’ Zotit, / Po valvitë mbí tokë t’ Kastrjotit»
Ndalimi
Nga «poet kombëtar» te emri i ndaluar
Si e lexuan bashkëkohësit, pse e ndaloi regjimi komunist dhe çfarë ndodhi me kuvendin, revistën e varrin e tij.
Në prag të Luftës së Dytë Botërore Fishta njihej gjerësisht si «poet kombëtar». Max Lambertz, që më 1917 i kishte kushtuar librin e tij për poezinë popullore shqiptare, e quajti poetin më gjenial që ka nxjerrë Shqipëria; Gabriele D'Annunzio, sipas Elsie-t, e përshëndeti si poetin e madh të popullit të lavdishëm shqiptar.538
Në një vëllim që i kushtoi revista «Shkëndija» (Tiranë, pa vit), Lasgush Poradeci e quan lirikun Fishta «shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar» dhe Ernest Koliqi «poet i gatuar me brumë thjesht etnik»; Eqrem Çabej shkruan se eposi «nganjëherë i kalon kufijtë e Shqipërisë, duke qenë njëkohësisht në një farë kuptimi, edhe një epos ballkanik».39
Vlerësimi nuk ishte i njëzëshëm. Disa kritikë, vëren Elsie, e qortuan për «folklorizëm», të tjerë panë anakronizëm në një epos të shkruar në shekullin XX, edhe pse me temë gati bashkëkohore.2
1944: ndalimi
Kur komunistët morën pushtetin në nëntor 1944, veprat iu ndaluan dhe vetë emri i tij, shkruan Elsie, mbeti tabu për dyzet e gjashtë vjet.25 «Historia e letërsisë shqiptare» e Tiranës (1983) e kufizoi trajtimin e tij në minimum: «Lahutën» e gjykonte si vepër që përhapte ndjenja antisllave dhe linte në plan të dytë luftën kundër pushtuesit osman, dhe mbyllej me vërejtjen se Fishta i kishte mbaruar ditët si anëtar i akademisë së Italisë fashiste.5
Arsyen e vërtetë Elsie nuk e kërkon te prirjet e pretenduara proitaliane a klerikale të Fishtës, por te fillimet e Partisë Komuniste Shqiptare, e themeluar nën kujdesin e të dërguarve të Beogradit: për sa kohë Tirana varej nga Beogradi, një vepër që quhej antisllave nuk mund të pranohej.25 Pas prishjes me të, më 1948, qëndrimi zyrtar nuk u ndryshua më, ndoshta, shton ai, për hir të aleatëve të rinj në Moskë; Enciklopedia e Madhe Sovjetike e marsit 1950 e quante poemën shoviniste.5 Vetë Elsie e hedh poshtë etiketën: Fishta u shkollua në Bosnjë dhe u frymëzua nga letërsia e sllavëve të Jugut, dhe ta quash «Lahutën» propagandë antisllave, shkruan ai, është po aq qesharake sa ta quash «Këngën e Cidit» a «Këngën e Rolandit» propagandë antiarabe.2
Kuvendi, revista, varri
Edhe françeskanët e Shkodrës u goditën. «Hylli i Dritës» pushoi së dali në korrik 1944.2 Sipas Vatican News, nga dhjetori 1946 deri në fund të vitit 1948 kuvendi i Gjuhadolit u kthye në burg; më 11 mars 1948 u pushkatuan provinciali, fra Mati Prendushi, dhe guardiani, fra Çiprian Nika. Në mars 1967, kur u mbyllën të gjitha kishat në Shqipëri, kisha françeskane u bë «Kinema Punëtori».21
Po atë muaj, më 20 mars 1967 sipas Top Channel-it, eshtrat e Fishtës u zhvarrosën nga kisha me urdhër të organeve të shtetit.9 Çfarë u bë me to, burimet nuk e tregojnë njëlloj; variantet i gjeni te «Çfarë thonë burimet».
Jashtë Shqipërisë vepra vazhdoi të botohej. Françeskanët shqiptarë në mërgim e ribotuan «Lahutën» në Romë më 1958, për herë të parë me vargje të numëruara dhe me shpjegime fjalësh;3 po atë vit doli në Mynih përkthimi i Lambertz-it.20 Më 1990 eposi u botua në Lubjanë.2
Kthimi
5 janar 1991: Shkodra e di përmendësh
Recitimi i vitit 1991, rivarrimi, dy dekorata pas vdekjes, shtëpia në Fishtë dhe një disk me zërin e tij.
