Fejesa kosovare nuk është veç një unazë, një darkë dhe disa foto të bukura për Instagram. Për shumë çifte, është momenti kur lidhja bëhet “zyrtare” edhe para familjes, kur dy botë fillojnë të afrohen dhe kur pyetja “kur po fejoheni?” më në fund merr përgjigje.
Sot, fejesa në Kosovë mund të duket krejt ndryshe nga ajo e prindërve tanë. Disa çifte zgjedhin një festë të madhe me familje e muzikë, të tjerë preferojnë diçka më intime, ndërsa shumë të rinj kombinojnë traditat që i duan me mënyrën e tyre moderne të festimit.
Por, pavarësisht nëse po planifikoni një fejesë tradicionale, një darkë të vogël apo një propozim surprizë, një gjë mbetet e njëjtë: fejesa ka kuptim kur pas saj qëndron personi i duhur.
Për më shumë rreth kësaj teme, lexoni Një takim – Pse ai ju shkruan por nuk ju fton? dhe Vajza beqare – Arsyet pse nuk lidhen me meshkuj.
Çka është fejesa kosovare?
Fejesa kosovare është momenti kur një çift vendos ta çojë lidhjen drejt martesës dhe, tradicionalisht, këtë vendim e ndan edhe me familjet. Për gjeneratat e mëhershme, fejesa nuk ishte vetëm çështje mes dy personave. Ishte edhe afrimi i dy familjeve. Familjarët takoheshin, bëhej kërkesa për dorën e vajzës, shkëmbeheshin dhurata dhe organizohej një festë për ta bërë lidhjen “zyrtare”.
Edhe sot familja vazhdon të ketë rëndësi. Por mënyra se si çiftet arrijnë deri te fejesa ka ndryshuar shumë. Sot, zakonisht janë vetë dy partnerët që njihen, krijojnë lidhjen dhe vendosin kur janë gati për hapin tjetër. Familjet përfshihen më pas — për ta festuar vendimin, jo domosdoshmërisht për ta marrë atë. Prandaj, fejesa kosovare sot është një kombinim interesant: pak traditë, pak stil modern dhe shumë personalitet të çiftit.
Si ka ndryshuar fejesa kosovare ndër vite?
Nëse i pyetni prindërit ose gjyshërit si janë fejuar, ka shumë gjasa të dëgjoni një histori krejt tjetër nga ato që shohim sot. Dikur, familja kishte rol shumë më të madh në njohjen dhe fejesën e një çifti. Në disa raste, familjet njiheshin para se çifti të kishte pasur mundësi ta njihte mirë njëri-tjetrin. Vizita në shtëpi, kërkesa për dorën e vajzës dhe marrëveshja mes familjeve ishin pjesë e rëndësishme e procesit.
Sot? Shumica e historive fillojnë ndryshe. Mund të njiheni përmes shoqërisë, në universitet, në punë, gjatë një udhëtimi apo edhe me një match online. Flisni, dilni bashkë, njihni njëri-tjetrin dhe vetëm kur lidhja bëhet serioze fillon muhabeti për fejesë. Edhe vetë propozimi është bërë shumë më personal. Dikush zgjedh një darkë vetëm për dy. Dikush organizon një surprizë me miqtë dhe familjen. Dikush tjetër dëshiron gjithë momentin me lule, fotograf, video dhe atë foton e unazës që përfundon në Instagram pesë minuta më vonë. Por kjo nuk do të thotë se traditat janë zhdukur.
Nga një match te “Po”: histori fejese që nisën në dua.com
Mund të flasim për unazën, familjen, traditat dhe festën. Por para krejt këtyre duhet diçka tjetër: personi me të cilin dëshironi t'i përjetoni të gjitha. Dhe po, ndonjëherë e gjithë historia mund të fillojë me një match në dua.com.
Para unazës vjen lidhja; para fejesës, njohja. Krijoni profilin tuaj në dua.com dhe shihni kë mund të njihni. Ndoshta herën tjetër që dikush t'ju pyesë “Kur po fejoheni?”, do ta keni një përgjigje.
Lexoni këtu të gjitha historitë e dashurisë që nisën në dua.com
Para fejesës: A jeni vërtet gati?
