Red flags në lidhje: 10 shenja që s’duhet t’i injorosh

  • Argjenda Selmani
  • 03.04.2025
  • Përditësuar më 23.07.2026
  • Dashuri
  • 14 min lexim
Red flags në lidhje

Përmbajtja

  1. Çka janë red flags në lidhje?
  2. Pse ka rëndësi me i dallu red flags në lidhje herët?
  3. Çka tregojnë studimet për red flags në një lidhje?
  4. Red flags gjatë njohjes online
  5. 10 red flags kur je në lidhje
  6. Red flags që shpesh nuk i quajmë me emrin e vet
  7. Qysh me vepru kur sheh red flags?
  8. Qysh me gjetë dikë që përputhet me vlerat tua?
  9. Red flags vs green flags: tabela krahasuese
  10. Kur nuk është red flag?
  11. Përfundim
  12. Pyetjet më të shpeshta

Nëse je në një lidhje që në fillim ka pas veç romancë, emocione e shenja të mira, por tash kanë fillu disa sjellje që nuk po të pëlqejnë dhe nuk po ndihesh rahat, ti po sheh red flags në lidhje.

Edhe pse kur na pëlqen dikush shpesh nuk i shohim këto sjellje, kur ato përsëriten vazhdimisht është normale që të ndihesh i/e pasigurt, i/e kontrolluar ose i/e pavlerësuar.

E ndien se marrëdhënia nuk po ndërtohet mbi respekt, besim dhe komunikim të shëndetshëm, mirëpo prapë ndonjëherë ke vështirësi me i kuptu. Hajde i analizojmë bashkë red flags në lidhje!

Për më shumë rreth kësaj teme, lexoni Si e gjeti Drini dashurinë e jetës në dua.com? dhe Mashkulli Ideal: 12 karakteristika se si ta gjejmë.

Çka janë red flags në lidhje?

Red flags në lidhje janë sjellje, reagime ose modele komunikimi që tregojnë se një marrëdhënie mund të mos jetë e shëndetshme. Ato përfshijnë kontrollin, xhelozinë e tepruar, mungesën e respektit, manipulimin emocional, gënjeshtrat, presionin, izolimin ose mungesën e komunikimit të sinqertë.

Me fjalë të thjeshta, një red flag në lidhje është një shenjë paralajmëruese se diçka nuk po shkon si duhet. Nuk do të thotë gjithmonë se duhesh me u nda menjëherë, por do të thotë se duhet të ndalesh, ta vëzhgosh situatën dhe të mos e injorosh.

Shpesh red flags nuk shfaqen menjëherë në mënyrë të madhe. Ato mund të fillojnë me komente të vogla, me hajgare që të ulin, me pyetje kontrolluese, me xhelozi që paraqitet si dashuri, ose me kërkesa që duken “normale” në fillim. Problemi është se, nëse nuk vendosen kufij, këto sjellje mund të bëhen më të forta me kalimin e kohës. Të shohim çka mendojnë të tjerët për red flags.

Pse ka rëndësi me i dallu red flags në lidhje herët?

Dallimi i red flags në fillim të një njohje ose lidhje të ndihmon me mbrojtë mirëqenien emocionale, kohën dhe vetëbesimin tënd. Sa më herët t’i kuptosh shenjat paralajmëruese, aq më lehtë merr vendime të qarta dhe nuk përfshihesh më thellë në një marrëdhënie që të dëmton dhe të lëndon.

Një lidhje duhet të të japë qetësi, jo ankth të vazhdueshëm. Duhet të të bëjë të ndihesh i/e respektuar, jo të mbrohesh gjatë gjithë kohës. Kur i dallon red flags herët, ti i jep vetes mundësinë të largohesh para se situata të bëhet më e rëndë. Kjo është e rëndësishme për disa arsye:

Mbron mirëqenien tënde emocionale

Një person që vazhdimisht të bën të ndihesh në faj, të pasigurt ose të pavlerë mund të ndikojë shumë në mënyrën si e sheh veten.