Më 5 janar 1991 Fishta u përkujtua hapur në Shkodër, për herë të parë pas gati gjysmë shekulli. Gjatë recitimit të «Lahutës», tregon Elsie, aktori në një çast ngeci, dhe të pranishmit ia plotësuan menjëherë vargjet: shumë pjesë të eposit i dinin ende përmendësh.5 Pedagogia Lili Sula i tha Top Channel-it më 2026 se vepra e ndaluar kishte mbijetuar edhe falë rapsodëve, që e këndonin me lahutë.40
Në mars 1991 dy fretër, Aleks Baqli e Konrad Gjolaj, e rihapën kishën françeskane;21 më 1993 At Zef Pllumi e nxori sërish «Hyllin e Dritës».41 Më 29 dhjetor 1996, sipas Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, eshtrat u rivarrosën në kishën e Gjuhadolit.10
Më 21 nëntor 2002, me dekretin nr. 3567, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes urdhrin «Nderi i Kombit», me propozim të Këshillit të Qarkut të Lezhës; lista e Presidencës e shënon «poet kombëtar, patriot». Me të njëjtin dekret u nderua edhe Elena Gjika.15
Më 23 tetor 2020, në ditëlindjen e tij, u përurua në Fishtë shtëpia e restauruar;22 Top Channel raportoi më 2025 se shtëpia-muze kishte qëndruar e hapur vetëm disa ditë.42 Më 30 dhjetor 2020, në 80-vjetorin e vdekjes, Presidenti i Republikës i dha Dekoratën e Flamurit Kombëtar, «dekoratën më të lartë në Republikën e Shqipërisë», «në vlerësim të veprës atdhetare dhe të rolit të jashtëzakonshëm në fushat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe».14 Në 150-vjetorin e lindjes, më 2021, Presidenti e nderoi me një mesazh që hapej e mbyllej me vargjet e tij.43
Më 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare njoftoi se historiani e koleksionisti Niko Kotherja kishte restauruar një disk 78 rrotullimesh, të thyer në tri pjesë, ku Fishta reciton dy këngë të «Lahutës». Disku, i regjistruar në Shkodër, besohet të jetë i vitit 1937 ose 1938 dhe është, sipas njoftimit, i vetmi material zanor i Fishtës deri më sot.44
Në Kosovë emrin e tij e mban, ndër të tjera, një shkollë fillore e mesme e ulët në Prishtinë.45
Video
Fishta në pamje filmike dhe në lajme
Pamje të vitit 1937, sipas kanalit: Fishta në festën e 25-vjetorit
Njëzet e dy sekonda film. Sipas përshkrimit të kanalit, janë xhiruar në Tiranë më 28 nëntor 1937, në përurimin e monumentit të Pavarësisë, dhe Fishta shihet mes të ftuarve të festimeve të 25-vjetorit.46
Shiko në YouTube35 vjet nga kthimi i eposit të ndaluar
Kronikë me pedagogen Lili Sula për 5 janarin 1991, kur «Lahuta» u interpretua sërish në publik.40
Shiko në YouTubeGjurmët e Fishtës në Lezhë
Reportazh në «trekëndëshin» e tij të Lezhës: shtëpia e lindjes, shtëpia-muze e restauruar dhe kuvendi i Troshanit, me studiuesin dom Nikë Ukgjini dhe botuesin Frano Kulli.47
Shiko në YouTube«Lahuta» në frëngjisht
Përkthyesi Abidin Krasniqi, i lindur në Paris, me baba nga Prizreni, flet për dy vjetët e punës; përkthimi gjendej në libraritë e Parisit nga 26 shtatori 2019.48
Shiko në YouTubeFesta e Abetares në shkollën «Gjergj Fishta», Prishtinë
Nxënësit e shkollës fillore që mban emrin e kryetarit të komisionit të alfabetit festojnë abetaren.49
Shiko në YouTubeVideot janë të kanaleve që i kanë ngarkuar në YouTube dhe luhen këtu, në faqe, kur shtypni butonin; reportazhi i ABC News hapet në YouTube, sepse kanali nuk e lejon luajtjen në faqe të tjera. Përshkrimet tona mbështeten te titujt, te përshkrimet e kanaleve dhe te pamjet e videove; për filmin e vitit 1937 nuk kemi gjetur një burim të dytë.
Zadrima sot
Zadrima, trevat e «Lahutës» dhe diaspora sot
Një fshat ku një agroturizëm mban emrin e librit të tij, një trevë eposi e ndarë mes tri shtetesh dhe lexues kudo ku jetojnë shqiptarë.