Kur familja dhe rrethi fillojnë me “hajt se ju erdhi koha”, është e lehtë ta shihni fejesën si hapin e radhës. Por nuk ka një afat që funksionon për çdo çift. Për një udhëzues më të plotë, lexoni kur është koha e duhur për t'u fejuar. Para se të mendoni për unazën, sallën apo listën e mysafirëve, ia vlen të keni disa biseda serioze.
Flisni hapur për martesën dhe mënyrën si e imagjinoni të ardhmen. A dëshironi fëmijë? Ku dëshironi të jetoni? Si i menaxhoni paratë? Çfarë roli do të kenë familjet në jetën tuaj? Si i zgjidhni konfliktet kur nuk pajtoheni?
Shenjat që mund të jeni gati për fejesë
Një lidhje e shëndetshme nuk matet me sa bukur dukeni bashkë në foto. Më shumë rëndësi ka si funksiononi kur jeta nuk duket e përsosur për Instagram.
Mund të jeni gati për hapin tjetër kur:
- mund të flisni hapur edhe për tema të vështira;
- i besoni njëri-tjetrit;
- dini të debatoni pa e humbur respektin;
- keni folur seriozisht për martesën dhe të ardhmen;
- njihni vlerat dhe prioritetet e njëri-tjetrit;
- nuk po fejoheni vetëm sepse familja apo rrethi po ju bën presion;
- dhe, mbi të gjitha, të dy e dëshironi këtë hap.
Sipas The Gottman Institute, besimi dhe përkushtimi ndërtohen përmes veprimeve të përditshme dhe mënyrës se si partnerët e mbështesin njëri-tjetrin.
Fejesa duhet të ndihet si një vendim që e merrni bashkë, jo si një afat që duhet ta përmbushni. Pyetja nuk është vetëm: “A është koha të fejohemi?”, por edhe: “A është ky personi i duhur me të cilin dua ta ndërtoj jetën?”
Propozimi: Para fejesës vjen një pyetje e madhe
Para festës, familjarëve dhe planeve për fejesë, zakonisht vjen ai moment që mbahet mend gjatë: “A do të martohesh me mua?” Propozimi nuk duhet patjetër të duket si skenë filmi. Për dikë, momenti i përsosur është një darkë romantike vetëm për dy. Për dikë tjetër është një udhëtim, vendi ku janë takuar për herë të parë apo një surprizë me njerëzit më të afërt. Sekreti është i thjeshtë: bëjeni personal. Mendoni për personin që keni përballë. A i pëlqejnë surprizat? A ndihet rehat në qendër të vëmendjes? A do ta dëshironte gjithë familjen aty apo do të preferonte që ai moment të ishte vetëm i juaji? Një propozim me 100 njerëz mund të duket spektakolar në TikTok, por nëse partnerja apo partneri juaj dëshiron diçka private, ndoshta nuk është ideja më e mirë.
Nga një match në dua.com te unaza: Gentriti & Agnesa
Për Gentritin dhe Agnesën, historia filloi në dua.com dhe, pak më shumë se një vit më vonë, arriti te një hap i ri në lidhjen e tyre serioze. Gentriti vendosi t'i bënte Agnesës një propozim surprizë — dhe dua e ndihmoi për ta organizuar momentin. Ai u ul në gjunjë, nxori unazën dhe Agnesa tha “Po”.
Për Agnesën, surpriza ishte krejt e papritur. Ajo e përshkroi momentin si diçka që nuk e kishte imagjinuar se do t'i ndodhte në atë mënyrë dhe tregoi sa e lumtur ishte që kishte Gentritin në jetën e saj.
Si organizohet një fejesë kosovare?
Erdhi “Po”-ja. Urimet u bënë. Fotografia e unazës u dërgua në grupet familjare. Tash fillon pjesa tjetër: organizimi i fejesës. Një fejesë kosovare mund të jetë një darkë e vogël me familjet më të afërta, por mund të kthehet edhe në një festë me sallë, muzikë, dekor dhe shumë mysafirë. Nuk ka një formulë që duhet ta ndiqni patjetër. Para se të rezervoni diçka, vendosni çfarë lloj fejesë dëshironi ju si çift dhe sa dëshironi të shpenzoni.
- Vendoseni buxhetin
- Bëjeni listën e mysafirëve
- Zgjidhni vendin
- Zgjidhni datën
- Mendoni për ushqimin
- Zgjidhni dekorin sipas stilit tuaj
- Planifikoni muzikën
- Mos harroni fotografin dhe videon
Çka vishet në një fejesë kosovare?