Kursen kohë

Jo çdo person që të pëlqen është personi i duhur për ty. Sa më shpejt ta kuptosh që vlerat, sjellja dhe qëllimet nuk përputhen, aq më pak energji investon në një lidhje që nuk të përmbush.

Shmang manipulimin

Manipulimi emocional shpesh nuk vjen menjëherë. Fillon me gjëra të vogla: të bën të dyshosh te vetja, të kthen fajin ty, të bën të ndihesh përgjegjës/e për sjelljen e tij/saj.

Të ndihmon me ndërtu marrëdhënie të shëndetshme

Kur e di çfarë nuk pranon, bëhet më e lehtë të njohësh edhe atë që vërtet dëshiron: respekt, sinqeritet, komunikim, stabilitet dhe kujdes.

Çka tregojnë studimet për red flags në një lidhje?

Të dhënat për Shqipërinë dhe Kosovën

Anketat më të mëdha të bëra te ne tregojnë se sjelljet kontrolluese nuk janë përjashtim — janë të përhapura.

  • Në Shqipëri, 50% e grave 18–74 vjeç që kanë pasur ndonjëherë partner thonë se kanë përjetuar sjellje kontrolluese nga partneri, dhe 41% sjellje abuzive. (OSBE, anketë e vitit 2018)
  • Tri sjelljet psikologjike më të raportuara ndaj partnerit aktual në Shqipëri janë pikërisht red flags klasike: partneri këmbëngul të dijë ku po shkon përtej shqetësimit normal (31%, krahasuar me 8% mesatarisht në BE), e poshtëron ose e nënçmon privatisht (29%, kundrejt 11% në BE) dhe zemërohet nëse ajo flet me një burrë tjetër (27%, kundrejt 9% në BE). (OSBE)
  • Në Kosovë, 54% e grave 18–74 vjeç që kanë ose kanë pasur partner raportojnë dhunë nga partneri — në shumicën e rasteve psikologjike (53%, kundrejt 43% mesatarisht në BE). (OSBE, Misioni në Kosovë, anketë e vitit 2018)

Të dhënat për njohjen online

Për njohjen online të dhënat më të plota vijnë nga SHBA, por sjelljet që përshkruajnë janë të njohura edhe për ne.

  • 30% e atyre që kanë përdorur ndonjëherë një faqe ose aplikacion takimesh në SHBA thonë se dikush i ka kontaktuar edhe pasi i kishin thënë se nuk ishin të interesuar. (Pew Research Center, 2023)
  • 43% e grave nën 50 vjeç në SHBA që kanë përdorur ndonjëherë një faqe ose aplikacion takimesh thonë se dikush ka vazhduar t’i kontaktojë edhe pasi u kishin thënë se nuk ishin të interesuara. (Pew Research Center, 2023)
  • 30% e të rriturve në SHBA pranojnë se i kanë bërë ghosting dikujt — një partneri romantik ose një shoku. (YouGov, janar 2019)
  • 19% e të rriturve në SHBA thonë se u është bërë ghosting nga dikush me të cilin kanë dalë. (YouGov, tetor 2021)
  • 71% e përdoruesve të aplikacioneve të takimeve në SHBA besojnë se njerëzit shpesh zbukurojnë ose fshehin të vërtetën në profilet e tyre. (Pew Research Center, 2020)
  • Rreth dy të tretat (66%) e grave nën 50 vjeç në SHBA që përdorin aplikacione takimesh kanë përjetuar të paktën një formë ngacmimi ose sjelljeje të padëshiruar. (Pew Research Center, 2023)

Red flags gjatë njohjes online

Red flags apo probleme në lidhje

Sot, kur shumica e njerëzve njoftohen në aplikacione takimesh, është shumë e rëndësishme me pasë aftësi me i dallu red flags te njerëzit me të cilët po njoftohesh.