Fishta është sot fshat i bashkisë së Lezhës. Përveç shtëpisë së restauruar, aty gjendet agroturizmi «Mrizi i Zanave» i vëllezërve Altin e Anton Prenga, që e ka marrë emrin nga libri «Mrizi i Zanavet» (1913).5051 Faqja zyrtare e agroturizmit shqiptar e quan emblemë të këtij sektori.52
Vendet e «Lahutës» i ndajnë sot tri shtete: Gruda, Plava e Gucia dhe Vranina janë në Mal të Zi, Hoti ndahet mes Malit të Zi e Shqipërisë, Prizreni e Gjakova në Kosovë, Shkodra, Lezha e Zadrima në Shqipëri. Edhe lexuesit e saj janë shpërndarë: vetë Fishta shkoi më 1922 në Amerikë edhe për t'u takuar me shqiptarët e mërgatës atje,17 dhe përkthyesi i eposit në frëngjisht është bir i një prizrenasi, i lindur në Paris.48 Udhëzuesit tanë tregojnë ku jetojnë sot shqiptarët e trevave dhe të vendeve që lidhen me jetën e veprën e tij.
Nga dua.com
Familje nga Zadrima, Shkodra e Malësia jetojnë sot në mbarë botën.
Misioni i dua.com është të lidhë shqiptarët në mbarë botën.
Zbulo dua.com
Yllza & Medini · një histori dashurie nga dua.comLidhje
Gjergj Fishta në internet
Për një poet të gjysmës së parë të shekullit XX, faqet më të besueshme janë ato të studiuesve, të enciklopedive dhe të bibliotekave.
Vepra
Botimet, përkthimet dhe nderimet
Botimet e «Lahutës», përkthimet e saj, veprat e tjera dhe nderimet, ashtu siç i gjetëm te katalogët e te studiuesit. Çdo rresht ka burimin e vet; titujt dhe shtypshkronjat jepen siç i shkruan katalogu; ku ka skanim të lirë, libri lidhet me të.
«Lahuta e Malcís»: botimet
| Viti | Botimi | Vendi dhe shtypshkronja | Lexo |
|---|---|---|---|
| 1905 | «Te Ura e Rrzhanicës», pjesa e parë | Zarë (sot Zadar, në Kroaci), shtypshkronja Vitaliani, sipas Pashk Bardhit183 | — |
| 1907 | Pjesa e dytë: «Oso Kuka» sipas Pashk Bardhit, «Vranina» sipas botimit të Romës | Sarajevë sipas Bardhit, Zarë sipas botimit të Romës183 | — |
| [1913] | «Te Ura e Rzhanicës» dhe «Vranina», secila «e treta dorë» | Shkodër: Shtypshkroja «Nikaj»; viti sipas katalogut8 | — |
| 1923 | «Vranina» | Shkodër: Shtypshkroja Franciskane, 67 f.8 | — |
| 1931 | «Lidhja e Prizrendit», pjesa e dytë | Shkodër: Shtypshkroja Françeskane, 86 f.8 | — |
| 1932 | «Marash Uci», botim i dytë | Shkodër, 55 f.8 | — |
| 1937 | Botimi përfundimtar, 30 këngë | Shkodër: Shtypshkroja Françeskane, 511 f.; pa vit në faqen e titullit812 | Lexo: Internet Archive |
| 1941 | Gjashtë këngë si fletore për shkollat | Tiranë: Ministria e Arsimit8 | — |
| 1958 | «Botim i dytë», me argumente, vargje të numëruara e shpjegime fjalësh | Romë: Françeskanët shqiptarë në mërgim3 | Lexo: Internet Archive |
Elsie rendit botime të zgjeruara më 1912, 1923, 1931 e 1933;2 bibliografia e Bibliotekës Kombëtare njeh botimet e mësipërme, me vitin 1913 të nxjerrë nga «Hylli i Dritës».8
Përkthimet e «Lahutës»
| Viti | Përkthimi | Botimi |
|---|---|---|
| 1925 | Gjermanisht, pjesë: «Die Berglaute», nga Gustav Weigand | Lajpcig: Joh. Ambr. Barth, 1925 (dalë më 1927), f. 173–26527 |
| 1941 | Italisht, Kënga V: «La morte», nga imzot Giulio Bonatti | Shkodër: Tip. «P. G. Fishta», 16 f.8 |