Nëse ka një ditë kur veshja merr pak më shumë vëmendje se zakonisht, është fejesa. Por sot nuk ekziston më një rregull i vetëm për atë se çka “duhet” të vishni. Disa çifte zgjedhin elegancën klasike, të tjerë elemente tradicionale, ndërsa shumë e përshtatin veshjen me stilin dhe madhësinë e festës. Para se të mendoni çka është në trend, pyeteni veten: “Në çka ndihem mirë dhe si dua ta kujtoj veten në këtë ditë?”
Tradicionalisht, veshja e vajzës ka qenë një prej elementeve më të rëndësishme të fejesës. Edhe sot vazhdon të marrë vëmendje, vetëm se zgjedhjet janë shumë më të lira.
Mund të jetë një fustan elegant, një kostum modern, një veshje me elemente tradicionale shqiptare apo diçka krejt minimaliste. Në disa fejesa më të mëdha, nusja zgjedh edhe dy veshje: një për fillimin e mbrëmjes dhe një tjetër për pjesën e festës.
Zgjidhni diçka që ju bën të ndiheni si versioni më i mirë i vetes, jo si dikush që po luan rolin e “nuses së fejuar”.
Po dhëndri?
Për dhëndrin, kostumi vazhdon të jetë zgjedhja klasike, sidomos për një fejesë më formale. Por edhe këtu nuk është e nevojshme të ndiqet një formulë fikse. Një kostum i thjeshtë, një këmishë elegante apo një kombinim më i lirshëm mund të funksionojë shumë mirë, varësisht nga vendi dhe atmosfera e festës. Një detaj që ia vlen ta mendoni bashkë është që veshjet tuaja të përshtaten, jo domosdoshmërisht të kombinohen ngjyrë për ngjyrë.
Cilat zakone të fejesës kosovare ruhen ende?
Fejesat kosovare kanë ndryshuar shumë, por disa tradita vazhdojnë të jenë pjesë e këtij momenti. Sigurisht, jo çdo familje feston njësoj. Zakonet mund të ndryshojnë nga një familje te tjetra, nga një rajon në tjetrin dhe, sot, edhe nga ajo që vetë çifti dëshiron të ruajë. Disa i ndjekin traditat pothuajse komplet. Të tjerë marrin vetëm pjesët që kanë kuptim për ta. Dhe të dyja janë në rregull.
Takimi i dy familjeve
Një nga pjesët që vazhdon të ketë rëndësi është takimi mes familjeve. Edhe kur çifti është bashkë prej vitesh dhe vendimin për fejesë e ka marrë vetë, momenti kur familjet mblidhen mund ta bëjë gjithë situatën të ndihet pak më… zyrtare. Për disa familje është një vizitë e vogël në shtëpi. Për të tjera është darkë me familjen e gjerë. E për disa, ky takim kalon direkt në festën e fejesës. Formati ka ndryshuar, por ideja ka mbetur: dy njerëz po bashkojnë jetën e tyre dhe familjet po bëhen pjesë e këtij kapitulli.
Kërkimi i dorës së vajzës
Në fejesat tradicionale, kërkimi i dorës së vajzës kishte një rol shumë më formal. Sot, shumica e çifteve e kanë marrë vendimin për martesë shumë kohë para se të ulen familjet për kafe. Megjithatë, disa familje vazhdojnë ta ruajnë këtë moment si një gjest respekti dhe tradite.
Dallimi është se sot, në një marrëdhënie moderne, kjo nuk duhet të jetë një vendim që merret për çiftin. Mund të jetë një mënyrë simbolike për t'i përfshirë familjet në një vendim që dy partnerët e kanë marrë tashmë bashkë.
Unazat e fejesës
Unaza mbetet një nga simbolet më të njohura të fejesës. Disa çifte e zgjedhin unazën bashkë. Dikush preferon surprizën. Të tjerë nuk janë të lidhur me idenë se një fejesë duhet patjetër të ketë një unazë të shtrenjtë. Çmimi i unazës nuk tregon sa serioze është lidhja; rëndësi ka kuptimi që ajo ka për ju. Nëse doni të dini çka mendojnë të tjerët për këtë temë, shikojeni këtë video:
Dhuratat mes familjeve
Në disa familje kosovare vazhdon tradita e shkëmbimit të dhuratave gjatë fejesës. Çfarë dhurohet dhe sa formal është ky moment ndryshon shumë. Mund të jenë stoli, veshje, ëmbëlsira apo dhurata simbolike për çiftin dhe familjarët. Nëse familjet tuaja kanë zakone të ndryshme, flisni për to paraprakisht.