Edhe pse në dua.com përdoruesit kryesisht janë persona real, të verifikuar, në kërkim të lidhjes serioze, kjo nuk do të thotë që kurrë nuk do ta gjesh një person me sjellje të gabuar.

Nëse je match me dikë në dua.com dhe ai person:

  • nuk e ka profilin e verifikuar;
  • e ka profilin gati krejt të zbrazët;
  • ka foto që duken fake ose nuk përputhen me njëra-tjetrën;
  • ka moshë që nuk përputhet me fotot;
  • gjatë bisedës të kërkon para sepse gjoja ka nevojë;

këto janë disa sinjale të qarta që ai/ajo nuk është personi i duhur për ty. Megjithatë, krahasuar me platformat e tjera, dua.com ofron shkallë të lartë të sigurisë për përdoruesit.

10 red flags kur je në lidhje

1. Përpiqet të të kontrollojë

Kontrolli është një nga red flags më të rëndësishme në një lidhje. Në fillim mund të duket si kujdes: “Më trego ku je”, “Me kë je?”, “Pse nuk më ktheve përgjigje menjëherë?”. Por kur këto pyetje bëhen të vazhdueshme, kur ndihesh sikur duhet të japësh llogari për çdo hap, marrëdhënia fillon të humbasë lirinë dhe besimin.

Një partner/e me sjellje të shëndetshme mund të interesohet për ty, por nuk të kontrollon. Ka dallim mes kujdesit dhe kontrollit. Kujdesi të bën të ndihesh i/e sigurt. Kontrolli të bën të ndihesh i/e kufizuar.

Nëse partneri yt zemërohet sa herë del me shoqërinë, kërkon të dijë çdo detaj ose të thotë çfarë duhet të veshësh, kjo nuk është dashuri. Është përpjekje për të pasur pushtet mbi ty.

Kjo është e rrezikshme sepse me kohë mund të të bëjë të humbasësh pavarësinë, vetëbesimin dhe kontaktin me njerëzit që të duan.

2. Nuk respekton kufijtë e tu

Kufijtë janë pjesë normale e çdo marrëdhënieje të shëndetshme. Ata tregojnë çfarë të bën të ndihesh rehat dhe çfarë jo. Mund të jenë kufij emocionalë, fizikë, digjitalë, socialë ose personalë.

Nëse ti thua “nuk dua të flas për këtë tani”, “nuk jam gati”, “kam nevojë për hapësirë” ose “kjo më bën të ndihem keq”, një person që të respekton do ta marrë seriozisht. Një person që nuk i respekton kufijtë e tu do të të bëjë të ndihesh në faj pse i vendose.

P.sh., ti i thua se nuk dëshiron të takoheni çdo ditë sepse ke nevojë edhe për kohën tënde. Ai/ajo zemërohet, të akuzon se nuk e do mjaftueshëm ose të bën presion derisa të pranosh.

Ky është red flag sepse një lidhje pa kufij bëhet e lodhshme, e pabarabartë dhe shpesh manipuluese.

Xhelozia në lidhje

3. Ka xhelozi pa arsye

Xhelozia mund të ndodhë herë pas here, por kur bëhet e vazhdueshme dhe e paarsyeshme, është shenjë paralajmëruese. Shpesh xhelozia e tepruar paraqitet si dashuri: “Bëhem xheloz sepse të dua shumë”. Por dashuria nuk duhet të të bëjë të ndihesh i/e akuzuar për gjëra që nuk i ke bërë.

Nëse partneri dyshon vazhdimisht, kontrollon kë ndjek në rrjete sociale, zemërohet për komente të pafajshme ose të akuzon pa prova, kjo tregon mungesë besimi dhe pasiguri të pamenaxhuar.