| 1958 | Gjermanisht, i plotë: «Die Laute des Hochlandes», nga Max Lambertz | Mynih: R. Oldenbourg, 312 f. · lexo te Biblioteka Shtetërore e Bavarisë20 |
| 1968–1973 | Italisht, i plotë: «Il liuto della montagna», nga papas Ignazio Parrino | Palermo: Scuola grafica salesiana, 4 fashikuj28 |
| 2003 | Anglisht, këngët I–V: «The Cycle of Oso Kuka», nga Robert Elsie | Pejë: Dukagjini, 167 f.53 |
| 2005 | Anglisht, i plotë: «The Highland Lute», nga Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck | Londër: I.B. Tauris, me Centre for Albanian Studies1629 |
| 2019 | Frëngjisht, i plotë: «Le luth des montagnes», nga Abidin Krasniqi | Paris: L'Harmattan, 618 f.30 |
Veprat e tjera
| Viti | Vepra | Gjinia dhe botimi |
|---|---|---|
| 1906 | «Vierrsha i pershpirteshem t'kthyem shcyp» | Vjersha fetare të përkthyera (Metastasio, Manzoni, Pellico, Zanella), Shkodër2 |
| 1907 | «Ânxat e Parnasit», më vonë «Anzat e Parnasit» | Satirë, pa emër autori, Sarajevë, 67 f. · lexo te Internet Archive132 |
| 1909 | «Pika voëset» | Lirikë, Zarë; kushtuar Luigj Gurakuqit2 |
| 1912 | «Sh' Françesku i Asisit» | Melodramë fetare, Shkodër2 |
| 1913 | «Mrizi i Zanavet» | Lirikë atdhetare e fetare, Shkodër: Shtypshkronja «Nikaj», 115 f.; botime të zgjeruara më 1924, 1931 e 194182 |
| 1920 | «Juda Makabé» | Tragjedi, Shkodër, 30 f.; Elsie jep vitin 1923, kur doli botimi i dytë82 |
| 1923 | «Gomari i Babatasit» | Poemë satirike me pseudonimin «Gegë Toska», Shkodër, 104 f.82 |
| 1925 | «Vallja e Parrizit» | Lirikë fetare, Shkodër, 235 f.82 |
| 1927 | «Sh. Luigji Gonzaga» | Melodramë, Shkodër, 76 f.82 |
| 1931 | «I ligu për mend» | Komedi sipas Molierit, Shkodër, 156 f.82 |
| 1931 | «Ifigenija n'Aullí» | Sipas Euripidit, Shkodër, 46 f.82 |
| 1941 | «Jerina ase mbretnesha e luleve» | Melodramë me pseudonimin «Gegë Toska», Shkodër, 51 f.8 |
Elsie numëron gjithsej tridhjetë e shtatë botime letrare.2
Nderime dhe kujtim
| Viti | Nderimi | Nga |
|---|---|---|
| 1912 | «Mearif», klasi II | Perandoria Osmane3 |
| 1912 | «Ritterkreuz»; Elsie jep vitin 1911 | Austro-Hungaria32 |
| 1925 | «Medaglia al Merito» | Papa Piu XI32 |
| 1930 | «Lector jubilatus honoris causa»; Elsie e jep pa vit | Urdhri françeskan32 |
| 1931 | «Phoenix» | Greqia3 |
| 1939 | Akademik i Italisë, klasa e letrave, dekreti i 16 qershorit | Akademia Mbretërore e Italisë7 |
| 1991 | Përkujtimi i parë publik pas ndalimit, 5 janar | Shkodër5 |
| 1996 | Rivarrimi në kishën françeskane të Gjuhadolit, 29 dhjetor | Shkodër10 |
| 2002 | Urdhri «Nderi i Kombit», pas vdekjes, 21 nëntor, dekreti nr. 3567 | Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me propozim të Këshillit të Qarkut të Lezhës15 |
| 2020 | Shtëpia e restauruar në Fishtë, e përuruar më 23 tetor | Ministria e Kulturës22 |
| 2020 | Dekorata e Flamurit Kombëtar, pas vdekjes, 30 dhjetor | Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në 80-vjetorin e vdekjes14 |
| 2021 | Mesazhi për 150-vjetorin e lindjes | Presidenti i Republikës së Shqipërisë43 |
Çfarë thonë burimet
Pretendimet që qarkullojnë, të kontrolluara
Çfarë mund të provohet, çfarë mbetet e hapur dhe çfarë është gabim.