Traditë apo zgjedhje?
Ndoshta pyetja më e mirë nuk është: “Cilat zakone duhet t'i bëjmë?”, por: “Cilat prej tyre kanë rëndësi për ne?” Mund ta ruani takimin tradicional të familjeve dhe ta bëni propozimin modern. Mund të vishni diçka tradicionale për një pjesë të mbrëmjes dhe pastaj të ndërroni veshjen. Mund të organizoni një festë të madhe ose vetëm një darkë me njerëzit më të afërt. Traditat nuk humbin domosdoshmërisht kur ndryshojnë. Ndonjëherë, ato thjesht përshtaten me gjeneratën që po i vazhdon.
Sa kushton një fejesë në Kosovë?
Përgjigjja e shkurtër? Varet. Shumë. Një fejesë në Kosovë mund të jetë një darkë e vogël me familjen, por mund të organizohet edhe si një festë e madhe me sallë, muzikë live, fotograf, dekor dhe dhjetëra apo qindra mysafirë. Prandaj, në vend se të niseni nga pyetja “Sa kushton një fejesë?”, nisuni nga kjo: “Sa duam dhe sa mundemi të shpenzojmë?” Një fejesë e bukur nuk duhet të vijë me muaj stresi financiar pas saj.
Çka e përcakton koston e fejesës?
Shpenzimi më i madh zakonisht lidhet me madhësinë e festës. Sa më shumë mysafirë, aq më shumë rriten shpenzimet për ushqim, pije, tavolina dhe hapësirë. Pastaj vijnë elementet e tjera që mund ta rrisin buxhetin:
- restoranti ose salla;
- ushqimi dhe pijet;
- unazat;
- veshjet;
- fotografia dhe videoja;
- muzika ose DJ;
- lulet dhe dekorimi;
- grimi dhe flokët;
- torta dhe ëmbëlsirat;
- ftesat dhe detajet e tjera të festës.
Jo çdo fejesë ka nevojë për të gjitha. Nëse diçka nuk ka rëndësi për ju si çift, nuk duhet ta shtoni në listë vetëm sepse e keni parë në fejesat e tjera.
Fejesë e vogël apo festë e madhe?
Një festë më e vogël ju lejon ta investoni buxhetin në disa gjëra që kanë më shumë rëndësi për ju: ushqim të mirë, një fotograf që e pëlqeni ose një ambient më intim. Një fejesë e madhe, nga ana tjetër, kërkon më shumë planifikim dhe zakonisht një buxhet më të lartë. Asnjëra nuk është “më kosovare” apo më e vlefshme se tjetra.
Nëse ëndrra juaj është një sallë plot me familjarë, muzikë dhe valle deri vonë, bëjeni. Nëse preferoni 20 njerëzit tuaj të afërt rreth një tavoline — edhe më mirë. Numri i mysafirëve nuk e mat rëndësinë e momentit.
Ku mund të kurseni?
Jo çdo detaj duhet të jetë luksoz. Mund të zgjidhni një dekor më minimalist, ftesa digjitale, më pak lule ose një ambient që nuk kërkon shumë dekorim shtesë. Para se të rezervoni një shërbim, kërkoni disa oferta dhe kontrolloni saktësisht çka përfshihet në çmim. Oferta më e lirë nuk është gjithmonë më e mira, por as më e shtrenjta nuk është automatikisht më e mira.
Ku ia vlen të mos kurseni?
Kjo varet nga prioritetet tuaja. Nëse fotografitë kanë shumë rëndësi për ju, investoni te një fotograf të cilit i besoni. Nëse familja juaj e do muzikën dhe e dini që pista do të jetë plot gjithë natën, ndoshta muzika meriton një pjesë më të madhe të buxhetit. Zgjidhni dy ose tri gjëra që kanë më shumë rëndësi për ju dhe ndërtojeni buxhetin rreth tyre. Kështu nuk përfundoni duke shpenzuar shumë në detaje që ditën tjetër mezi do t'i mbani mend.
Mos e organizoni fejesën për t'i impresionuar të tjerët
Kjo është ndoshta këshilla më e rëndësishme për buxhetin. Është shumë e lehtë ta krahasoni fejesën tuaj me atë që shihni në Instagram, TikTok apo te dikush tjetër.