Shembull: ti poston një foto dhe dikush të bën një koment normal. Partneri yt fillon debat, kërkon shpjegime dhe të akuzon se po kërkon vëmendje. Xhelozia e tepruar mund të kthehet në kontroll, izolim dhe konflikte të vazhdueshme. Një lidhje e shëndetshme ka besim, jo hetim të përditshëm.

4. Gënjen shpesh

Gënjeshtrat e vogla mund të duken të parëndësishme në fillim, por kur përsëriten, ato dëmtojnë bazën e çdo lidhjeje: besimin. Nëse dikush gënjen për gjëra të vogla, është normale të pyesësh veten nëse mund të gënjejë edhe për gjëra më të mëdha.

Gënjeshtra mund të jetë për vendin ku ka qenë, me kë ka qenë, çfarë ndjen, çfarë dëshiron ose çfarë po fsheh. Problemi nuk është vetëm gënjeshtra vetë, por fakti që ti fillon të dyshosh në çdo gjë.

Shembull: thotë se ishte në shtëpi, por më vonë kupton se ka dalë. Kur e pyet, të akuzon se po e kontrollon. Ky është red flag sepse një marrëdhënie pa sinqeritet krijon pasiguri të vazhdueshme. Nuk mund të ndërtosh qetësi me dikë që të bën të dyshosh çdo ditë.

I pyetëm njerëzit në rrugë se cilat janë red flags për ta — ja çka na thanë:

5. Manipulon me ndjenjat e tua

Manipulimi emocional është një nga red flags më të vështira për t’u dalluar, sepse shpesh ndodh gradualisht. Një formë e tij është gaslighting, kur dikush të bën të dyshosh te kujtesa, ndjesitë ose gjykimi yt. Cleveland Clinic e përshkruan gaslighting-un si një formë manipulimi emocional që të bën të ndihesh sikur ndjenjat e tua nuk janë të vlefshme ose sikur ajo që mendon se po ndodh, nuk po ndodh vërtet.

Për shembull, ti i thua se një sjellje të lëndoi. Në vend që të dëgjojë, ai/ajo thotë: “Ti gjithmonë e ekzagjeron”, “Je shumë e ndjeshme”, “Kjo nuk ka ndodhur ashtu”, ose “Problemi je ti”.

Me kohë, fillon të mendosh se ndoshta vërtet po e tepron. Kjo është arsyeja pse manipulimi emocional është kaq i dëmshëm. Një partner/e me sjellje të shëndetshme nuk ka pse të pajtohet gjithmonë me ty, por duhet të jetë i gatshëm/e gatshme të dëgjojë ndjenjat e tua pa t’i përdorur kundër teje.

6. Ta kontrollon telefonin

Telefoni është pjesë e privatësisë personale. Në një lidhje të shëndetshme mund të ketë transparencë, por transparenca nuk do të thotë kontroll. Nëse partneri kërkon fjalëkalimin, lexon mesazhet, kontrollon historikun, rrjetet sociale ose kontaktet e tua pa leje, kjo është red flag.

Shpesh kjo justifikohet me fjalinë: “Nëse nuk ke çfarë fsheh, pse nuk ma jep telefonin?” Por besimi nuk ndërtohet duke hetuar. Ndërtohet me sjellje të qëndrueshme, komunikim dhe respekt.

Jo është jo — respektimi i kufijve në lidhje

7. Nuk e respekton “jo”-në

“Jo” është fjali e plotë. Nuk ka nevojë gjithmonë për arsyetime të gjata. Nëse dikush nuk e respekton “jo”-në tënde, qoftë për një takim, një bisedë, intimitet, para, kohë apo vendim personal, kjo është red flag shumë serioze.

Një person që të respekton mund të zhgënjehet, por nuk të bën presion. Nuk të manipulon. Nuk të ndëshkon me heshtje. Nuk të bën të ndihesh fajtor/e pse nuk pranove.