| Pretendimi | Verdikti | Çfarë thonë burimet |
|---|---|---|
| «U nominua për çmimin Nobel në letërsi.» | E padokumentuar | Arkivi i nominimeve i Fondacionit Nobel, i hapur për letërsinë për vitet 1901–1975, nuk ka asnjë nominim me emrin e Fishtës dhe asnjë të nominuar nga Shkodra a nga Tirana; arkivi regjistron vetëm nominimet e vlefshme.54 Burimet që e përmendin nuk citojnë dokument dhe nuk pajtohen për vitin: vëllimi i Central European University Press nuk jep vit, studiuesi Ismet Bujupaj shkruan 1940.655 Edhe ATSH-ja e përsëriti më 2021 pa dokument.43 |
| «Ishte kryetar i Kongresit të Manastirit.» | E pasaktë | Kongresi e zgjodhi të kryesonte komisionin e alfabetit, jo vetë Kongresin.243 Gabimi gjendet që në biografinë e botimit të Romës (1958), që e quan kryetar të Kongresit.3 Elsie dhe «Hylli i Dritës» i vitit 1938 flasin për njëmbëdhjetë anëtarë,224 Lambertz për «komisionin e të dymbëdhjetëve».20 |
| «Lahuta ka 17 000 vargje.» | Numërim i vjetër | Lambertz shkruante më 1958 për «gati 17 000 vargje»;20 Elsie dhe Mathie-Heck, që e përkthyen të plotë, japin 15 613.229 Vetë Fishta numëronte më 1935 mbi 13 000 vargje të botuara deri atëherë.25 Edhe për vitin ku nis eposi ka dy variante: argumenti i Këngës I dhe Lambertz nisin nga viti 1858, hyrja e Elsie-t nga viti 1862.32016 |
| «Shkoi në Amerikë më 1919.» | Datë e pasaktë | Elsie dhe «Biographisches Lexikon» e lidhin udhëtimin me delegacionin e Parisit të vitit 1919, pa i dhënë datë.24 Letrat e vetë Fishtës, që Frank Shkreli i citon nga vëllimi përkujtimor i përgatitur nga At Benedikt Dema, e japin mbërritjen në Nju-Jork më 8 mars 1922.17 |
| «Eshtrat iu hodhën në Drin.» | E diskutueshme | Elsie shkruan se eshtrat u nxorën fshehurazi dhe u hodhën në lumë;5 vëllimi i Central European University Press saktëson: më 1967, në Drin.6 Sipas një dëshmie që përcjell Top Channel, një pjesë u shpëtua dhe u varros fshehtas në varrezat e Rrëmajit në Shkodër.9 Më 1996 eshtrat u rivarrosën në kishën françeskane.10 |
| «Më 1913 e lidhi me drita kambanoren e kishës me minaren e xhamisë.» | Gojëdhënë | Tregohet se, kur komandanti i forcave ndërkombëtare i kërkoi ta ulte flamurin nga kambanorja e Gjuhadolit, Fishta urdhëroi të lidhej me drita kisha me minaren e xhamisë së Fushë-Çelës.56 Shkrimet që e tregojnë nuk citojnë dokument të kohës, dhe as Elsie, as «Biographisches Lexikon» nuk e përmendin.24 |
| «Zëri i tij është ruajtur.» | E mbështetur | Sipas ATSH-së, një disk 78 rrotullimesh me zërin e tij u restaurua më 2025; e tregojmë te kapitulli «Kthimi».44 Kanali që e ka ngarkuar regjistrimin në YouTube e paraqet me rezervë («mendohet») si zërin e autorit.31 |
Pyetje
Pyetjet që bëhen më shpesh
Përgjigje të shkurtra për pyetjet që lexuesit kërkojnë.
Kush ishte Gjergj Fishta?
Gjergj Fishta (1871–1940) ishte frat françeskan nga Fishta e Zadrimës, poet, mësues, publicist dhe deputet. Njihet për eposin «Lahuta e Malcís» dhe për rolin si kryetar i komisionit të alfabetit në Kongresin e Manastirit më 1908.
Çfarë është «Lahuta e Malcís»?
Një epos historik në vargje për luftën e shqiptarëve të Veriut për tokën dhe lirinë, nga përleshjet me Malin e Zi rreth vitit 1860 deri te Konferenca e Londrës më 1913. Pjesa e parë doli në Zarë më 1905; botimi përfundimtar në Shkodër më 1937.
Sa këngë dhe sa vargje ka «Lahuta e Malcís»?
Tridhjetë këngë. Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck, që e përkthyen të plotë në anglisht, numërojnë 15 613 vargje; Max Lambertz shkruante për gati 17 000.
Cili ishte roli i Fishtës në Kongresin e Manastirit?
Mori pjesë si përfaqësues i shoqërisë «Bashkimi» të Shkodrës dhe u zgjodh kryetar i komisionit prej njëmbëdhjetë vetash që do të zgjidhte alfabetin. Pas tri ditësh, komisioni mbështeti dy alfabete: atë të Stambollit, të ndryshuar, dhe një alfabet latin, që është baza e alfabetit të sotëm.
Pse u ndalua Fishta në kohën e komunizmit?
Regjimi e quajti poet klerikal dhe «Lahutën» vepër antisllave, dhe i kujtoi anëtarësinë në Akademinë e Italisë më 1939. Sipas Robert Elsie-t, arsyeja e vërtetë ishte ndikimi i Beogradit mbi komunistët shqiptarë në vitet 1944–1948, kur një vepër që quhej antisllave nuk mund të pranohej. Vepra mbeti e ndaluar deri më 1990.