Edhe më e lehtë është të mendoni: “Po çka kanë me thënë njerëzit?” Por ata do të shkojnë në shtëpi pas disa orësh.
Faturat mbesin me ju. Vendosni një buxhet që ka kuptim për jetën tuaj dhe mos harroni se fejesa është fillimi i një kapitulli të ri — jo një konkurs se kush e organizoi festën më të madhe. Në fund, askush nuk do ta kujtojë numrin e luleve në tavolinë. Do ta kujtoni si jeni ndier atë natë.
Gabimet që s'ia vlen t'i bëni gjatë organizimit të fejesës
Kur organizoni një fejesë, papritur të gjithë kanë një mendim. Familja ka një ide. Shoqëria një tjetër. Instagrami ju bind se ju duhen 4,000 lule dhe një tabelë neon me mbiemrin tuaj. Mes gjithë kësaj, është shumë e lehtë të harroni një detaj të vogël: kjo është fejesa juaj. Prandaj, para se të humbni në lista, rezervime dhe pritshmëri, ja disa gabime që ia vlen t'i shmangni.
1. Të organizoni fejesën për t'i kënaqur të gjithë
E vërteta është se nuk do t'ia dilni t'i kënaqni të gjithë. Dikush do më shumë muzikë tradicionale. Dikush mendon se duhet sallë më e madhe. Dikush tjetër pyet pse nuk e keni ftuar një kushëri që s'e keni parë prej vitit 2017. Dëgjojini njerëzit që kanë rëndësi për ju, sidomos nëse familjet po ju ndihmojnë me organizimin. Por në fund, vendimet kryesore duhet t'ju përfaqësojnë ju si çift.
2. Të shpenzoni vetëm për t'u dukur
Është shumë e lehtë që një festë të kthehet në krahasim. Një dekor më i madh. Një sallë më luksoze. Një fustan tjetër. Edhe një detaj për fotografi. Para çdo shpenzimi, pyeteni veten: “A e duam vërtet këtë apo po e bëjmë sepse e kemi parë diku tjetër?” Nëse përgjigjja është e dyta, ndoshta ato para mund të përdoren më mirë për diçka që ka më shumë rëndësi për ju.
3. Të mos flisni për buxhetin
Romantike? Jo fort. E nevojshme? Absolutisht. Vendoseni buxhetin para se të fillojnë rezervimet dhe jini të qartë se kush po paguan për çka. Sidomos kur përfshihen edhe familjet, një bisedë e hapur në fillim mund të shmangë shumë keqkuptime më vonë.
4. Të ftoni njerëz vetëm nga obligimi
Lista e mysafirëve mund të rritet shumë shpejt. Fillon me familjen dhe miqtë. Pastaj vijnë kushërinjtë e largët dhe miqtë e prindërve. Dikush thotë: “Po ata na kanë ftuar ne.” Dhe papritur po kërkoni sallë për 300 veta. Nëse dëshironi një festë të madhe, shumë mirë. Por nëse jo, është në rregull të vendosni një kufi. Ftoni njerëzit me të cilët dëshironi realisht ta ndani atë moment.
5. Të kopjoni fejesën e dikujt tjetër
Pinterest dhe TikTok janë të shkëlqyera për frymëzim. Për kopjim? Jo aq shumë. Trendet ndryshojnë; historia juaj jo. Merrni ide nga të tjerët, por shtoni detaje që kanë lidhje me ju: një këngë, një fotografi, një vend, një ushqim apo një traditë familjare. Janë pikërisht këto gjëra që e bëjnë një fejesë të ndihet personale.
6. Të harroni partnerin gjatë gjithë organizimit
Kjo tingëllon pak ironike, por ndodh. Mes familjeve, rezervimeve dhe pyetjes “a e kemi konfirmuar fotografin?”, organizimi mund të fillojë të ndihet si një projekt. Mos harroni të ndaleni herë pas here dhe të kontrolloni si po ndiheni të dy:
Pyeteni veten: “A po e shijojmë?”
Nuk duhet që një festë për lidhjen tuaj të bëhet arsyeja pse grindeni çdo ditë. Ndani përgjegjësitë. Merrni vendimet bashkë. Dhe kur diçka nuk shkon sipas planit, kujtojeni pse po e organizoni gjithë këtë në radhë të parë.