Shembull: ti thua se nuk dëshiron të bësh diçka intime. Ai/ajo vazhdon të të bindë, të thotë se “nëse më do, do ta bëje”, ose mërzitet derisa ti të ndihesh në faj. Kjo nuk është dashuri. Është presion. Dhe presioni nuk ka vend në një marrëdhënie të shëndetshme.

8. Premton shumë, bën pak

Fjalët janë të rëndësishme, por veprimet tregojnë më shumë. Një person që premton vazhdimisht se do të ndryshojë, do të sillet më mirë, do të jetë më i pranishëm/e pranishme, do të komunikojë më shumë, por nuk bën asgjë konkrete, mund të të mbajë të lidhur me shpresë, jo me realitet.

Ky red flag është i zakonshëm sepse shpesh ne besojmë potencialin e dikujt, jo sjelljen që po shohim. Por një marrëdhënie nuk ndërtohet mbi atë që dikush thotë se do të bëhet. Ndërtohet mbi atë që bën vazhdimisht.

Nëse pas çdo debati kërkon falje, premton se nuk do ta përsërisë, por pas disa ditësh bën të njëjtën gjë, atëherë fjalët nuk kanë peshë. Kur fjalët dhe veprimet nuk përputhen, duhet të shohësh modelin, jo vetëm premtimin.

9. Të izolon nga njerëzit e tu

Izolimi është një red flag shumë i rrezikshëm. Mund të nisë ngadalë: nuk i pëlqejnë shoqet/shokët e tu, kritikon familjen tënde, zemërohet kur kalon kohë me të tjerët, ose të bën të ndihesh në faj pse nuk je gjithmonë me të.

Në fillim mund të duket si dëshirë për të kaluar më shumë kohë bashkë. Por kur fillon të largohesh nga njerëzit që të mbështesin, marrëdhënia bëhet më e pabarabartë.

Sa herë që del me shoqërinë, partneri yt të bën debat. Me kohë, për të shmangur konfliktet, ti fillon t’i anulosh planet.

Një partner/e me sjellje të shëndetshme nuk të shkëput nga njerëzit që i do. Ai/ajo e kupton që jeta jote nuk duhet të sillet vetëm rreth lidhjes.

10. Gjithçka duhet të bëhet sipas dëshirës së tij/saj

Në një lidhje të shëndetshme ka kompromis. Jo gjithmonë do të doni të njëjtat gjëra, por vendimet duhet të merren me respekt për të dyja palët. Nëse gjithçka bëhet sipas dëshirës së një personi, marrëdhënia bëhet e pabarabartë.

Kjo mund të shfaqet në gjëra të vogla: ku dilni, kë takoni, çfarë bëni, kur flisni, si e kaloni kohën. Por mund të shfaqet edhe në vendime më të mëdha: planet e së ardhmes, puna, familja, vendbanimi ose prioritetet personale.

Nëse çdo herë që ti propozon diçka refuzohet, por kur ai/ajo dëshiron diçka pret që ti të përshtatesh menjëherë, ky është red flag sepse tregon mungesë respekti për nevojat, dëshirat dhe zërin tënd në marrëdhënie.

Red flags që shpesh nuk i quajmë me emrin e vet

Sjellja pasive-agresive dhe heshtja si ndëshkim

Jo çdo red flag bërtet. Disa partnerë nuk debatojnë hapur, por e shprehin pakënaqësinë në mënyrë të tërthortë: me komente që duken të padëmshme, me tallje të vogla, me “s’kam gjë” kur qartë kanë diçka, ose duke u tërhequr dhe duke mos folur me ditë të tëra pas një mosmarrëveshjeje.

Heshtja si ndëshkim është veçanërisht e rëndë, sepse të lë pa mundësi për ta zgjidhur problemin. Ti nuk di çka ka ndodhur, nuk di sa do të zgjasë dhe fillon të kërkosh falje vetëm që biseda të kthehet në normalitet. Kjo është një formë kontrolli, jo një mënyrë komunikimi.