A u nominua Fishta për çmimin Nobel?
Thuhet shpesh, herë pa vit e herë me vitin 1940, por arkivi i nominimeve i Fondacionit Nobel nuk ka asnjë nominim me emrin e tij. Asnjë nga burimet që e përmendin nuk citon dokument.
Ku është varri i Gjergj Fishtës?
U varros më 1940 në kishën françeskane të Gjuhadolit në Shkodër. Në mars 1967 eshtrat u zhvarrosën me urdhër të shtetit; për fatin e tyre ka disa dëshmi. Më 29 dhjetor 1996 eshtrat u rivarrosën në të njëjtën kishë.
Ku mund ta lexoj «Lahutën e Malcís»?
Botimi i vitit 1937 dhe botimi i Romës i vitit 1958, me shpjegime fjalësh, janë të skanuar në Internet Archive. Përkthimi gjermanisht i Max Lambertz-it lexohet te Biblioteka Shtetërore e Bavarisë, ndërsa Këngën I në anglisht Robert Elsie e ka botuar falas në faqen e tij.
Burimet
- Gjergj Fishta, «Mrizi i Zanave», Tiranë: Shtëpia Botuese «Naim Frashëri», 2006; skanim në Internet Archive.
- Robert Elsie, «Gjergj Fishta», albanianliterature.net (Albanian Literature in Translation).
- At Gjergj Fishta, «Lahuta e Malcís», botim i dytë, përgatitur nga At Danjel Gjeçaj, Romë: Françeskanët shqiptarë në mërgim, 1958; skanim në Internet Archive.
- Claus Haebler, «Fishta, Gjergj», Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas, vëll. 1, Mynih 1974, f. 516–518 (kopje e arkivuar).
- Robert Elsie, «Gjergj Fishta, the Voice of the Albanian Nation», Albanian Catholic Bulletin 14 (1993), f. 104–113.
- «Gjergj Fishta: The highland lute», Te: A. Ersoy, M. Górny, V. Kechriotis (red.), «Modernism: Representations of National Culture», Central European University Press, Budapest 2010, f. 224–229.
- Donato Martucci, «Sua Eccellenza Giorgio Fishta, Accademico d'Italia, e l'edizione italiana del Kanun», Palaver 4 n.s. (2015), nr. 2, f. 231–264, Università del Salento.
- M. Gjinaj, M. Mele, M. Elmazi, «Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare (1913–1944)», Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, Tiranë 2010.
- «Vitrina e librit: 150-vjetori i lindjes së shkrimtarit të madh Gjergj Fishta», Top Channel, 8 nëntor 2021.
- «29 December 1996, the reburial of the bones of Gjergj Fishta», Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë.
- «Gjergj Fishta, 74 vjet pasi ndërroi jetë», Radio Vatikani, 30 dhjetor 2014 (arkivi).
- P. Gjergj Fishta, O.F.M., «Lahuta e Malcís», botimi përfundimtar, Shkodër: Shtypshkroja Françeskane, [1937]; kopja e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, skanim në Internet Archive.
- «Ânxat e Parnasit», botimi i parë, pa emër autori, Sarajevë: «Bosn. Post», 1907; kopja e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, skanim në Internet Archive.
- «80-Vjetori i ndarjes nga jeta/ Meta nderon At Gjergj Fishtën me Dekoratën e Flamurit», Gazeta Express, 30 dhjetor 2020.
- Urdhri «Nderi i Kombit» (2002): lista e të dekoruarve, Presidenca e Republikës së Shqipërisë; kopje e arkivuar më 10 tetor 2006.
- Robert Elsie, «Gjergj Fishta and the Albanian National Epic», Hyrje te «The Highland Lute», I.B. Tauris dhe Centre for Albanian Studies, Londër 2005.
- Frank Shkreli, «At Gjergj Fishta, arkitekt i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane», Gazeta «Telegraf», 23 qershor 2025.
- At Pashk Bardhi, «Si xuni fill Lahuta e Malcis», Shkodër, 24 kallnduer 1941; te «Lahuta e Malcís», Romë 1958, f. XV–XVII.
- «A Guide to the United States' History of Recognition, Diplomatic, and Consular Relations, by Country: Albania», Office of the Historian, Departamenti i Shtetit i SHBA-së.
- Gjergj Fishta, «Die Laute des Hochlandes (Lahuta e Malcis)», përkthyer e pajisur me hyrje nga Max Lambertz, Südosteuropäische Arbeiten 51, Mynih: R. Oldenbourg, 1958; skanim i Bibliotekës Shtetërore të Bavarisë.