7. Të kërkoni perfeksionin
Diçka mund të vonohet. Një mysafir mund ta anulojë në momentin e fundit. Lulet mund të mos duken saktësisht si fotografia që keni ruajtur. Dhe dikush, me shumë gjasa, do të hyjë në fotografinë tuaj perfekte në momentin më të keq. Fejesa nuk ka nevojë të jetë perfekte për t'u bërë një kujtim i bukur. Në fund të natës, nuk do ta mbani mend nëse çdo pecetë ishte në vendin e duhur. Do të mbani mend njerëzit, muzikën, emocionet dhe personin që ishte pranë jush. Planifikoni festën. Por mos harroni ta jetoni.
Pyetjet më të shpeshta për fejesën kosovare
Sa zgjat një fejesë kosovare?
Nuk ka një kohë fikse se sa duhet të zgjasë fejesa. Disa çifte martohen pas disa muajsh, ndërsa të tjerë presin një vit ose më gjatë. Kjo varet nga planet e çiftit, financat, organizimi i dasmës dhe, sidomos për çiftet në diasporë, puna, dokumentet apo zhvendosja në një shtet tjetër. Më e rëndësishme se afati është që të dy të ndiheni gati për martesë.
Kush e organizon fejesën?
Tradicionalisht, familjet kanë pasur rol të madh në organizimin e fejesës. Sot, shumë çifte e planifikojnë vetë festën dhe i përfshijnë familjet sipas dëshirës. Në praktikë? Shpesh është punë ekipore: çifti ka idetë, familja ka sugjerimet dhe grupi në WhatsApp ka… shumë mendime.
Kush e blen unazën e fejesës?
Nuk ka një rregull që duhet ndjekur patjetër. Dikush e blen unazën si surprizë për partneren ose partnerin, ndërsa çifte të tjera e zgjedhin së bashku. Më e rëndësishme është që zgjedhja dhe çmimi të kenë kuptim për ju dhe buxhetin tuaj. Unaza është simbol i fejesës, jo një test financiar.
Çfarë dhuratash jepen për fejesë?
Dhuratat ndryshojnë sipas familjes dhe traditave që ajo ruan. Mund të përfshijnë stoli, veshje, parfume, ëmbëlsira ose dhurata të tjera simbolike për çiftin dhe familjarët. Nëse dy familjet kanë zakone të ndryshme, është mirë të flisni paraprakisht për pritshmëritë. Kështu shmangni situatat e sikletshme dhe shpenzimet e panevojshme.
Sa persona ftohen në një fejesë kosovare?
Sa të doni — dhe sa ua lejon buxheti. Një fejesë mund të jetë një darkë me familjen më të afërt ose një festë e madhe me shumë mysafirë. Mos e ndërtoni listën vetëm rreth pyetjes “Kë duhet ta ftojmë?”. Pyetni edhe: “Me kë dëshirojmë ta ndajmë këtë moment?”
A bëhet propozimi para fejesës?
Sot, shumë çifte e bëjnë fillimisht propozimin dhe më pas organizojnë fejesën me familjet. Megjithatë, kjo nuk është një formulë që duhet ndjekur patjetër. Në disa familje, takimi dhe përfshirja e familjeve vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e procesit. Mund ta ruani traditën dhe përsëri ta bëni momentin sipas mënyrës suaj.
Sa kohë pas fejesës bëhet martesa?
Nuk ekziston një periudhë “e duhur” mes fejesës dhe martesës. Koha varet nga gatishmëria e çiftit, buxheti, planet personale dhe lloji i dasmës që dëshironi të organizoni. Mos u shqetësoni nëse dikush tjetër u martua gjashtë muaj pas fejesës dhe juve ju duhen dy vjet.
Lidhja juaj nuk është në garë me askënd.
A duhet patjetër të organizoni festë për fejesë?
Jo. Mund të bëni një festë të madhe, një darkë me familjen ose të mos organizoni fare ngjarje.
Një fejesë nuk bëhet më “zyrtare” nga numri i mysafirëve, madhësia e sallës apo dekori. Nëse për ju mjafton propozimi dhe një darkë me njerëzit më të afërt, atëherë kjo është fejesa juaj. Traditat janë aty për t'i dhënë kuptim momentit — jo për t'ju treguar si duhet ta jetoni atë.