Dallimi është i thjeshtë: një person që ka nevojë për pak kohë të qetësohet ta thotë këtë dhe kthehet te biseda. Një person që përdor heshtjen si armë e lë hapur qëllimisht, që ti të ndihesh në faj.

Kur një red flag bëhet abuzim

Ka një vijë ku sjelljet e listuara më lart nuk janë më thjesht “shenja paralajmëruese”. Organizata Botërore e Shëndetësisë e përfshin shprehimisht sjelljen kontrolluese dhe abuzimin psikologjik brenda përkufizimit të dhunës nga partneri intim — pra kontrolli nuk është çështje karakteri, është formë e njohur dhune.

UN Women i rendit si shenja të një marrëdhënieje abuzive pikërisht ato që i përmendëm: partneri që mban shënim çdo gjë që bën, që kontrollon ku je dhe me kë je, që të pengon të shohësh shoqërinë ose familjen, që kërkon t’i përgjigjesh menjëherë dhe që kërkon fjalëkalimet e tua.

Nëse e njeh veten në këto rreshta, nuk je duke ekzagjeruar dhe nuk je vetëm.

Nëse ke nevojë për ndihmë

Në Shqipëri: Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza — 116 117, këshillim psikologjik dhe ligjor falas (hotlinealbania.org). Policia: 129.

Në Kosovë: Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave — linja falas 0800 11 112 (Rrjeti i Grave të Kosovës). Policia: 192.

Qysh me vepru kur sheh red flags?

Nëse dallon red flags në lidhje, gjëja më e rëndësishme është të mos i injorosh. Nuk ke nevojë të marrësh një vendim të menjëhershëm për çdo situatë, por ke nevojë të jesh i/e sinqertë me veten për atë që po ndodh.

Mos i justifiko vazhdimisht

Është normale të përpiqesh ta kuptosh dikë që të pëlqen, por të kuptosh nuk do të thotë të pranosh sjellje që të lëndojnë. Nëse një sjellje përsëritet dhe të bën të ndihesh keq, ajo meriton vëmendje.

Fol hapur

Zgjidh një moment të qetë dhe shpjego si ndihesh. Për shembull: “Kur më kontrollon telefonin, ndihem sikur nuk më beson”, ose “Kur nuk e respekton kufirin tim, ndihem i/e pavlerësuar”. Shiko jo vetëm çfarë thotë personi, por si reagon. A dëgjon? A merr përgjegjësi? Apo të kthen fajin ty?

Çift nga dua.com dhe green flags

Vendos kufij të qartë

Kufijtë nuk janë kërcënime. Janë mënyra për të mbrojtur veten. Për shembull: “Nuk pranoj të më kontrollohet telefoni”, “Nuk dua të më flasësh me ofendime”, ose “Nëse vazhdon të më bësh presion, do të largohem nga biseda”.

Kërko mendim nga dikush që i beson

Kur je brenda një situate emocionale, ndonjëherë është e vështirë ta shohësh qartë. Një mik/e, familjar/e ose profesionist/e mund të të ndihmojë ta shohësh situatën nga jashtë.

Largohu nëse sjellja vazhdon

Një falje pa ndryshim nuk mjafton. Nëse personi vazhdon të të kontrollojë, manipulojë, gënjejë ose të bëjë të ndihesh i/e pasigurt, është e drejtë të zgjedhësh veten.

Qysh me gjetë dikë që përputhet me vlerat tua?

Një lidhje e shëndetshme nuk fillon me përputhje perfekte. Fillon kur dy persona ndajnë vlera të ngjashme, respektojnë njëri-tjetrin dhe kanë të njëjtin qëllim për marrëdhënien.

Nëse dëshiron të ndërtosh një lidhje afatgjatë, mos u fokuso vetëm te kimia ose tërheqja fizike. Shiko edhe mënyrën se si personi komunikon, si sillet me të tjerët dhe nëse veprimet e tij/saj përputhen me fjalët.