- «Françeskanët erdhën në Shkodër që në vitin 1288», Vatican News, nëntor 2019.
- «Fjala e ministres së Kulturës Elva Margariti në përurimin e shtëpisë së restauruar të At Gjergj Fishtës, Lezhë», Ministria e Kulturës e Shqipërisë, 23 tetor 2020.
- «Kongresi i Manastirit (14–22 nëntor 1908)», Gazeta «Dielli», Federata Panshqiptare «Vatra».
- Dorina Daiu dhe Rudina Mita, «Nga Kongresi i Manastirit te represaljet e regjimit komunist», Diskutime 35–36 (2024), f. 113–114.
- At Gjergj Fishta, «Proza», vëllimi II (1923–1940), përgatitur nga Persida Asllani, Shkodër: Botime Françeskane, 2006; skanim në Internet Archive.
- Myrvete Dreshaj-Baliu, «Fishta në Kosovë: ndërmjet adhurimit letrar dhe performancës narrative», Gjurmime Albanologjike: Folklor dhe Etnologji 51 (2021), f. 225–242, Prishtinë.
- «Die Berglaute: Lahuta e Malcis», botuar, përkthyer e shpjeguar nga Gustav Weigand, Lajpcig: Joh. Ambr. Barth, 1925, Deutsche Nationalbibliothek, skeda e katalogut.
- Giorgio Fishta, «Il liuto della montagna», parathënie, koment, përkthim e shënime nga papas Ignazio Parrino, Palermo 1968–1973, OPAC SBN, katalogu i bibliotekave italiane.
- Janice Mathie-Heck, «Translating Gjergj Fishta's epic masterpiece, Lahuta e Malcis, into English as The Highland Lute», TranscUlturAl 1 (2), 2009, University of Alberta.
- Gjergj Fishta, «Le luth des montagnes: une épopée albanaise», përkthyer nga Abidin Krasniqi, Paris: L'Harmattan, 2019, Bibliothèque nationale de France, skeda e katalogut.
- «Fishta reciton pjesë t' Lahúts' Malsis: zani origjinal i tij i shoqnuem me titra», YouTube, kanali Aleni Videos, 18 dhjetor 2021.
- «Rifat Berisha: Oso Kuka me lahutë», YouTube, kanali RTV Fontana, 11 nëntor 2025.
- «Kangë IX, Lidhja e Prizrendit: reciton Artur Shkurti», YouTube, kanali Udha e Shkronjave, 28 nëntor 2025.
- «Kush ishte vërtetë Oso Kuka? Gjurmë Shqiptare», YouTube, kanali Top Channel Albania, 20 nëntor 2021.
- «“Lahuta e Malcis” ngjitet në skenë: dramatizim emocionues në Lezhë kushtuar poetit kombëtar Fishta», YouTube, kanali RTSH, 31 tetor 2025.
- «Festë për lahutën dhe at' Gjergj Fishtën», YouTube, kanali RTSH Shkodra, 29 dhjetor 2025.
- «In memoriam of eminent Albanian poet and politician, Gjergj Fishta», Euronews Albania, 23 tetor 2023.
- Arsim Halili, «Maksimilian Lamberci, njohës dhe studiues i shquar i letërsisë shqipe», Albanologjia 21–22 (2024), f. 51–56.
- Enver Muhametaj, «Gjergj Fishta në këndvështrimin e shkencës letrare shqiptare», Studime Filologjike 3–4 (2007), f. 133–152, Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
- «“Lahuta e Malcis”, 35 vjet nga rikthimi i epopesë së ndaluar që sfidoi diktaturën», Top Channel, 5 janar 2026.
- «106 vite histori e revistës së parë shqiptare: “Hylli i Dritës” vjen në një ekspozitë», ABC News Albania, 30 tetor 2019.
- «U harxhuan miliona për rikonstruksion, shtëpisë-muze të Fishtës i del pronari», Top Channel, «Inside Story», 29 janar 2025.
- «At Gjergj Fishta në 150-vjetorin e lindjes», Agjencia Telegrafike Shqiptare, 23 tetor 2021.
- «Restaurohet disku i rrallë me zërin e at Gjergj Fishtës», Agjencia Telegrafike Shqiptare, 9 dhjetor 2025.
- «Plani zhvillimor i shkollës: SHFMU “Gjergj Fishta”, Prishtinë», Komuna e Prishtinës, Drejtoria e Arsimit, 12 shtator 2019.
- «Gjergj Fishta: material i rrallë video më 1937», YouTube, kanali ARKIVKORCE, 27 prill 2011.
- «Gjurmët e At' Gjergj Fishtës në Lezhë», YouTube, kanali ABC News Albania, 13 shkurt 2021.