Çift nga dua.com

E mira e platformës dua.com është se profili i personit tjetër shfaqet si pasqyrë e personalitetit të tij — si një CV, me preferencat, planet, hobet dhe pamjen fizike.

Shumë nga çiftet që janë njohur në dua.com tregojnë se marrëdhënia e tyre nuk filloi me gjeste madhështore, por me biseda të sinqerta dhe ndjenjën se kishin gjetur dikë me të njëjtat vlera.

Për shembull, Valdrini tregon se fillimisht e tërhoqi pamja e Anitës, por ishte gjatë bisedës që u bind se ajo ishte e duhura për të. Ndërsa Hëna thotë se te Lumi vlerësoi karakterin, sa i përkushtuar është në punë dhe sa i lidhur është me tokën e tij — për të ishte e rëndësishme që partnerin e jetës ta kishte së pari shok të mirë. Edhe Dodona, e cila u njoh me bashkëshortin e saj në dua.com, thotë se kurrë nuk kishte menduar se mund të ishte kaq e lumtur me dikë që kujdeset aq shumë për të.

Këto histori kanë një gjë të përbashkët: marrëdhëniet e forta nuk ndërtohen vetëm mbi tërheqjen fillestare, por mbi vlera të përbashkëta, komunikim dhe besim.

Red flags vs green flags: tabela krahasuese

Mënyra më e shpejtë për ta kuptuar një sjellje është ta krahasosh me atë që do të bënte një partner i shëndetshëm në të njëjtën situatë. Green flags janë shenjat pozitive — sjelljet që tregojnë respekt, besim dhe pjekuri. Përkufizimet më poshtë mbështeten te One Love Foundation dhe loveisrespect.

Situata🚩 Red flag💚 Green flag
Kur del me shoqërinëTë bën debat, kërkon detaje për çdo person, mërzitet çdo herëGëzohet që ke jetën tënde dhe njerëzit e tu
Kur i thua “jo”Të bën presion, të ndëshkon me heshtje, të bën fajtor/eE pranon pa e kthyer në debat, edhe nëse zhgënjehet
Kur keni mosmarrëveshjeTa kthen fajin ty, të thotë se e ekzagjeron, largohet pa fjalëDëgjon, merr përgjegjësi për pjesën e vet dhe kërkon zgjidhje
Me telefonin dhe privatësinëKërkon fjalëkalimet, lexon mesazhet, kontrollon çdo gjëTë beson pa pasur nevojë të hetojë
Me fjalët dhe veprimetPremton shumë pas çdo debati, por asgjë nuk ndryshonNdryshon sjelljen, jo vetëm fjalët
Me familjen dhe shoqërinë tëndeI kritikon, të bën të ndihesh në faj kur je me taPërpiqet t’i njohë dhe respekton lidhjet e tua
Me ndjenjat e tua“Je shumë e ndjeshme”, “kjo s’ka ndodhur ashtu”I merr seriozisht ndjenjat e tua edhe kur nuk pajtohet
Me vendimet e përbashkëtaGjithçka bëhet sipas dëshirës së tij/sajVendosni bashkë, me kompromis nga të dyja anët

Nëse në shumicën e rreshtave e njeh partnerin tënd në kolonën e djathtë, je në rrugë të mirë. Nëse e njeh vazhdimisht në të majtën, ia vlen të ndalesh dhe të mendosh.

Kur nuk është red flag?

Jo çdo sjellje e pakëndshme është automatikisht red flag. Njerëzit kanë ditë të këqija, pasiguri, frikëra dhe mënyra të ndryshme komunikimi. Dallimi kryesor është te përgjegjësia dhe ndryshimi.