- «“Lahuta e Malësisë” në frëngjisht, Abidin Krasniqi: Do përkthej dhe veprat e tjera të Fishtës», YouTube, kanali Top Channel Albania, 8 nëntor 2019.
- «Shkolla fillore “Gjergj Fishta” në Prishtinë shënon “Festën e Abetares”», YouTube, kanali Klan Kosova, 22 prill 2017.
- «Poetic dining experience: Mrizi i Zanave», Prishtina Insight.
- «Albania: the pride of the fairies», Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa, 24 dhjetor 2015.
- «Mrizi i Zanave», Agrotourism Albania, faqe e qeverisë shqiptare.
- Gjergj Fishta, «The Highland Lute: Cantos I–V: The Cycle of Oso Kuka», përkthyer nga Robert Elsie, Pejë: Dukagjini, 2003, Bibliothèque nationale de France, skeda e katalogut.
- «Nomination Archive», arkivi i nominimeve për çmimet Nobel; për letërsinë 1901–1975, Nobel Prize Outreach.
- Ismet Bujupaj, «“Always Bayram, Always Easter”: The Call for Albanian Civic Unity in Gjergj Fishta's The Highland Lute», Anafora V (2018), nr. 1, f. 203–214.
- «Hymni i flamurit, 12 qershor 1913», Gazeta «Panorama».
Për të lexuar më shumë
- Robert Elsie, «Gjergj Fishta»albanianliterature.net (Albanian Literature in Translation). [2]Jeta dhe vepra e tij, nga albanologu që e përktheu eposin në anglisht.
- At Gjergj Fishta, «Lahuta e Malcís», botim i dytë, përgatitur nga At Danjel GjeçajRomë: Françeskanët shqiptarë në mërgim, 1958; skanim në Internet Archive. [3]Eposi i plotë, me vargje të numëruara, argumente dhe shpjegime fjalësh.
- Robert Elsie, «Gjergj Fishta and the Albanian National Epic»Hyrje te «The Highland Lute», I.B. Tauris dhe Centre for Albanian Studies, Londër 2005. [16]Hyrja e përkthimit anglisht, me përmbajtjen e secilës këngë.
- Myrvete Dreshaj-Baliu, «Fishta në Kosovë: ndërmjet adhurimit letrar dhe performancës narrative»Gjurmime Albanologjike: Folklor dhe Etnologji 51 (2021), f. 225–242, Prishtinë. [26]Si u lexua, u ndalua dhe u këndua Fishta në Kosovë.
- Donato Martucci, «Sua Eccellenza Giorgio Fishta, Accademico d'Italia, e l'edizione italiana del Kanun»Palaver 4 n.s. (2015), nr. 2, f. 231–264, Università del Salento. [7]Dokumentet e Akademisë së Italisë për vitet e fundit të jetës së tij, në italisht.
Rreth kësaj faqeje
Kush e shkroi dhe si
Autori, rishikimet, korrigjimet, metoda dhe si ta citoni.
- Autori
- Eduard Luta
- Rishikimi shkencor
- Ende pa rishikim nga një historian ose albanolog; do të shënohet këtu kur të bëhet.
- Rishikimi i fundit
- 17 nëntor 2026 · rishikimi i radhës: nëntor 2029
- Korrigjime dhe përditësime
- Asnjë korrigjim ose përditësim deri më tani.
Shënim për metodën. Vargjet e Fishtës jepen në gegërishten dhe me drejtshkrimin e botimit nga janë marrë: «Lahuta e Malcís» sipas botimit të Romës (1958), që ndjek tekstin e vitit 1937 dhe i numëron vargjet; poezitë e «Mrizit të Zanave» sipas botimit të Tiranës (2006). Ku burimet nuk pajtohen për një datë a një numër, e themi te «Çfarë thonë burimet». Citimet nga anglishtja, gjermanishtja dhe italishtja i ka përkthyer dua.com. Wikipedia dhe Wikidata përdoren vetëm për të gjetur burime, jo si burime.
Si ta citoni: Eduard Luta, «Gjergj Fishta», dua.com, rishikuar më 17 nëntor 2026, https://www.dua.com/sq/shqiptare-te-njohur/gjergj-fishta/
dua.com është aplikacioni i bërë për shqiptarët. Misioni ynë është të lidhim shqiptarët në mbarë botën. dua.com nuk është i lidhur me personat e paraqitur dhe nuk mbështetet prej tyre.
Nga dua.com
Nga dua.com, aplikacioni i bërë për shqiptarët.
Misioni ynë: të lidhim shqiptarët në mbarë botën.
Shkarko aplikacionin