  • Nëse dikush bëhet xheloz një herë, e pranon se reagoi keq dhe përpiqet të komunikojë më mirë, kjo mund të jetë një situatë për t’u diskutuar. Por nëse xhelozia përsëritet, shoqërohet me akuza dhe kontroll, atëherë bëhet red flag.
  • Nëse dikush harron të të kthejë përgjigje një herë, kjo nuk është domosdoshmërisht problem. Por nëse vazhdimisht të injoron, shfaqet vetëm kur i leverdis dhe nuk respekton kohën tënde, atëherë është shenjë që duhet vlerësuar.
  • Një konflikt nuk është red flag në vetvete. Mënyra si zgjidhet konflikti është ajo që tregon shumë. A flisni me respekt? A dëgjoni njëri-tjetrin? A kërkohet falje kur ka lëndim? A ndryshon sjellja pas bisedës?

Red flag nuk është perfeksioni i munguar. Red flag është modeli i përsëritur që të dëmton.

Përfundim

Red flags në lidhje rrallë fillojnë me diçka të madhe — shpesh nisin me detaje të vogla që i justifikojmë. Sa më herët t’i dallosh, aq më lehtë e mbron kohën, qetësinë dhe vetëbesimin tënd.

Ti meriton një lidhje ku ndihesh i/e respektuar, i/e sigurt dhe i/e vlerësuar ashtu siç je. Nëse dëshiron të krijosh njohje të reja me njerëz që kërkojnë të njëjtën gjë, krijo profilin tënd falas në dua.com dhe nis me takimin e parë drejt një lidhjeje të shëndetshme.

Pyetjet më të shpeshta

Cilat janë red flags më të zakonshme?

Red flags më të zakonshme janë kontrolli, xhelozia pa arsye, gënjeshtrat e përsëritura, mosrespektimi i kufijve, manipulimi emocional, kontrollimi i telefonit, presioni, izolimi nga njerëzit e afërt dhe mungesa e përgjegjësisë për sjelljen.

A mund të ndryshojë një person me red flags?

Po, një person mund të ndryshojë nëse e pranon sjelljen, merr përgjegjësi dhe bën përpjekje reale për të ndryshuar. Por ndryshimi duhet të shihet në veprime të vazhdueshme, jo vetëm në premtime ose kërkim faljeje pas çdo konflikti.

Cili është ndryshimi mes red flags dhe green flags?

Red flags janë sjellje që paralajmërojnë probleme në marrëdhënie, ndërsa green flags janë shenja pozitive. Green flags përfshijnë respektin, komunikimin e hapur, sinqeritetin, mbështetjen, përgjegjësinë emocionale dhe aftësinë për të respektuar kufijtë.

Çfarë duhet të bëj nëse partneri nuk i pranon red flags?

Nëse partneri nuk pranon të dëgjojë, ta lë fajin ty ose nuk bën asnjë ndryshim, është e rëndësishme të vendosësh kufij dhe të mendosh seriozisht për mirëqenien tënde. Një marrëdhënie kërkon përpjekje nga të dyja palët.

Kur duhet të largohem nga një lidhje me red flags?

Duhet të mendosh të largohesh kur sjelljet e dëmshme përsëriten, kur ndihesh i/e pasigurt, i/e kontrolluar, i/e manipuluar ose kur partneri nuk merr përgjegjësi për veprimet e tij/saj. Mirëqenia jote emocionale duhet të jetë gjithmonë prioritet.

Të ngjashme

dashurinë e jetës në dua.com
  • Dashuri
  • 3 min read

Si e gjeti Drini dashurinë e jetës në dua.com?

A po e kërkon dashurinë e jetës në dua.com? Je në vendin e duhur! Në një...

Si ta gjejmë fatin e jetës?
  • Dashuri
  • 7 min read

Si ta gjejmë fatin e jetës?

A po pyesin vetën si ta gjejmë fatin e jetës? Fati i jetës është një temë...

mashkulli ideal
  • Dashuri
  • 8 min read

Mashkulli Ideal: 12 karakteristika se si ta gjejmë

Kuptimi se cili është mashkulli ideal është subjektiv. Ajo që një femë sheh...